Fermin Lopez ia mbyllë dyert Bayernit, dëshiron qëndrimin te Barcelona

Sipas raportimit të Ben Jacobs, mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka marrë një ofertë nga Bayern Munich, por 22-vjeçari preferon të qëndrojë te klubi katalanas.
Lopez, i dalë nga akademia La Masia e Barcelonës, është shndërruar këtë sezon në një figurë kyçe në mesin e fushës për blaugranat.
Ai ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm në sukseset e fundit të përfaqësueses së Spanjës në Euro 2024 dhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, duke shënuar gjashtë gola dhe ndihmuar skuadrën të fitojë trofe të mëdha.
Pavarësisht interesimit nga Bayerni dhe klube të tjera të mëdha europiane, Lopez ka rinovuar kontratën me Barcelonën deri në vitin 2029.
Marrëveshja e re përfshin një klauzolë lirimi prej 500 milionë euro, që tregon përkushtimin e fortë të klubit për ta mbajtur afatgjatë.
Burime pranë lojtarit konfirmojnë se Lopez mbetet i fokusuar te roli i tij në Barcelonë dhe nuk ka asnjë synim për t’u larguar, duke refuzuar përpjekjet e Bayernit.
Prioriteti i tij është të vazhdojë të rritet me klubin dhe të kontribuojë në objektivat e Barcelonës si në garat vendase ashtu edhe ato ndërkombëtare./Telegrafi/




















































