LAJMI I FUNDIT:

Favershami – vendi i barotit dhe i maçokut Jack

Favershami – vendi i barotit dhe i maçokut Jack

Ali Pashë Tepelena, Luani i Janinës, u kishte premtuar aleatëve britanikë se do të luftonte kundër Napoleonit dhe carit rus. Në të njëjtën kohë, u kishte premtuar rusëve dhe Napoleonit se do të luftonte kundër britanikëve dhe otomanëve. Në një masë, të gjitha fuqitë kishin nevojë për ndihmën e Ali Pashës, i cili e luante një lojë diplomatike, në mënyrë të shkëlqyeshme. Askush në realitet nuk e dinte se aleat apo armik i kujt ishte Ali Pasha.

Por, në vitin 1809 gjërat dolën sheshi. Ali Pasha një ditë shkoi, me suitën e tij, në portin e Prevezës për ta pritur një anije të rëndësishme. Anija e madhe që po e priste pashai legjendar, erdhi nga Malta dhe ishte angleze. Ishte e mbushur plot me barot dhe topa që, mbreti britanik, së bashku me një letër personale, po ia dërgonte aleatit të tij, Ali Pashë Tepelenës. Gjërat për një kohë ndryshuan dhe u mor vesh se Ali Pasha ishte mik i britanikëve.


Luani i Janinës e kishte porositur barotin më të mirë që prodhon Britania. Ky barot është prodhuar në Faversham, në një qytet pothuaj bregdetar, që gjendet në Kent të Anglisë. Faversham për një kohë të gjatë ka qenë ndër qytetet më të rëndësishme britanike. Baroti i Favershamit i duhej perandorisë për topa e për pushka se lufta nuk ndalej asnjëherë. Prandaj, ky prodhim ka qenë ndër mallrat më të rëndësishme industriale. Tri fotografitë e para më poshtë tregojnë se si duken sot disa nga shumë lokacione ku është prodhuar baroti në këtë qytet.

Faversham sot e ruan me krenari këtë histori. Qyteti e ka ruajtur edhe lashtësinë e vet të ndërtimit. Disa nga shtëpitë janë aty që nga shekulli XV. Është kënaqësi kur sheh objekte të këtilla që me vjetërsi e hijeshojnë vendin. Është vend turistik dhe më nuk i vjen erë baroti. Njerëzit e këtij qyteti janë shumë të sjellshëm dhe të vyeshëm.

Por, personaliteti kryesor i Favershamit është maçoku Jack. Ai është atraksion në vete dhe del para dyqanit ku jeton me pronarin dhe përpiqet me turistët. Sot nuk ishte moti i mirë dhe për këtë arsye rrinte në dritare. Por, edhe nga dritarja i shihej krenaria dhe kureshtja. /Telegrafi/