Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan sot ka deklaruar se shteti i tij nuk do të përkrah pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Ministri suedez i Punëve të Jashtme, sot theksoi se përfaqësuesit e lartë të Helsinkit dhe Stokholmit do të udhëtojnë të shpejti në Turqi, me qëllim që përfaqësuesit e këtyre shteteve të bisedojnë për marrëveshjet eventuale për anëtarësimin e tyre në NATO, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, Erdogan ka bërë të ditur se nuk kanë nevojë që diplomatët e këtyre shteteve të shkojnë në Turqi, me qëllim që autoritetet e këtij vendi të tentojnë t’i bindin që t’i përkrahin përpjekjet e tyre që jenë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike.

“Para se gjithash, ne nuk do t’ju thoshim “po” atyre që i kanë vënë sanksione Turqisë”, shtoi Erdogan.

Kujtojmë që këto dy shtete skandinave kanë konfirmuar se do të kërkojnë anëtarësimin në NATO – duke i dhënë fund neutralitetit ushtarak shumëvjeçar, e gjithçka po bëhet pas pushtimit rus në Ukrainë.

Ndërkaq zyrtarët turq qysh javën e kaluar kanë bërë të ditur se anëtarësimin e tyre në NATO nuk e mbështesin, duke akuzuar Suedinë e Finlandën se po fshehin militantët kurdë që Ankaraja i konsideron terroristë – duke i akuzuar gjithashtu se po refuzojnë t’i ekstradojnë tek autoritetet turke të drejtësisë.

“Shtetet që mbështesin terrorizmin nuk do të duhej të ishin pjesë e NATO-s”, tha Mevlut Cavusoglu, ministri i Jashtëm turk. /Telegrafi/