FBI-ja largoi nga puna agjentët - ishin solidarizuar me protestën kundër racizmit në vitin 2020

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA ka pushuar nga puna një grup agjentësh të saj që në vitin 2020, gjatë protestave për drejtësi racore në Uashington pas vrasjes së George Floydit, kishin rënë në gjunjë si shenjë përpjekje për të qetësuar tensionet me protestuesit.
Siç raporton Reuters, janë pushuar nga puna mes 15 dhe 22 agjentë.
Fotografitë dhe pamjet e këtij gjesti u bënë virale në atëkohë, ndërsa komentuesit e djathtë i kritikuan, duke pretenduar se bëhej fjalë për mbështetje ndaj lëvizjes “Black Lives Matter”.
Megjithatë, burimet e reutersit bëjnë të ditur se agjentët e kishin bërë këtë veprim vetëm për të de-përshkallëzuar protestën.
- YouTube www.youtube.com
Shoqata e Agjentëve të FBI-së e ka dënuar pushimin nga puna si të paligjshëm për më shumë se një duzinë agjentësh specialë.
Ky veprim vjen pas emërimit të Kash Patel-it, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan, Donald Trumpit, si drejtor i FBI-së në muajin shkurt.
Sipas një padie të paraqitur së fundmi nga disa ish-zyrtarë të lartë të FBI-së kundër administratës Trump, Patel thuhet se kishte marrë urdhër të largonte të gjithë punonjësit që kishin marrë pjesë në hetimet penale kundër liderit aktual amerikan.
Ish-drejtori në detyrë i FBI-së, Brian Driscoll, së bashku me dy zyrtarë të tjerë të lartë, pretendojnë se janë pushuar si pjesë e një “fushate hakmarrjeje” që kishte në shënjestër ata që nuk ishin mjaftueshëm besnikë. /Telegrafi/







































