LAJMI I FUNDIT:

Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja

Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja
Foto: Arkiv

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

Ai e ka ritheksuar se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në lokacione alternative, Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, që protestuesit të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të mbahen përgjegjës para autoriteteve.

Të gjitha lajmet nga Veriu i Kosovës
Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Veriu i Kosovës

Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

“Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kërkojë lirimin e policëve të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi. Ndonëse tha se hetimet ende po vazhdojnë për këtë çështje, ai shtoi edhe sikur ata të kenë kaluar kufirin, kjo padyshim është bërë pa qëllim.

“Ne nuk po bëjmë një deklaratë të plotë derisa të kemi të gjitha faktet, megjithëse për momentin ka dy skenarë të mundshëm. Njëra është se ose janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose kanë kaluar pa dashje kufirin dhe janë gjetur brenda territorit serb. Në të dyja rastet, është shumë e qartë se këta policë nuk kanë pasur qëllim të hyjnë në Serbi dhe ata duhet të lirohen”, tha zoti Escobar gjatë konferencës telefonike me gazetarë.

Vendosja e kryetarëve të rinj shqiptar në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ka nxitur reagime të ashpra të serbëve lokalë.

Në këto komuna që nga data 26 maj ka pasur zhvillime të njëpasnjëshme, serbët protestuan dhunshëm për disa ditë, ku tentuan të hyjnë më forcë në objektet e komunave.

Grupe kriminale serbe sulmuan ushtarë të KFOR-it, policë dhe ekipe të mediave. Zhvillimet e fundit në veri kanë nxitur reagime të ashpra nga ndërkombëtarët të cilët edhe kërkuan nga Qeveria e Kosovës të ulin tensionet.

Së fundmi, në veri u kidnapuan edhe tre policë të Kosovës nga forcat serbe./Telegrafi/