LAJMI I FUNDIT:

Epilogu i shpërthimit të frikshëm në Ferizaj: Mbi 40 të lënduar, disa me gjendje të rëndë pritet të trajtohen jashtë vendit

Epilogu i shpërthimit të frikshëm në Ferizaj: Mbi 40 të lënduar, disa me gjendje të rëndë pritet të trajtohen jashtë vendit

Një shpërthim i frikshëm ka ndodhur të martën pasdite në një qendër tregtare në qytetin e Ferizajt, si pasojë e të cilit 42 persona kanë pësuar lëndime.

Shpërthimi, i cili dyshohet të jetë i një bombole gazi në një lokal brenda qendrës tregtare, la shumë dëme prapa vetes, mbi të gjitha në njerëz, pasi shtatë nga të lënduarit janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, disa prej të cilëve është paralajmëruar se mund të dërgohen për trajtim jashtë vendit.


Menjëherë pas ndodhjes së shpërthimit, lajmin për këtë ngjarje e ka konfirmuar për Telegrafin, Major Qazim Reka nga Policia e Kosovës.

“Numri i të lënduarve nga shpërthimi i bombolës së gazit ka arritur në 42, në mesin e tyre janë edhe dy të mitur”, ka thënë Reka.

Megjithëse Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga Prokuroria në Ferizaj, ata gjatë tërë kohës nuk janë lajmëruar në telefon dhe as nuk kanë dalë me një komunikatë lidhur me këtë rast që ka mundur të jetë me pasoja tragjike.

Sipas drejtorit të Kirurgjisë Plastike në QKUK, Zejn Buja djegiet të cilat kanë pësuar pacientët të cilët nga Spitali Rajonal i Ferizajt u dërguan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë nga 30 e deri në 50 për qind të sipërfaqes së trupit.

“Si rezultat i kësaj tragjedie 12 pacientë kanë ardhur në Qendër Emergjente të cilët kanë qenë të lënduar me djegie. Shtatë prej tyre kanë djegie të mëdha, gjegjësisht të rënda. Sipërfaqja e tyre sillet prej 30 deri në 50 për qind. Edhe këta 7 pacientë janë të vendosur në mjekimin intensiv qendror. Te një pjesë e tyre janë bërë intervenimet fillestare kirurgjike. Edhe në të ardhmen këta pacientë do të kenë nevojë për trajtim kirurgjik. Gjendja e tyre është mesatarisht e rëndë. I Gjithë stafi është mobilizuar. Kisha shfrytëzuar rastin që të kërkojë nga qeveritarët që të kemi një qendër të djegies ashtu siç e kanë të gjitha vendet e rajonit”, tha ai.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, zjarrëfikësit, qytetarët që ishin afër, punëtorët teknik nga komunat tjera, ishin ata të cilët me intervenimin e shpejt parandaluar që kjo tragjedi të shpërndahej edhe më shumë.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, vizitoi të lënduarit dhe po ashtu bëri të ditur se janë duke punuar për të lehtësuar procedurat, në mënyrë që ata që janë në gjendje më të rëndë të dërgohen për shërim në Republikën e Turqisë.

Sipas dëshmitarëve që ishin në vendin e ngjarjes dhe atyre brenda lokalit, fillimisht kur kishin dëgjuar shpërthimin, ata kishin menduar se bëhet fjalë për tërmet.

Njëri nga të lënduarit, duke folur për një televizion lokal, ka thënë se në fillim kanë menduar se ishte tërmet, kur e kanë dëgjuar shpërthimin.

Ai, identiteti i të cilit nuk dihet, tha se janë përpjekur që tu ndihmojnë personave të lënduar që të dalin nga lokali, ku edhe ata vet ishin mysafirë.

Aliu: Disa nga të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj, do të dërgohen për shërim në Turqi
Lexo po ashtu Aliu: Disa nga të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj, do të dërgohen për shërim në Turqi

“E kemi ni një eksplodim, kemi menduar që është ndonjë tërmet, apo diçka e tillë. Fillimisht kur e kemi dëgjuar shpërthimin kemi menduar ashtu, pastaj është dashur t’i nxjerrim njerëzit jashtë, tu ndihmojmë”, tha ai për Tv Festina.

Krejt këtë ngjarje e ka parë Xhemajl Idrizi, qytetar nga Vitia, i cili në kohën kur ka ndodhur shpërthimi ka qenë pranë lokaleve.

