Fermerët që merren me kultivimin e pemëve të imëta në Kosovë duhet të kenë prezencë më të madhe në medie. Kështu u tha në tryezën “Roli i medieve në promovimin e sektorit të pemëve të imëta në Kosovë”, organizuar nga Caritasi Zviceran, Austrian Development Cooperation dhe SIRED nën moderimin e Agro Media.

Në hyrje të kësaj tryeze, fermeri nga Podujeva njëkohësisht edhe kryetari i Shoqatës “Mjedrat e Kosovës”, Sami Uka tha se në fillimet e kultivimit të kësaj kulture bujqësore, nuk kishte njohuritë dhe informacionet e mjaftueshme rreth këtij sektori.

Për sa i përket rolit të medieve, Uka theksoi se nevoja e prezencës së këtij sektori është i pazëvendësueshëm.

“Sektori i mjedrës ka filluar veprimtarinë afërsisht rreth vitit 2015, me një theks më të madh në vitin 2017. Ajo që ndodhi në vitin e parë është një rënie e çmimeve e cila ka shkaktuar një zhgënjim masiv në sektorin e mjedrës posaçërisht dhe një heqje dore nga sektori për këtë arsye. Kjo për arsye që kishte mungesë të informacioneve te fermerët në të gjitha zonat. Prandaj, në këtë fazë roli i medieve është i pazëvendësueshëm, sepse mediet jo vetëm që duhet ta promovojnë kohen e vjeljes sepse deri të vije në këtë fazë ka shumë probleme të ndryshme. Jo vetëm në promovimin por edhe identifikimin dhe analizimin e problemeve që në fazat e para”, tha Uka.

Tryeza e rrumbullakët Agro Media e organizuar nga Caritasi Zviceran, Austrian Development Cooperation dhe SIRED

Ai shqetësimin e adresoi te mungesa e vullnetit për punë tek të rinjtë. Ai tha se të rinjtë tani po e konsiderojnë demode dhe turp të punojnë në bujqësi.

“Më vjen keq ta them por shumica e gjeneratave të reja të cilët merren me bujqësi dhe me kultivimin e pemëve të imëta, iu vije keq të prononcohen në media dhe ta prezantojnë punën e tyre. Kjo për shkak se në shoqërinë tonë ende është një drojë se të punosh në bujqësi është diçka e turpshme dhe demode njëkohësisht”, u shpreh ai.

Plantacionet e boronicave “BerryKode” në Vushtrri

Si të jashtëzakonshëm rolin e medieve në sektorin e promovimit të bujqësisë e sheh edhe Ismet Osmani nga “Red Gold”.

Osmani deklaroi se përmes medieve ata kanë bë prezantimin e punës së tyre dhe kjo ka shërbyer që të motivojë shumë njerëz që të merren me bujqësi.

“Kemi vazhduar traditën të parëve tonë me kultivimin e bujqësisë. Duke filluar me kultivimin e boronicës në vitin 2009. Kur flasim se sa të fuqishme janë mediet, ne e kemi përcjellë nga mediet dhe radiostacionet televizive tona, përmes tyre e kemi informuar publikun për punën tonë dhe pas kësaj kemi parë motivimin dhe fillimin e njerëzve për t’u marrë në mënyrë masive me kultivimin e boronicës dhe frutave të vogla. Ne jemi bashkangjitur në Shoqatën ‘Mjedrat e Kosovës’, kjo është njëra ndër ambasadorët më të fuqishëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare e mund ta them me krenari se kemi arritur ta ngremë lartë edhe imazhin e vendit”, deklaroi Osmani.

Dukja dhe kultivimi i boronicave në plantacionin e “BerryKode”

Megjithatë, ai kishte një ankesë sa i përket medieve në Kosovë edhe pse e potencoi faktin që i kupton ato për mos prezantim të vazhdueshëm të punës së tyre.

“Sa iu përket shumicës dërrmuese të medieve në Kosovë, ne jemi shumë pak të përfaqësuar në pjesën më të madhe të tyre. Kërkojë nga mediet të na përfaqësojnë më shumë, sepse edhe ne e duam Kosovën”, shtoi ai.

