Raif Qela, Njomza Emini e Bali Muharremaj ishin lënë jashtë garës ose më poshtë disa prej emrave më të njohur brenda listës së partisë së tyre. Që të tre e kanë pasur numrin e njëjtë në listën për kandidatë me atë të partisë së tyre.

Praktika e zgjedhjeve të kaluara ka futur brenda Kuvendit të Kosovës kandidatë të cilët e kanë pasur numrin e njëjtë në listë me atë të partisë në fletëvotim.
Të premten partitë politike e koalicionet kuptuan numrat e tyre që do të vendosen në listat e fletëvotimeve.

Lëvizjes Vetëvendosje i ra përsëri numri 35, i njëjtë me atë të zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2014.

Koalicioni LDK-AKR do t’i hyjë garës me numrin 16 ndërsa koalicioni tjetër, PDK-AAK-Nisma me numrin 12. Kandidatët certifikohen dhe renditen në listë para se subjekti politik ta kuptojë numrin garues në zgjedhje.

Në zgjedhjet e kaluara nuk kishte pasur koalicione parazgjedhore të partive të mëdha. Partitë kishin vendosur t’i hyjnë garës të vetme.

Në 2014, LDK i kishte hyrë garës me numër 54, PDK me 58, Nisma me 59, AAK me 44 dhe Vetëvendosje me numër 35.

Votuesit shpesh herë kanë vendosur që në listën e kandidatëve për deputetë ta votojnë edhe kandidatin me numër të njëjtë të partisë.

Në vitin 2014, Partia Demokratike e Kosovës ishte në koalicion me disa parti të vogla, përfshi këtu edhe me Lëvizjen për Bashkim. E njëri prej deputetëve më të votuar të listës së PDK-së me koalicione ishte Raif Qela që vinte nga radhët e Lëvizjes për Bashkim. Ai kishte marrë plot 15 mijë e 24 vota. Ai kishte qenë më i votuar se Adem Grabovci, Xhavit Haliti, Ramiz Kelmendi, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj, Azem Syla etj, që vinin nga PDK-ja.

Madje kryetari i Lëvizjes për Bashkim në 2014, Avni Klinaku, e që ishte i vendosur i 7 në listën e PDK-së në 2014, kishte arritur t’i marrë vetëm 6 mijë e 894 vota, apo dy herë më pak se sa anëtari i partisë së tij. Si pasojë e kësaj, Klinaku nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme të hyjë në Kuvend.

E njëjta kishte ndodhur edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e 2014, LDK-ja i kishte hyrë garës me numrin 54. Në atë kohë, e 54-ta në listë renditej deputetja e legjislaturës së kaluar, Njomza Emini e cila kishte marrë 9 mijë e 679 vota.

Ajo kishte arritur të marrë më shumë vota se sa Besa Gaxherri, që kishte mbi 3 mandate që ishte deputete e Kuvendit të Kosovës. Emini e kishte tejkaluar me vota edhe kryetaren e forumit të gruas në LDK, Lirije Kajtazin, pastaj deputetët si Teuta Sahatqija, Adem Salihaj, Muhamet Mustafa, Naser Osmani, Fatmir Rexhepi etj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 2014, fitoi 11 ulëse, ani pse më vonë iu mbetën vetëm 8, pasi që tre deputetë u patën larguar nga grupi parlamentarë i AAK-së.

Në AAK numrin e njëjtë rendor në listë me numrin e partisë, e kishte deputeti Bali Muharremaj. Ai në zgjedhjet e 2014 kishte marrë 6 mijë e 135 vota. Kishte qenë i pesti më i votuar i listës së AAK-së. Ai kishte pasur vota më shumë se sa Rrustem Berisha, Lahi Brahimaj e Blerim Shala. Jashtë Kuvendit kishin mbetur dy nënkryetarët e AAK-së, Adrian Gjini e Ahmet Isufi. Në Kuvend nuk kishte mund të hyjë as ish kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci që kishte garuar në listën e AAK-së në 2014.

Fatin e Raif Qelës, Njomza Eminit e Bali Muharremajt nuk e patën edhe kolegët e tyre nga Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit kishte numrin 35. Me këtë numër në listën e kandidatëve ishte ish-anëtari i Vetëvendosjes, tani anëtar i partisë së Kadri Veselit, Arben Gecaj i cili nuk është kandiduar fare në listën për deputetë në këto zgjedhje. Gecaj në zgjedhjet e kaluara nuk kishte arritur të hyjë në parlamentin e Kosovës. Ai kishte marrë vetëm 4 mijë e 909 vota. I fundit që kishte hyrë në Kuvend nga Vetëvendosje, kishte qenë ish deputeti Salih Salihu që kishte pasur 7 mijë e 787 vota.

Si Gecajt, njëjtë i kishte ndodhur edhe kandidatit të Nismës për Kosovën që e kishte pasur numrin e njëjtë në listë me atë të partisë, Naim Bogujevcit. Ai e kishte pasur numrin 59 në listën për deputet aq sa e kishte pasur numrin Nisma për Kosovën. Ai kishte mbledhur vetëm 1 mijë e 341 vota. Deputetët e fundit që janë hyrë në Nismën për Kosovë, kanë qenë Zafir Berisha me 4 mijë e 608 vota dhe Valdete Bajrami me 3 mijë e 751 vota.

Në këto zgjedhje numër 12 në listën e kandidatëve për deputetë nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, e që është me numrin e njëjtë të fletëvotimit e ka kandidatja nga AAK-ja, Teuta Haxhiu. Ajo ka qenë deputetë edhe në mandatin e kaluar ku kishte marrë 4 mijë e 2 vota.

Koalicioni tjetër, LDK-AKR do t’i hyjë garës me numrin 16. Kandidati për deputetët me këtë numër është Driton Selmanaj. Ai kishte aderuar së fundmi në LDK, ndërsa më parë e ka udhëheq organizatën “Demokracia Plus” si dhe analist në emisionin “Click” në RTV21.

Ndërsa në Lëvizjen Vetëvendosje numër të njëjtë me atë të partisë ka kandidati Ali Lajçi, edhe ky i sapo anëtarësuar në Vetëvendosje. Lajçi kishte qenë kandidat për deputet edhe në 2014 nga radhët e AAK-së, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend. Ai si pjesë e AAK-së kishte marrë vetëm 1 mijë e 970 vota. AAK-ja e kishte vendosur të 10 në listë Lajçin.