LAJMI I FUNDIT:

Është çmenduri, sulm i padrejtë: Bashkimi i legjendarëve, për Ukrainën

Është çmenduri, sulm i padrejtë: Bashkimi i legjendarëve, për Ukrainën

Nga: Alexis Petridis / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Para ca javësh, kitaristi dhe këngëtari i grupit Pink Floydit, David Gilmour, pyetet nga dikush nëse e ka parë postimin e Andriy Khlyvnyukut – të liderit të rok-grupit ukrainas BoomBox – në rrjetin e tij në Instagram. Në vitin 2005, Gilmour kishte interpretuar me grupin BoomBox – në një koncert humanitar që u mbajt në Londër, dedikuar Teatrit të Lirë Bjellorus (trupë teatrore që përmes artit sfidon sistemin autoritar të Bjellorusisë – v.j.). Interpretuan shkurtimisht e me qejf këngët e repertorit të grupit Pink Floyd dhe disa këngë të projekteve solo të Gilmourit – por, që atëherë, ngjarjet u zhvilluan në mënyrë dramatike: në fund të këtij shkurti, Khlyvnyuk e braktisi turneun e BoomBox-it në ShBA, për të luftuar kundër pushtimit rus.

Përmes Instagramit të tij, Gilmouri e gjeti videon e këngëtarit të dërrmuar në rroba ushtarake, me një pushkë të varur mbi supe jashtë Katedrales së Shën Sofisë në Kiev, duke e kënduar zëshëm dhe i vetëm një version të këngës “Oh, kulpra e kuqe në fushë” – këngë proteste e vitit 1914, e shkruar për t’i nderuar Pushkatarët e Siçit që luftuan si në Luftën e Parë Botërore ashtu edhe në luftën e Pavarësisë së Ukrainës (kundër bolshevikëve – v.j.). “Thash më vete: është goxha magjike dhe ndoshta mund të bëj diçka me këtë”, thotë Gilmour. “E kam një platformë të madhe komunikimi në të cilën Pink Floyd ka punuar gjatë gjithë këtyre vjetëve. Është vërtet e rëndë dhe zhgënjyese kur e sheh këtë sulm mëse të çmendur e të padrejtë – nga një fuqi e madhe kundër një kombi të pavarur, paqësor dhe demokratik. Është disi i padurueshëm zhgënjimi kur e sheh këtë dhe kur ballafaqohesh me dilemën se ‘çka dreqin mund të bëj’”?


Rezultati është kënga “Hej, hej, çohu!”, singli i ri nga grupi Pink Floyd – me copëza të përpunuara nga performanca e Khlyvnyukut – që do të lansohet në platforma në mesnatën e së premtes, ndërsa të ardhurat do të shkojnë për ndihmat humanitare për ukrainasit.

Shumica e analistëve menduan se Pink Floyd ka kohë që ka marrë fund. Muzikën e re dhe origjinale, për herë të fundit e publikuan 28 vjet më parë, ndonëse në vitin 2014 – Gilmouri me bateristi Nick Mason – u mblodhën për t’i përmbledhur realizimet e mbetura nga albumi i vitit 1994, “The Division Bell”, në albumin kryesisht instrumental, “The Endless River” – si tribut për tastieristin e ndjerë të grupit, Rick Wright. Gilmour atë kohë këmbëngulte se kjo ishte finalja e grupit që lindi më 1965 dhe që i shiti mbi 250 milionë kopje albumesh. Pink Floyd nuk mund të bënte më turne pa Wrightin, i cili vdiq nga kanceri në vitin 2008, ndaj nuk do të kishte as muzikë të re: “Është për keqardhje”, ka thënë ai për BBC, “por ky është fundi”.

Pushtimi i Ukrainës ia ndryshoi mendjen e Gilmourit. “E urrej kur njerëzit i thonë gjërat e tilla si ‘unë, si prind …’, por je pjesë e kësaj kur ke familje të zgjeruar ukrainase. Nipërit e mi janë gjysmë ukrainas; nusja ime Janina është ukrainase – tri javë më parë gjyshja e saj ishte në Kharkiv. Është shumë e vjetër, me aftësi të kufizuara, në një karrige me rrota dhe me një kujdestare, por Janina dhe familja e saj ia dolën ta bartnin nëpër Ukrainë për në kufirin polak, e javën e kaluar që ta çojnë në Suedi”.

Pasi i “gjeta akordet e asaj që Andriy këndonte dhe pasi e shkrova një pjesë tjetër të asaj që mund të isha unë” – Gilmour i ngre sytë lartë – perëndia i kitarës së muzikës rok, shpejtë e shpejtë e planifikoi një seancë incizimi – me Masonin, me basistin e grupit Pink Floyd, Guy Pratt, dhe me muzikantin, producentin e kompozitorin Nitin Sawhney në tastierë – duke e shtrirë muzikën dhe zërin e Khlyvnyukut. Vajza e Rick Wrightit, Gala, gjithashtu ka marrë pjesë në këtë realizim. E xhiruan po ashtu një video, me Masonin duke luajtur në një set të baterive të zbukuruara me pikturën e artistes ukrainase Maria Primachenko (fati i pikturave të saj mbetet i panjohur, pas bombardimit të një muzeu në Ivankiv).

