LAJMI I FUNDIT:

Evropës i duhet një strategji globale

Evropës i duhet një strategji globale

Zgjedhja e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara mund të ketë nxitur fundin e “Shekullit Amerikan” dhe të rendit ndërkombëtar të pasluftës të udhëhequr nga SHBA-ja. E vërtetë. Qendra politike dhe ekonomike e gravitetit të botës kishte lëvizur drejt Azisë Lindore shumë kohë para vitit 2016 dhe ideja e Kinës që po ngrihej në fuqinë globale në “Shekullin e Paqësorit” të ardhshëm nuk është aspak e re. Por veprimet e Trump, së bashku me ato të homologut të tij kinez, Xi Jinping, kanë sjellë rivalitetin gjithnjë e më të mprehtë të superfuqisë në skenën qendrore. Për fat të keq, Evropa nuk ka prodhuar ende një përgjigje koherente.

Mosmarrëveshja tregtare SHBA-Kinë ka potencial për të shkaktuar një recesion global. Por, edhe ky konflikt është vetëm një pjesë e një lufte shumë më të madhe pushteti, duke përfshirë edhe sektorin e teknologjisë, për të përcaktuar nëse Kina ose Amerika luan rolin kryesor global.


Qëkur Kina filloi rrugën e saj të modernizimit nën Deng Xiaopingun në fund të viteve 1970, politika e saj nuk ishte të sfidonte rendin ekzistues gjeopolitik dhe strategjik dhe të shmangte një konfrontim me SHBA-në me çdo kusht. Por, fjalimi i Xi-së në Partinë Komuniste të Kinës në Kongresin e 19-të Kombëtar në tetor të vitit 2017 dhe sisa nisma aktuale kineze që synojnë të sfidojnë dominimin e Shteteve të Bashkuara, tregojnë se Kina nuk do të fshehë më forcën dhe do të presë kohën e saj, siç urdhëroi Deng.

Qëndrimi i ri i Kinës është i dukshëm në fortifikimin ushtarak të vendit dhe ishujve të vegjël në Detin e Kinës Jugore, si dhe në strategjinë “Prodhuar në Kinë 2025”, e cila synon ta bëjë vendin liderin botëror në industritë kryesore të së ardhmes brenda nje dekadë. Dhe me “Nismën një rrip, një rrugë” (BRI), Kina dëshiron të përdorë investimet në infrastrukturën e tregtisë dhe transportit për të vendosur dominimin e saj gjeopolitik dhe komercial në Euroazi, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Të gjendur përball kësaj sfidë gjithnjë e më të dukshme, Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë ndryshuar strategjinë e tyre dhe kanë ndërmarrë një qëndrim më konfrontues ndaj Kinës. Edhe pse Trump po e udhëheq këtë ndryshim, zemërimi, frika dhe zhgënjimi amerikan rreth Kinës shtrihet shumë larg Shtëpisë së Bardhë dhe Partisë Republikane dhe thellë në radhët e Partisë Demokratike.

Si fillim, SHBA po ndjek një vijë më të ashpër në lidhje me tregtinë. Në të kaluarën, tregu amerikan ishte përgjithësisht i hapur për eksportet kineze – pa një qasje të tillë, rritja e shpejtë ekonomike e Kinës nuk do të kishte qenë kurrë e mundur. Por administrata Trump dëshiron t’i japë fund kësaj hapjeje dhe të kthejë tregtinë dypalëshe të vendeve nga një mjet në një armë. SHBA-ja gjithashtu po ashpërson qëndrimin e saj ndaj BRI dhe ka kritikuar vendimin e fundit të Italisë për të përqafuar këtë nismë.

Teknologjia është një tjetër shqetësim i madh amerikan. Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë të angazhuar në një garë të hidhur në fushën e inteligjencës artificiale dhe vazhdojnë të përplasen për firmën kineze të telekomunikacioneve Huawei, një nga kompanitë kryesore globale të vendit.

Drejtoresha e lartë ekzekutive e Huawei Meng Wanzhou, e bija e themeluesit të kompanisë, aktualisht po pret ekstradimin në SHBA pasi u arrestua në Kanada dhjetorin e kaluar për shkak se kishte shkelur rregullat e embargos në SHBA-së lidhur me Iranin. Në të njëjtën kohë, administrata Trump po i bën presione të mëdha aleatëve të saj evropianë që të përjashtojnë Huawei-n nga tregjet e tyre të telekomunikacioneve për shkak të shqetësimeve të spiunazhit (edhe pse SHBA ende nuk ka bërë publike prova për këtë).

Ardhja e këtij rendi të ri global të shekullit të XX nuk është gjë e mirë për Evropën, siç tregojnë këto luftime fillestare në fushën e tregtisë dhe teknologjisë. Por, si zakonisht, kur gjendet përballë një sfide të madhe globale, Evropa është kryesisht e shqetësuar për problemet e brendshme, përfshirë Brexit-in.

Por, evropianët s’mund të qëndrojnë të ftohtë në lidhje me këtë. Evropa do të jetë një nga viktimat e para nëse mosmarrëveshja aktuale midis Kinës dhe SHBA-së do të kthehet në një konflikt të plotë tregtar. Nëse kjo ndodh, të dy superfuqitë do të kërkojnë që Evropa të mbajë anë – pikërisht lloji i zgjedhjes që ajo nuk dëshiron të bëjë, sepse SHBA-ja dhe Kina janë dy tregjet kryesore të saj të eksportit. Ngjashëm, Evropa ka shumë gjasa të përballet me një hakmarrje nga ana e Kinës, nëse vendosi të largojë Huawei-n nga tregjet e saj kombëtare.

Evropa duhet të krijojë pikëpamjen e vet strategjike për rendin e ri global. Dhe ajo do të duhet të vendosë mjaftueshëm peshë në peshoret gjeopolitike për të vazhduar tregtinë si me Shtetet e Bashkuara ashtu edhe me Kinën sipas kushteve të saj.

Kjo do të kërkojë që Evropa të zhvillojë një politikë industriale të bazuar në interesat dhe vlerat evropiane.

Përveç kësaj, liderët e Evropës duhet të pranojnë se Kina po ndërton me shpejtësi një sistem politik alternativ në të cilin një parti e vetme kontrollon në mënyrë digjitale masat. Cilado qoftë pikëpamja e Trumpit, kjo nuk do të ndodhë në SHBA.

Ekuilibri gjeopolitik global po ndryshon shpejt dhe Evropa duhet të përshtatet. Në vend që të shohin para, liderët evropianë kanë nevojë për një strategji të besueshme ndaj dy superfuqive – dhe ndaj Kinës në veçanti. /Project Syndicate/BIRN/