LAJMI I FUNDIT:

Eurozonë, sektori i shërbimeve në nivel të ulët

Eurozonë, sektori i shërbimeve në nivel të ulët

Rritja e aktivitetit të biznesit në Eurozonë ka prekur nivelin më të dobët që prej fillimit të vitit të kaluar, të dhënat i referohen muajit Gusht, dhe tregojnë se ekonomia e rajonit është në vështirësi serioze.

Eurozona po humbet ndjeshëm vrullin dhe gjërat duket se nuk janë të lidhura me Brexit ashtu siç arsyetohej fillimisht. Kjo pasi Britania po shkëlqen. Indeksi PMI për rajonin, që është një ndër matësit më efikas të aktivitetit ekonomik, fiksohet pranë 52.9 pikëve gjatë Gushtit, nga 53.2 pikë që ishte në muajin Korrik.


Projeksionet ndërkohë flisnin për një lexim pranë 53.3 pikëve. Të dhënat tregojnë se ekonomia e Eurozonës do të rritet me një hap prej 0.3% edhe në tremujorin e tretë të vitit.

Banka Qendrore Europiane pritet të vendosë ditën e Enjte, por këto të dhëna nuk e ndikojnë aspak vendimarrjen. Me shumë gjasa, institucioni me bazë në Frankfurt do të mbajë të pandryshuara politikat monetare.

Banka mbetet ende shumë larg objektivit të çmimeve, për një normë pranë dhe më poshtë se 2%. Gjatë Gushtit norma e inflacionit fiksohej pranë 0.2%. Sektori i shërbimeve, më i madhi i rajonit, shënoi një rënie të ndjeshëm gjatë Gushtit, pranë nivelit më të ulët të 17 muajve të fundit. /Telegrafi/