LAJMI I FUNDIT:

Ericsson do të finalizojë largimin nga Rusia

Ericsson do të finalizojë largimin nga Rusia

Prodhuesi suedez i pajisjeve të telekomit “Ericsson” do të finalizojë daljen e tij nga Rusia dhe do të shkurtojë stafin këtë vit, duke sinjalizuar probleme të mëtejshme për mirëmbajtjen e mbulimit të rrjetit rus, raportoi të hënën e përditshmja e biznesit Kommersant.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, selia e Ericsson në Stokholm kishte informuar njësinë e saj ruse javën e kaluar se do të mbyllet dhe punonjësit do të pushohen nga puna deri në fund të vitit 2022, raportoi Kommersant, duke cituar burime të paidentifikuara të industrisë së telekomit.


Ericsson punëson 565 njerëz në Rusi, sipas të dhënave të korporatës.

Kompania u zotua për mbështetje financiare dhe sociale për stafin që po largohet dhe tha se do të përfundojë ndërprerjen në muajt e ardhshëm “pasi përmbush detyrimet e saj ndaj klientëve”.

Të paktën dy operatorë kryesorë rusë celularë, MTS dhe Tele2, kishin kontrata të mëdha me Ericsson para fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Pjesa e Ericsson në tregun rus të pajisjeve të telekomit vlerësohet në rreth 20%. /Telegrafi/