Ish-fituesi i Kupës së Botës me Italinë, Fabio Cannavaro, është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares së Uzbekistanit, në prag të pjesëmarrjes së parë historike të këtij vendi në finalet e Kupës së Botës 2026.

Cannavaro, 52 vjeç, do të zëvendësojë Timur Kapadze, i cili e udhëhoqi skuadrën drejt kualifikimit pas largimit të Srecko Katanec për arsye shëndetësore. Nën drejtimin e Kapadzes, Uzbekistani siguroi vendin në turneun e zgjeruar me 48 ekipe duke humbur vetëm një ndeshje në 15 takime, dhe duke përfunduar i dyti në Grupin A me 21 pikë nga 10 ndeshje.


Ish-qendërmbrojtësi italian, që fitoi Kupën e Botës 2006 me Italinë dhe numëron 136 paraqitje ndërkombëtare, ka një përvojë të gjerë si trajner. Ai ka drejtuar më parë Dinamo Zagreb, Udinese, Benevento, Al Nassr, si dhe klubet kineze Tianjin Quanjian dhe Guangzhou Evergrande. Cannavaro gjithashtu ka qenë për një periudhë të shkurtër trajner i kombëtares së Kinës.


Në stafin e tij do ta shoqërojnë Eugenio Albarella (ndihmës trajner), Francesco Troise (trajner fitnesi) dhe Antonio Chimenti (trajner portierësh).

Uzbekistani, i cili do të debutojë në një Kampionat Botëror për herë të parë, shpreson që përvoja dhe karizma e ish-kapitenit legjendar të Italisë ta udhëheqin drejt një paraqitjeje dinjitoze në turneun që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë vitin e ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app