LAJMI I FUNDIT:

Filmi i ndaluar, “Skëterrë ‘43”

Filmi i ndaluar, “Skëterrë ‘43”

Filmi artistik “Skëterrë ’43”, prodhim i vitit 1980, do të shfaqet mbrëmjen e sotme në kinemanë “Agimi” në Tiranë. Filmi shfaqet në kuadër të programit “Thesaret e Arkivit”, që prej kohësh ka nisur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

“Prapaskenat e këtij filmi, janë po aq dramatike sa dhe ngjarjet në film që bazohen në Luftën e Dytë Botërore. Më 1980, aktori dhe regjisori Rikard Ljarja i kërkoi Bashkim Shehut, djalit të kryeministrit Mehmet Shehu, të shkruante skenarin e ‘Skëterrë ’43’, ndërsa teknikët e Kinostudios ndërtuan në përmasa reale një burg italian buzë detit”, shkruan AQSHF për filmin e ndaluar.


Filmi “Skëterrë ‘43” i ofroi role të paharrueshme aktorëve të rëndësishëm, si: Rikard Ljarja, Xhevdet Ferri, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Violeta Dede, Mario Ashiku etj. Edhe pse sipas AQSHF atë kohë dukej se çdo gjë ishte shumë mirë dhe askush nuk do të prekte këtë prodhim filmik, pas 1981 erdhi dhe ndalimi i tij.

Filmi tregon revoltën në një kamp përqendrimi fashist në vitin 1943 kundër metodave barbare e terrorit. Të burgosurit kryengritës, si Hekurani, Ariani, Mira, Shpresa, organizohen dhe mbajnë lidhje të vazhdueshme me rezistencën jashtë kampit. Me rezistencë të fortë ata arrijnë të shkatërrojnë skëterrën fashiste. /atsh/