“Ishim në një restorant duke pirë kafe dhe po dilnim në drejtim të makinës diku 15 metra afër ngjarjes kemi dëgjuar një shpërthim shumë të fortë dhe menjëherë xhamat e shitoreve u thyen. Ne kemi parë në një shitore dy vajza të reja dhe një grua, ishin shumë të shqetësuara e të trishtuara, unë isha me mbesat e mija dhe ofruam ndihmën edhe psikologjike edhe nga mundësia t’i evakuojmë sepse unë mendoja mund të ketë shpërthim të dytë e ajo është më rrezik, i larguam nga shitorja, njëra ka qenë e lënduar në kokë ka pasur edhe gjakderdhje, atë mbesa dhe nipi e kanë dërguar në Urgjencë në Ferizaj, kurse vajzën e dytë 10 minuta jemi munduar ta qetësojmë”, tha ai.

Idrizi, i cili jeton në Gjermani dhe ka ardhur për pushime në Kosovë, tregon se te gjithë njerëzit që kanë qenë në lokalet përreth kanë dalë jashtë ndërtesave.

“Kanë dale gjithkah njerëzit sepse ka qenë shpërthim i fortë dhe menjëherë ka reaguar policia”, tregon ai.

Nga kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur sot në Ferizaj, lokali në të cilin ndodhi shpërthimi ka pësuar dëme të mëdha materiale, e edhe lokalet e tjera përreth janë dëmtuar.

Ekipet e Spitalit Rajonal të Ferizajt dhe Emergjenca në QKUK patën gjatë gjithë kohës një bashkëpunim të madh, falë të cilit u shpëtuan edhe jetët e të lënduarve.

Osmani: Tragjedia në Ferizaj na mësoi se shëndetësia ka nevojë për investime afatgjate, nuk mund të mbijetojë me improvizime
Lexo po ashtu Osmani: Tragjedia në Ferizaj na mësoi se shëndetësia ka nevojë për investime afatgjate, nuk mund të mbijetojë me improvizime

Kështu u tha gjatë konferencës për medie, të cilën e mbajti ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se kjo tragjedi që ka ndodhur sot është mësim se në shëndetësi investimet duhet të jenë afatgjata.

Ajo theksoi se prioritet në të ardhmen duhet të jetë një qendër për djegie, të cilën e kanë të gjitha spitalet e Evropës, kërkesë kjo edhe e mjekëve të QKUK-së.

Shefi i shërbimit të emergjencës në Ferizaj, Sefedin Fazliu që ishte mjek kujdestar sot kur ndodhi ngjarja e rëndë e shpërthimit të një bombole gazi, tha për KosovaPress se nga 13 pacientë sa janë dërguar në QKUK, tetë prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Kurse, Emergjenca në QKUK gjatë ditës së sotme ka pranuar 15 pacientë nga rasti në Ferizaj, prej të cilëve tre janë në mjekim intensiv, në gjendje të rëndë.

Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani gjatë konferencës së përbashkët për medie me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj njoftoi se tre persona janë në kujdesin intensiv, ndërsa edhe 10 të tjerë janë duke u trajtuar nga kirurgët plastikë në Emergjencë.

Po ashtu, Lenjani tha se një vajzë e moshës 20-vjeçare është dërguar në Klinikën e Ortopedisë pasi ka pësuar edhe thyerje.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë konferencës për medie ka thënë se gjatë vizitës së tij ai ka parë për së afërmi se pacientët janë duke marrë trajtimin e duhur.

Zemaj viziton të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj, thotë se po marrin trajtimin e duhur në QKUK
Lexo po ashtu Zemaj viziton të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj, thotë se po marrin trajtimin e duhur në QKUK

“Fati i mirë është se të gjithë janë në jetë, janë duke e marrë trajtimin e duhur shëndetësor, me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që i ka Emergjenca në Prishtinë, por edhe profilet tjera të cilat janë angazhuar, në trajtimin e tyre. I vizituam edhe fizikisht, për së afërmi. Vlen të theksohet edhe koordinimi i mirë i QKUK dhe Spitalit Rajonal të Ferizajt tregon përkushtimin e profesionistëve tanë shëndetësor, dhe mbi të gjitha shpëton edhe jetë, si në këtë rast”, tha Zemaj.

Ministri Zemaj u uroi shërim të shpejt të lënduarve dhe porositi familjarët të kenë sa më pak shqetësim, pasi të lënduarit janë në duar të sigurta.

Reagime të shumta pati edhe nga liderët e tjerë të partive dhe krerët e institucioneve si kryeministri, Avdullah Hoti, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj etj. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Prishtina
Kalo në kategori