Komuna e Ferizajt ka njoftuar qytetarët se do të zhvillohet faza e katërt e projektit “Dezinsektimi hapësinor”, i cili ka për qëllim eliminimin e insekteve, mushkonjave dhe mizave në territorin e komunës.

Sipas njoftimit, dezinsektimi do të realizohet në tri ditë radhazi, duke filluar nga 1 gushti, me fillim nga ora 20:00.


Më 1 gusht, trajtimi do të kryhet në të gjithë qytetin e Ferizajt, duke filluar nga Parku i Lirisë dhe duke vazhduar në disa prej rrugëve kryesore, përfshirë zonën përreth FSK-së, Palestrën e Sporteve, rrugët “Sali Çeku”, “Naim Beka”, “Epopeja e Jezercit”, “Zenel Hajdini”, “Enver Topalli”, Tregun e Gjelbër, si dhe pjesët lindore të qytetit deri te magjistralja.

Më 2 gusht, dezinsektimi do të vazhdojë në fshatrat: Nikadin, Varosh, Rakaj, Gaçkë, Greme, Doganaj, Jezerc, Neredime, Manastirc, Balaj, Zaskok, Pleshinë, Gurëz, Komogllavë, Fshati i Vjetër, Bibaj, Sojevë, Talinoc i Muhaxherëve, Sazli, Softaj, Pojatë dhe Papaz.

Ndërsa më 3 gusht, ekipet do të intervenojnë në fshatrat: Talinoc i Jerlive, Muhoc, Prelez i Jerlive, Prelez i Muhaxherëve, Surqinë, Cërnillë, Mirash, Rahovicë, Mirosalë, Tërrn, Bablak, Zllatar, Dardani, Slivovë, Koshare, Lloshkobare, Dremjak dhe Kosinë.

Komuna ka bërë të ditur se në rast të reshjeve të shiut apo erërave të forta, dezinsektimi do të shtyhet për ditën e parë me kushte të favorshme atmosferike dhe do të vazhdojë sipas planit të paraparë. /Telegrafi/