LAJMI I FUNDIT:

Era e keqe e politikës

Era e keqe e politikës

Një fjalë e re, që nga Kosova do të hyjë në fjalorin e shprehjeve politike, si instrument i politikës, ditëve të fundit filloi të pluskojë në sipërfaqen e “Viberit” dhe krejt skenës politike kosovare. Jo se politika kosovare edhe më herët nuk binte erë të keqe, por kësaj radhe theksi po bie pikërisht aty. Ka tendencë për të krijuar gërdi publike, sa herë të përmendet një emër. Duket se kur fjalët dhe akuzat politike ndaj liderit shpirtëror të “Vetëvendosjes” e humbën fuqinë para votës qytetare, portalet dhe kujdestarët në profile proqeveritare dhe presidenciale, filluan të gjuhen me jashtëqitje. Je apo nuk je me m… pyesin ata? Kërkojnë diferencim mbi këtë bazë politike, ideologjike dhe estetike!

A është Albini politikani më i votuar në zgjedhjet nacionale, njeri i parimeve, vizionar, apo është, siç tha, përmes një komunikimi fatkeq nëpërmes “viber”, deputetja e vetëvendosjes, bashkëluftëtarja e deridjeshme e tij, Aida? Aida, në fakt, e tha fjalën dhe e tërhoqi, e së fundmi u tërhoq edhe vet nga të gjitha përgjegjësitë në partinë më të madhe në vend, por era e keqe e fjalës së saj mbeti ende nëpër portalet presidenciale dhe qeveritare. Sidomos në rrjetet sociale ku kundërshtarët e Albinit mendojnë se më në fund e gjetën pikën e tij të dobët.


“Ai është m…”, tha Aida, dhe e tërhoqi, por portalet nuk tërhiqen. Ato nuk e gëlltitën dot. Viktimë mbeti vetëm deputetja, e cila pastaj sikur të ishte koha e fletërrufeve, u postua në faqet e turpit, ku njerëzit rripen të gjallë, me porosi. Viktimizimi i saj e arriti kulmin, kur eksponentët më të njohur të taborit anti-VV, nga portalet dhe partitë, filluan ta mbrojnë Aidën. Ajo mbeti krejtësisht e hutuar nga pesha dhe rëndësia e m…. në politikën vendore.

A ishte mungesë takti, edukate, apo vërtetë ishte mllefi i mbledhur ndaj liderit të saj ajo që shpërtheu nga thellësitë e ndërgjegjes së turbulluar nga lotsjellësi, vezët e prishura dhe konfuzioni ideologjik të mbledhura në personin e saj, apo ishte thjeshtë një ambicie e fshehur e cila doli në sipërfaqe krejtësisht papritur dhe në mënyrë fatkeqe për të? A është ajo “Kali i Trojës” në lëvizjen ku ajo duket se ka kontribuar shumë, ndoshta po aq sa vetë lideri i saj dhe një rreth i ngushtë afër tyre?

Sido që të ketë menduar ajo, kjo nuk duket se luajti rol për mediat që prodhojnë dhe menaxhojnë kriza për nevoja të oligarkisë, sepse ata e kapin fjalën që u përshtatet, në hava. Ende është e paqartë se si e kapën aq shpejt dhe si u familjarizuan duke e përmendur, vend e pa vend, para dhe pas buke, si terapi politike termin më të ri politik në Kosovë, i cili nominalisht e ka kuptimin e jashtëqitjes, por në fakt është metaforë, prandaj mund të thuhet se këto media e kapën në hava… metaforën me aromë të keqe.

Pra, kush është Albini?! Pozita e deritashme e etiketonte dhe vazhdon ta bëjë këtë, me lloj-lloj emrash, jo vetëm për ta sharë para ndërkombëtarëve, por sidomos për ta lidhur emrin e tij me “refleks të Pavllovit”, ndërkohë që pasuesit e tij e fetishizojnë atë deri në adhurim. Të parët mendojnë se tash sa herë të përmendet emri i Albinit, me refleks të fituar nga kjo fushatë, presidenti dhe të tjerët anti-Albinist do të kujtohen se duhet të shkojnë në tualet dhe se mund të bëhen kaps politikisht, nëse nuk e bëjnë.

