LAJMI I FUNDIT:

A është lufta tregtare e Trumpit me Kinën një konflikt civilizimi?

A është lufta tregtare e Trumpit me Kinën një konflikt civilizimi?

Minxin Pei

Në fund të muajit të kaluar në një forum sigurie në Uashington, Kiron Skinner, Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin Amerikan të Shtetit, e përshkroi konfliktin e sotëm amerikano-kinez si “një luftë me një qytetërim shumë ndryshe dhe një ideologji të ndryshme dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë pasur ndonjëherë më parë këtë”. Si një masë paraprake, kjo përpjekje e dukshme për të përcaktuar konfrontimin e administratës Trump me Kinën nuk pati sukses.

Duke e përkufizuar luftën e ftohtë midis SHBA-së dhe Kinës si një përplasje qytetërimesh, Skinner – posti i të cilit dikur mbahej nga njerëz si George Kennan, Paul Nitze, Richard N. Haass dhe Anne-Marie Slaughter – nuk po tregohej as origjinal dhe as i saktë. Shkencëtari politik Samuel P. Huntington e zhvilloi konceptin më shumë se një çerek shekulli më parë dhe vetë Partia Komuniste e Kinës është një njësi e falimentuar ideologjikisht.

Më keq akoma, vërejtjet e plota të Skinnerit u përcollën me tone racore. Ndryshe nga konkurrenca e Amerikës me Bashkimin Sovjetik, të cilën ajo e përshkroi si “një luftë brenda familjes perëndimore”, rivaliteti me Kinën, mesa duket, përfaqëson “herën e parë që ne do të kemi një konkurrent të fuqishëm që nuk është kaukazian”. Pa llogaritur që SHBA-ja luftoi me Japoninë në Luftën e Dytë Botërore.

Të gjithë shpresojnë që deklarata e Skinnerit për një përplasje mes qytetërimeve kaukaziane dhe jo-kaukaziane të ketë qenë thjesht një rrëshqitje gjuhe. Ata që do t’i besonin qëllimisht ide të tilla duhet të dinë se ata mund të çojnë jo vetëm në mposhtjen ekonomike apo ushtarake të njërës palë, por në shkatërrimin e një shoqërie të tërë. Mënyra se si politikëbërësit e kategorizojnë konfliktin SHBA-Kinë do të ketë implikime të gjera dhe SHBA-ja duhet të demonstrojë se politikat e saj janë të motivuara nga një qëllim moral i lartë, nëse dëshiron të fitojë mbështetje më të gjerë ndërkombëtare.

Shumica e komentatorëve e shohin konfliktin SHBA-Kinë si një luftë midis një fuqie në pushtet dhe sfiduesit më të saj të besueshëm. Të dy vendet duket se po bien në të ashtuquajturin “Kurthi i Thukidit”, një profeci vetëpërmbushëse në të cilën frika e një hegjemoni se mos zëvendësohej e shtyn atë të veprojë në mënyrë të tillë që të precipitojë një luftë për dominim global.

Dhe, megjithatë, edhe nëse konflikti i ditëve të sotme po nxitet nga një dëshirë për pushtet, SHBA-ja nuk duhet ta ketë vëmendjen vetëm te kjo gjë. Duke pasur parasysh kërcënimin e kolapsit të civilizimit të paraqitur nga ndryshimet klimatike, përqendrimi i administratës Trump vetëm tek interesat e Shteteve të Bashkuara pjesës tjetër të botës i duket egoist dhe i papërgjegjshëm.

Fakti është se pjesa më e madhe e botës – duke përfshirë një pjesë të konsiderueshme të amerikanëve – nuk ka interes të përfshihet në një tjetër luftë të ftohtë vetëm për të ruajtur hegjemoninë amerikane. Nëse qeveria amerikane dëshiron të fitojë mbështetjen ndërkombëtare për të kundërshtuar pushtetin dhe ndikimin kinez, ajo duhet të bëjë diçka më bindëse.

Kjo nuk duhet të jetë aq e vështirë, pasi rritja e Kinës nën një diktaturë njëpartiake kërcënon jo vetëm hegjemoninë amerikane, por edhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në vend që ta formësojë konfliktin si një luftë racore, atëherë, SHBA-ja duhet të përqendrohet në kërcënimin kinez ndaj institucioneve globale, që është gjithashtu një kërcënim për rritjen dhe stabilitetin e shumë vendeve të tjera.

Pavarësisht të metave të tij, rendi ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ofron përfitime shumë më të mira për vendet e tjera sesa çdo sistem alternativ që mund të përfytyrohet. Në fakt, gjatë Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, SHBA-ja gëzonte përkrahje të gjerë ndërkombëtare pikërisht për shkak se ajo po përpiqej të mbronte pikërisht atë rend. Dhe që nga përfundimi i atij konflikti, shumica e botës e ka mirëpritur apo pranuar hegjemoninë amerikane, në kuptimin e heshtur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin kuadrin liberal.

Për fat të keq, kjo gjë nuk ekziston më. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka mbrojtur në mënyrë të pandërprerë një agjendë politike të jashtme “Amerika e para”, duke larguar aleatët tradicionalë dhe duke alarmuar pjesën tjetër të botës për hir të objektivave të ngushta politike. Nuk është ekzagjerim të thuhet se politikat e gabuara të Trump përbëjnë po aq sa edhe Kina një kërcënim të madh për rendin liberal.

Administrata e Trump mund të vazhdojë të besojë se pushteti i SHBA-së më vete është i mjaftueshëm për të mundur Kinën. Por dalja më vete do të jetë e kushtueshme dhe shanset për sukses do të ishin shumë më të larta nëse SHBA-ja do të mbështetej tek miqtë dhe aleatët e saj.

Dështimi më i fundit për të arritur një marrëveshje tregtare tregon se lufta e ftohtë SHBA-Kinë po përshkallëzohet në fazën tjetër. Herët ose vonë, administrata Trump do të kuptojë se në të vërtetë ajo ka nevojë për mbështetjen e aleatëve të saj për të mbizotëruar ndaj kinezëve. Kur të vijë ajo ditë, do të ishte mirë që ajo të hiqte dorë nga fjalimet për një konfliktet civilizimi dhe rivalitet racor dhe, në vend të kësaj, të ofrojë një çështje moralisht më të justifikueshme për t’u përballur me Kinën. Shtetet e Bashkuara janë mbrojtësi tradicional i rendit liberal. Ato duhet të fillojnë të veprojnë tashmë si një i tillë. /Project Syndicate/BIRN/

Në trend

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Magazina
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Kalo në kategori