LAJMI I FUNDIT:

Fara e susamit mund të jetë një kurë parandaluese për sëmundjen e Parkinsonit

Fara e susamit mund të jetë një kurë parandaluese për sëmundjen e Parkinsonit
(Foto: Eat This. Not That)

Rreth një milion njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe 10 milionë njerëz në të gjithë botën, vuajnë nga Parkinsoni. Ky është çrregullimi i dytë më i zakonshëm neurodegjenerues pas sëmundjes së Alzheimerit.

Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim progresiv i trurit, që prek neuronet që prodhojnë dopaminë.

Simptomat e sëmundjes së Parkinsonit zhvillohen gradualisht. Ato shpesh fillojnë me një dridhje të lehtë në njërën dorë dhe një ndjenjë ngurtësie në trup.

Deri më sot, nuk ka ndonjë kurë që shëron sëmundjen e Parkinsonit, megjithatë trajtimet me ilaçe mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.

Tek shumica e njerëzve, simptomat shfaqen në moshën 60 vjeç e sipër. Sidoqoftë në 5-10 % të rasteve ato shfaqen edhe më herët.

Një nga shkaqet e zhvillimit të kësaj sëmundjeje është edhe dëmtimi ose stresi oksidativ.

Kjo bëri që studiuesit, të hetonin nëse sesaminoli, një antioksidant i fuqishëm që gjendet me bollëk në lëvozhgat e farave të susamit, mund të parandalojë shkatërrimin e qelizave nervore.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju njeh me eksperimentet që studiuesit kryen dhe rezultatin që ata morën.

Eksperimentet që dhanë rezultat

Studiuesit përdorën një kimikat toksik të quajtur 6-hidroksidopaminë, për të modeluar dëmin oksidativ që shkaktohet nga sëmundja e Parkinsonit.

Kur ata aplikuan kimikatin në qelizat nervore njerëzore të krijuara në laborator, vunë re se përqendrimi i radikaleve të lira u rrit dhe qelizat filluan të shkatërrohen.

Shtimi i sesaminolit, uli ndjeshëm përqendrimin e radikaleve të lira dhe parandaloi shkatërrimin e qelizave nga dëmtimi oksidativ.

Në eksperimentin tjetër, studiuesit kryen dozimin e minjve me neurotoksin rotenon.

Kjo toksinë zvogëloi prodhimin e dopaminës në trurin e kafshëve duke dëmtuar aftësitë e tyre motorike, simptoma klasike e Parkinsonit te njerëzit.

Te minjtë që u ushqyen me sesaminol për 36 ditë, u vu re rritje e niveleve të dopaminës dhe performancë më e mirë në një test të aftësive motorike sesa minjtë që nuk morën sesaminol.

Për më tepër, minjtë që u ushqyen me sesaminol kishin nivele më të ulëta të alfa-synukleinës. Alpha-synuclein është një proteinë që kur grumbullohet, formon struktura më të mëdha të quajtura trupa Leëy, të cilat janë një tipar karakteristik i neurodegjenerimit te Parkinsoni.

Tri mënyra natyrale për të parandaluar sëmundjen e Parkinsonit
Lexo po ashtu Tri mënyra natyrale për të parandaluar sëmundjen e Parkinsonit

A mund të jetë ky një trajtim parandalues?

Në punimin e tyre, shkencëtarët konkluduan se efekti mbrojtës u vu re me konsumimin e një sasie të vogël të sesaminolit.

Këto rezultate tregojnë se sesaminoli është i përshtatshëm për t’u përdorur si një trajtim parandalues i sëmundjes së Parkinsonit.

Në përgjithësi, vlen të merret parasysh se rezultatet e studimeve në kulturat qelizore dhe modelet e kafshëve, nuk pasqyrojnë gjithmonë atë që ndodh në trupin e njeriut. Prandaj nevojitet një kërkim më i detajuar për të mbështetur këtë studim.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Shëndetësi
Kalo në kategori