Plantacionet e boronicave “BerryKode” në Vushtrri

Kurse Arif Kastrati nga “BerryKode”, tha se mediet duhet të përqendrohen në ndihmën që mund t’ua ofrojnë bizneseve dhe fermerëve.

Tutje, ai tha se problemi i njerëzve në Kosovë është që nuk duan të punojnë, ai e pati edhe një kërkesë për Ministrinë e Bujqësisë.

“Kisha pasur dëshirë të përqendrohem te ndihma që mediet mund të na e ofrojnë neve është me e promovuar një kulturë të punës së përgjithshme që askush këtu nuk e përmendi. Asnjë prej kolegëve të mi nuk e thanë që çdo ditë e më pak këtu ka njerëz të interesuar të punojnë. Po e shohin si turp, por ka edhe lloje të tjera që nuk dëshirojnë fare të punojnë. Kështu që do të ishte mirë që t’i jepet më shumë fokus promovimit të punës, pastaj të provohet që përmes shoqatës dhe po ashtu edhe përmes Ministrisë që të mos subvencionohet vetëm mbjellja dhe kultivimi i kulturave por të fillojnë të subvencionojnë ata njerëz që ende duan të punojnë dhe janë të interesuar”, tha Arifi.

Pjesëmarrësit në tryezën e diskutimit

Sipas tij, mediet duhet t’i informojnë njerëzit në Kosovë rreth përfitimeve që munden të kenë nëse merren me bujqësi.

“Të gjithë ata njerëz të cilët dëshirojnë të dalin jashtë vendit është mirë të iu ndihmohet, ata nuk duan të punojnë këtu. Por të gjithë ata që duan të qëndrojnë këtu të informohen. Mediet do të na kishin ndihmuar që kanë vjelë boronica ose që kanë punuar në këtë zinxhir dhe për t’i treguar këto përfitime”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, redaktori i rubrikës së Ekonomisë në portalin Telegrafi.com, Albert Spahiu në këtë tryezë tha se problemi nuk qëndron te mediet.

“Në rubrikën që jam përgjegjës në Telegrafi, pra ajo e Ekonomisë e ka edhe një nën rubrikë të veçantë që është Bujqësia. I dëgjuam mendimet këtu që mediet nuk po iu japin hapësirë fermerëve dhe bizneseve. Unë konsideroj që kjo nuk qëndron, sepse nga përvoja që unë kam, në media mendoj që më shumë është hezitimi nga vetë bizneset për atë se çfarë ofrojnë”, tha Spahiu.

Plantacionet e boronicave “BerryKode” në Vushtrri

Spahiu tutje i ftoi bizneset që të bashkëpunojnë më mediet, duke potencuar faktin që Telegrafi.com është i hapur ndaj tyre.

“Konsideroj që bizneset duhet të vetë ofrohen. Por, a din të vetë ofrohen kjo është pikëpyetje nga vetë brendësia e bizneseve. Ejani komunikoni me mediet, sepse ato kanë departamente të veçanta, si ai i PR-it dhe merren vetëm me këtë punë. Vetë Telegrafi e ka atë përgjegjësinë sociale që publikon lajme dhe tema që janë në dobi të qytetarëve”, përfundoi ai.

Për Hyrmete Kastratin, Agro Media është krijuar per t’i bërë zgjidhje sektorit bujqësor.

“Kjo qendër [Agro Media] si e vetmja organizatë multimediale që ofron shërbime mediatike me një gamë të gjerë që mbulon gjithë vendin me synime të qarta të shtrirjes edhe në rajon. Bujqësia nuk është shumë prezentë në mediet tona andaj shpresojmë që sot në ketë takim, kryesisht këtë tryeze të shkëmbejmë ide përvoja dhe të ardhmen të kemi bashkëpunim me të mirë dhe më afatgjatë”, theksoi Kastrati nga Agro Media.

Në fund, pjesëmarrësit shkëmbyen ide dhe përvoja të tyre në bizneset që ata i drejtojnë. /Telegrafi/