“I telefonova Nickut dhe i thashë: ‘Dëgjo, dua ta bëj këtë gjë për Ukrainën. Do të isha shumë i lumtur nëse interpreton aty dhe gjithashtu do të isha shumë i lumtur nëse pranon ta publikojmë si Pink Floyd”.  Ai ishte absolutisht i gatshëm për këtë.

“Është Pink Floyd nëse jemi unë dhe Nicku aty, dhe ky është mjeti i fuqishëm për promovimin; është, siç thashë, ajo platforma për të cilën kam punuar gjatë gjithë jetës sime të rritur, që kur isha 21 vjeç. Nuk do ta bëja këtë me shumë gjëra të tjera, por kjo është jetike – jetike që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po ndodh atje dhe të bëjnë gjithçka në fuqinë tonë për ta ndryshuar këtë situatë. Gjithashtu, ishte ideja se mbështetja ime dhe e grupit Pink Floyd, për ukrainasit, mund të ndihmojë në rritjen e moralit në këtë aspekt: duhet ta dinë se e gjithë bota po i mbështet ata”.

“Kur fola me Andriyn, më tregonte për gjërat që i kishte parë, dhe i thashë: ‘E di sepse kjo ka qenë në BBC, këtu në Angli, dhe në televizionet në mbarë botën? Të gjithë po i shohin këto gjëra të tmerrshme që po ndodhin’. Ai tha: ‘Oh vërtet? Nuk e dija’. Nuk besoj se shumica e njerëzve atje kanë komunikim të duhur si ne dhe nuk e kuptojnë tamam se gjërat që po i kalojnë po shfaqen kudo në botë”.

Gilmour thotë se iu desh ca kohë për ta gjurmuar Khlyvnyukun, duke e kërkuar nëpër Instagram dhe duke i provuar ca numra telefoni. Më në fund ia gjeti një adresë emaili. “Donte të fliste në FaceTime – them se donte të ishte i sigurt nëse vërtetë jam unë. Herën tjetër kur e pashë ishte i shtrirë në spital, i plagosur nga një mortajë. Ma tregoi një copë mortaje që i ishte futur në faqe. E ruante në një qese plastike. Por, mund ta imagjinoni se – kur ndodhin këto gjëra – po aq lehtë mund kishte qenë një copë, një centimetër më lartë, që do t’ia hiqte kokën”.

Përpara bashkimit të papritur të grupit, veprat e grupit Pink Floyd, të realizuara pas vitit 1987 – dhe të veprave solo të themeluesit të ndjerë, Syd Barrett – u hoqën nga shërbimet e transmetimit në Rusi dhe në Bjellorusi, si pjesë e një bojkoti kulturor. Nuk u hoqën veprat e tyre më të famshme të viteve 1960-’70, duke shkaktuar thashethemet se këto lëvizje për bllokim ishin të nxitura nga ish-anëtari i grupit Pink Floyd, Roger Waters, marrëdhëniet e të cilit me ish-shokët e grupit dihet se janë të tensionuara. Një javë përpara se Rusia ta pushtonte Ukrainën, Waters i tha një intervistuesi në “Russia Today” se llafet për një pushtim rus ishin “marrëzi … kushdo me një IQ mbi temperaturën e dhomës, e di se pushtimi i tillë është absurd”; ai e ka dënuar më pas pushtimin duke e quajtur “akt të një gangsteri”, ndërsa e ka dënuar edhe “propagandën për ta demonizuar Rusinë”. Kjo është tema ku Gilmour nuk dëshiron të përfshihet. “Le të them se isha i zhgënjyer dhe të vazhdojmë tutje. Lexoni çfarë të doni”.

Gilmour me Khlyvnyukun për herë të fundit foli këtë të marte. “Tha se e kishte kaluar ditën më të keqe që mund të imagjinohet, duke shkuar për t’i marrë trupat e ukrainasve, të fëmijëve ukrainas, e duke ndihmuar pastrimin e terrenit. E dini, problemet tona të vogla bëhen kaq patetike dhe aq të vogla në kontekstin e asaj që ai bën atje”.

Megjithatë, Gilmour ia dërgoi këngën dhe ai ishte “i kënaqur dhe më i lehtësuar, sepse i pëlqente. Mund t’ju them çfarë më tha”, lëviz me kokë duke e kërkuar telefonin celular për ta lexuar mesazhin e Khlyvnyukut. “Faleminderit, është e mrekullueshme. Një ditë do ta interpretojmë së bashku dhe do të kemi forcë më të madhe pastaj, me mua”. Buzëqesh. “I thash, ‘po, hajde ta bëjmë’”. /Telegrafi/