LAJMI I FUNDIT:

Eurozona me fond për tejkalimin e krizës

Eurozona me fond për tejkalimin e krizës

Krijimi i një fondi të Eurozonës për të mbrojtur rajonin nga tronditjet financiare do të diskutohet ndërkohë që Ministrat e Financave të Bashkimit Europian, dhe bankierët qendrorë do të takohen këtë javë.

19 vendeve të Eurozonës u mungojnë tashmë dy karakteristika që një union monetar që funksionon mirë duhet të ketë, tregojnë zyrtarët përpara takimit në Bratislavë. E para është një funksion sigurues që mund të zhvendosë para’ nga vendet në prosperitet te ato që janë në vështirësi.


E dyta është një funksion i stabilizimit që mund të amortizojë tronditjet e jashtme ndaj Eurozonës. Një “kapacitet fiskal”, në zhargonin e Bashkimit Europian, do t’i ofronte të dyja.

“Ekzistenca e një kapaciteti fiskal do të ulte presionet e bankës qendrore që të angazhohet në politika monetare të pazakonta”, tregon presidenca sllovake në një letër që do të diskutohet gjatë takimit.

Ideja e një kapaciteti të tillë është sjell në biseda që prej krizës së borxhit sovran në 2012-ën, dhe është pjesë e planeve për integrim të mëtejshëm ekonomik të Eurozonës në periudhën afat-mesën.

Ndër përfitimet e tjera, kjo mund të përmirësojë përputhshmërinë e rregullave fiskale të BE, për shkak se paraja do të ishte në dispozicion vetëm ndaj vendeve që i zbatojnë këto rregulla dhe që nuk zhvillojnë disbalanca makroekonomike.

Aksesi drejt fondit do të lidhej edhe me zbatimin e reformave strukturore të rekomanduar çdo vit drejt vendeve nga KE. Fondi do të parandalonte gjithashtu panikun e tregjeve dhe infektimin nga një vend në tjetrin në periudha krize.

Fondi mund të marrë formën e një Skeme Europiane të Sigurimit për Papunësinë, duke plotësuar edhe planet kombëtare për papunësinë. Nën këtë skemë, vendet që akumulojnë suficitin në periudha të rritjes ekonomike, mund të shpenzojnë para për të mbuluar deficitet e vendeve në recesion. /Telegrafi/