Norvegjia ka regjistruar një fitore historike në tokën italiane, duke triumfuar me rezultat të thellë 4-1 në Romë dhe duke siguruar kualifikimin direkt në Kupën e Botës 2026.

Erling Haaland ishte heroi absolut i ndeshjes, me dy gola vendimtarë që kompletuar përmbysjen norvegjeze ndaj skuadrës së Gattusos. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e Norvegjisë ndaj Italisë, duke e çuar Italinë në play-off.


Italia e filloi ndeshjen më mirë dhe kaloi në epërsi në minutën e 11-të. Federico Dimarco dha një pasim të shkëlqyer në zonë, ndërsa Francesco Pio Esposito goditi me këmbë të parë dhe shënoi për 1-0.

Azzurrët vazhduan të kërcënojnë, ku Esposito në minutën e 37-të gjuajti me kokë por pranë portës.

Norvegjia reagoi fuqishëm në minutën e 63-të, kur Antonio Nusa dribloi dy mbrojtës italianë dhe goditi fort nga distanca për 1-1, një gol spektakolar që i dha tjetër ritëm ndeshjes.

Në minutën e 78-të, Norvegjia e përmbysi rezultatin falë Erling Haaland. Ylli i Manchester City-t u gjend në pozicion ideal në zonë pas një asistimi të Oscar Bobb dhe me një goditje të parë e çoi topin në trekëndësh për 2-1.

Vetëm dy minuta më vonë, Haaland shënoi sërish – këtë herë pas një aksioni të shpejtë dhe një pasimi të gjatë që e nxori të vetëm me portierin. Sulmuesi nuk gaboi dhe e dërgoi Norvegjinë në epërsi 3-1.

Në kohën shtesë, Jorgen Strand Larsen bën një depërtim të shkëlqyer dhe godet nga brenda zonës, duke e mposhtur Donnarumman për 4-1..

Norvegjezët përballuan pa probleme minutat e fundit, pavarësisht disa tentimeve dëshpëruese të italianëve. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app