“Mbiemri” i ri për Albinin tregon ndjenjën e thellë të inferioritetit dhe dëshpërimit që i ka kapluar ata të cilët, të mundur, kanë mbetur në konfuzion të thellë politik, ideor dhe identitar, dhe pa ditur si të sillen filluan të shajnë.

Sot të gjitha të (pa)bëmat, pra varësisht prej këndëvështrimit, mund t’i gjejë gjithkush, me një kërkim të zakonshëm në Google, ku për disa sekonda do të dalin mbi 400 mijë rezultate për të. Publiciteti dhe popullariteti i madh dhe pëlqimi publik si duket i ka kompleksuar kundërshtarët e tij, edhe pse ky asnjëherë nuk ishte në qeverisje, për të filluar dhe përfunduar lajmet me të, si ndodhë zakonisht me liderët institucionalë të vendit, të cilët janë edhe prodhuesit kryesorë të lajmeve, pas të cilëve gazetarët vrapojnë sikur mizat pas… po e dini. Thjesht, portalet pro e dinë lajmin përpara se të postohet në profilet e zyrtarëve në Facebook.

Dilema e sotme, sipas linçuesve me porosi në media dhe rrjete sociale, nuk është a është Albini parimor, i mençur, i sakrificës… etj. Dilema që sot e shtrojnë mediat dhe snajperistët në rrjetet sociale duket se është: A është ai m… dhe ne të tjerët jemi me apo kundër m…? Kjo shtrohet si dilemë akademike, politike, dhe estetike, ndërkohë që kur kemi parasysh kush i shtron ato, mbetet vetëm dilemë etike.

Gjithsesi, nën presionin gjithëpërfshirës, na duhet të deklarohemi të gjithë, përpara se ai të lirohet nga paraburgimi, apo derisa të dënohet, sepse krejt kjo mund të jetë veç hyrje, një përgatitje për të u distancuar qytetarët nga m…! Ai po gjykohet për lotsjellësin e hedhur në Parlament, ndërkohë që me të nuk janë në bankën e të akuzuarve edhe m… e tjerë!

Në fakt. dy liderët e tjerë të cilët bashkë me të hidhnin gaz lotsjellës dhe kundërshtonin aociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin, sot janë në (bashkë)qeverisje me ata kundër të cilëve hidhej gazi lotsjellës, përkatësisht njëri nga ata e udhëheq qeverinë, ndërkohë që tjetri është zëvendësi tij. Duket paradoksale akuza e prokurorit, pikërisht tash kur Albini gjykohet për lotsjellësin e hedhur në Kuvend, ndërkohë që Haradinaj udhëheq qeverinë, edhe pse gazin e kishin hedhur bashkë. Albini ndodhet në burg pasi i kishte fituar zgjedhjet, ndërkaq Haradinaj pas zgjedhjeve komunale mori edhe lidershipin e vërtetë të ashtuquajturës vijë të luftës duke e margjinalizuar kështu partinë e cila dikur sundonte Kosovën.

Albini si duket po bëhet më i fortë sa herë e fusin në burg. Deputetja Aida, varësisht prej pozicionimit të saj në raport me Lëvizjen e cila e krijoi atë, po aq sa edhe ajo e krijoi lëvizjen me bashkëmendimtarët e saj, do të shihet se a e kishte sharë liderin e saj nga mllefi, nga pakujdesia, apo me porosi si e përgojojnë bashkëpartiakët e saj, militantët dhe gardianët e partisë, adhurues të “mesias” së ri të cilin kundërshtarët e frikësuar po përpiqen ta bëjnë me aromë të keqe, të bindur se qytetarët e këtij vendi janë politikisht të gërditshëm.

Kujt po i vjen era e keqe? Albinit, i cili me që ra fjala, nuk mori fare pjesë në këtë “lojë”, apo politikës që po ikë?