LAJMI I FUNDIT:

Fausti është femër!

Fausti është femër!
Fausti: Kjo grua e mallkuar (foto nga: Lyric Hammersmith)

Në një version të ri të mitit të pavdekshëm, Fausti vendoset në Londrën e shekullit VII, ku në qendër është një grua që shet shpirtin e saj. Pjesë të shkrimit të dramaturgut dhe regjisorit Chris Bush, Telegrafi sjell më poshtë.

Një burrë (është pothuajse gjithmonë një burrë), për ta arritur madhështinë e bën një marrëveshje dhe e paguan një çmim të tmerrshëm për të. Miti i Faustit na mëson të jemi të kujdesshëm ndaj asaj që dëshirojmë, se asgjë nuk vjen falas. Fausti është i mërzitur nga kufijtë e vdekshmërisë së tij (dhe njerëzores së tij), kështu që kërkon ndihmë të mbinatyrshme. Kur djalli vjen të kërkojë hisen e tij, Fausti e kupton se ka shkuar shumë larg. Lutet për falje, por është vonë – tashmë e ka bërë gati shtratin ku duhet të shtrihet.


Rrëfimi mbijeton, sepse lakmia dhe ambicia mbijetojnë dhe kurrë nuk jemi pa figurat bashkëkohore që besojnë se mund të mposhtin sistemin ose se disa rregulla nuk duhen zbatuar tek ta. Fausti modern mund të jetë një miliarder i teknologjisë, një mjek që e luan Zotin, ose një Boris Johnson që ia shet shpirtin një figure mefistofelike si Dominic Cummings. Në shumë versione, Fausti merr ndëshkim.

Sidoqoftë, është një element i rrëfimit që shpesh nuk më kënaq. “Doktor Fausti” nga Christopher Marlowe ka momente gjeniale, por bie kah mesi, kryesisht meqë Fausti nuk bën ndonjë gjë me fuqitë e tij. Atij i jepen dhuntitë e pakufishme dhe ai i shpenzon ato duke bërë shaka apo rrengje. Mendoj se kjo ndodhë pjesërisht pasi ky Faust kurrë nuk kishte nevojë të vërtetë për djallin. Ai veçse ishte mjek i suksesshëm. Ndaj, historia e një njeriu që ka gjithçka dhe që dëshiron edhe më shumë del të mos jetë interesante, ndaj mendoj se i mungon një detaj.

Në shfaqjen time të re, Fausti im është një grua e re në Londrën e shekullit XVII – vajza e një mjeku që shëron murtajën dhe një nëne që merrej me bimë shëruese e që është akuzuar dhe vrarë si shtrigë kur Fausti ishte e vogël. Ajo është rritur me mosbesim ndaj fesë së organizuar, ka magjepsje me okultizmin dhe jeton në margjinat e shoqërisë. Ajo nuk ka pasuri dhe ka pak aftësi. Në kohën kur takohet me Luciferin, i di rreziqet, por e shikon ofertën e tij si opsionin më pak të keq për të. Dhe, thotë:

Atëherë pse mund të jetë më i keq ky fat
Sesa të jesh e lidhur me një burrë të zakonshëm?
Oh, sikur t’i dini jetët që bëjmë ne gratë
Do ta kuptoni se Djalli është një shans.

Fausti e shet shpirtin për të kontrolluar fatin e saj dhe për të qenë e sigurt se nuk do të përjetojë atë që i ndodhi nënës së saj (ose cilësdo grua tjetër). Marrëveshja që bën është e ngjashme, por rruga e saj drejt mallkimit udhëhiqet nga një mori rrethanash tjera. Gjinia (dhe klasa shoqërore) e Faustit nuk ndikon veç në motivimet e saj; gjithashtu ndikon në mënyrën se si trajtohet dhe se çfarë mund të bëjë me dhuntitë që i janë dhënë. Kështu, shfaqja bëhet një studim se si i trajtojmë gratë që ndjekin madhështinë dhe se si tiparet që duken të admirueshme për burrat këtu mund të garantojnë mallkimin. Doja të krijoja një ëndërr të ethshme, ambicioze, gotike, baroke, për një vepër të mirënjohur klasike dhe që ta përmbysi për të thënë diçka të vërtetë në lidhje me përvojën bashkëkohore të femrës.

Versioni i Bushit i “Perikliut” i shfaqur në Teatrin Kombëtar britanik më 2018

Rreth pesë vjet më parë, vendosa që për një kohë të ndalem së shkruari për protagonistët meshkuj. Ky nuk ishte rregull i vështirë dhe i shpejtë (dhe e theva vitin e kaluar kur e bëra “Perikliun” për Teatrin Kombëtar, megjithëse hulumtuam se si mund të dukej një Perikli femër), por diçka që synoj t’i përmbahem pak më gjatë. Ky nuk ishte një gjest i madh politik, por një gjë e vogël që mund të bëj për të korrigjuar çekuilibrin gjinor që ekziston në të gjitha skenat tona.

Kanoni perëndimor mbizotërohet nga rolet kryesore të meshkujve dhe industria jonë është e mbushur me gra të mahnitshme që përulen kur luajnë gjithmonë gruan ose nënën e dikujt. Shmangia nga kjo e bën punën time më interesante, veçanërisht kur i rimendojmë historitë ekzistuese. Futja e një gruaje në një rrëfim tradicionalisht mashkullor i ndërlikon gjërat. Krijon më shumë tehe dhe pengesa; nxjerr në pah mënyrën në të cilën gratë vazhdojnë të veprojnë në një botë të krijuar nga burrat dhe për burrat, ndaj prania e tyre mund të na çojë në një drejtim të çuditshëm dhe emocional.

Kështu, miti i Faustit mbijeton sepse është universal. Dhe, nuk mendoj se diçka ndryshon me këtë qasje të re. Është e njëjta histori e ambicies, zemërimit dhe jashtëzakonshmes së fshehtë; e asaj që jemi të përgatitur të sakrifikojmë për të arritur madhështinë; e mendimeve tunduese se pavarësisht nga të gjitha dëshmitë, ne në fund mund të mposhtim djallin. Asnjë nga këto nuk humbet duke e pasur një femër Faust, megjithëse shpresojmë se sjell në fokus mënyrën me të cilën gratë ende ndëshkohen për ambiciet e tyre (por jo dhe burrat).

Fausti im nuk është aspak i shenjt. Si në çdo version tjetër, është akoma po aq mendjemadh, kokëfortë dhe moralisht i komprometuar. Ai thjesht ndodh të jetë grua, dhe kjo do të thotë se narracioni i saj zhvillohet në mënyrë tjetër. Ne duhet t’i mbushim skenat tona me gra po aq të çrregullta, të komplikuara dhe konfliktuoze sa cilido kontrapunkt mashkullor, dhe shpresoj se do t’ia dalin me këtë. /Telegrafi/