FFK shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Rifat Stojkajt

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka shprehur ngushëllime për familjen Stojkaj pas ndarjes nga jeta të Rifat Stojkajt, duke e cilësuar atë si një humbje të madhe për sportin dhe komunitetin në Kosovë.
Në telegramin e ngushëllimit, Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të institucionit dhe komunitetit të futbollit në vend, ka shprehur dhimbjen për këtë humbje.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, Rifat Stojkaj”, thuhet në mesazh.
Në njoftim theksohet edhe kontributi i të ndjerit në futboll, ku për disa vite ai ka shërbyer si kryetar i KF Deçani.
“Me përkushtimin, energjinë dhe korrektësinë e tij, ai bëri që klubi të rikthehej në Ligën e Dytë dhe të ketë qëndrueshmëri organizative”, thuhet tutje.
Gjithashtu, përmendet edhe angazhimi i tij në jetën publike dhe institucionale si drejtor i Bujqësisë në Komunën e Deçanit, ku, sipas FFK-së, ka fituar respektin e qytetarëve dhe bashkëpunëtorëve.
FFK ka vlerësuar se humbja e tij është e rëndë për familjen, miqtë dhe komunitetin e Deçanit, duke shprehur ngushëllime të sinqerta.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për Rifat Stojkajn”, përfundon telegrami i ngushëllimit. /Telegrafi/




















































