LAJMI I FUNDIT:

Epilepsia dhe shtatzënia

Epilepsia dhe shtatzënia

Shtatzënë dhe me epilepsi – kjo situatë mund të jetë shumë stresuese për ju!

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725


Ndonëse shumica e grave me epilepsi lindin fëmijë krejtësisht të shëndetshëm, prapëseprapë duhet të përcillet me shumë kujdes rrjedha e shtatzënisë.

Epilepsia si sëmundje nuk ka ndikim në faktin se e mund të mbeteni shtatzënë apo jo, ndonëse barnat që jepen për mjekimin e epilepsisë mund të shkaktojnë infertilitet.

Në ç‘mënyrë ndikon epilepsia në rrjedhën e shtatzënisë?

Sulmet epileptike gjatë shtatzënisë bëjnë që të:

∙ Ngadalësohen të rrahurat e zemrës së frytit
∙ Pakësohet oksigjenimi i frytit
∙ Nëse ndodh përplasja ose rrëzimi mund të dëmtohet fryti ose të shkaktohet shkolitja e placentës (abrupcioni i placentës)
∙ Lindja e parakohshme

Organizmi i grave të ndryshme pëson ndryshime jo të njëjta gjatë shtatzënisë, por sulmet epileptike do të jenë të njëjta, ndonëse mund të dallojnë për nga shpeshtësia (sidomos nëse shtatzëna nuk i merr barnat ose nëse ka probleme me gjumin).

Barnat që merren mund ta dëmtojnë frytin. Mund të shkaktohen defekte të lindjes si çarja e qiellzës, defektet e tubit neural, anomalitë e skeletit si dhe defektet e zemrës apo traktit urinar. Rreziku është aq më i madh sa më e madhe që është doza e barit ose nëse merren disa barna njëkohësisht.

Nëse nuk keni pasur sulme epileptike për 2 deri 4 vjet, atëherë mjeku mund t’ju sugjerojë që ta ndërpritni terapinë për të parë se a janë ndërprerë sulmet epileptike. Nëse nuk keni pasur sulm epileptik për 9 muaj para se të mbeteni shtatzënë, pak ka gjasa që të keni sulm epileptik gjatë shtatzënisë.

Megjithatë, shumicës së grave iu vazhdohet terapia, normalisht duke zgjedhur barin më të sigurt dhe dozën më të vogël në mënyrë që të minimizohen rreziqet për ju dhe për beben.

Bebet e lindura nga nënat me epilepsi, përveç efektit të barnave që mund të kenë, poashtu kanë rrezik pak më të shtuar që edhe ato të kenë sulme epileptike gjatë jetës.

Nëse jeni me epilepsi dhe planifikoni shtatzëni, patjetër paraprakisht duhet të konsultoheni me mjekun obstetër gjinekolog dhe me neurologun. Ata e vlerësojnë se si është duke u menaxhuar epilepsia dhe i shqyrtojnë ndryshimet eventuale të terapisë përpara se të ndodhë shtatzënia. Ndërkohë, vazhdoni ta merrni terapinë rregullisht dhe mos e ndryshoni dozën e barnave pa u konsultuar me mjekun. Duhet ta keni parasysh se më të rrezikshme janë sulmet epileptike se sa efekti i barnave te fryti.

Poashtu, është shumë me rëndësi që të jetoni shëndetshëm: hani shëndetshëm, merrni rregullisht vitaminat, flini mjaftueshëm dhe mos konsumoni alkool, duhan ose kafeinë.

Sa i përket acidit folik, duke marrë parasysh se barnat e epilepsisë ndikojnë në nivelin e acidit folik, atëherë mjeku do t’ju rekomandojë dozë më të madhe të kësaj vitamine dhe që të fillojë të merret së paku 3 muaj përpara shtatzënisë.

Gjatë shtatzënisë do të keni kontrolle më të shpeshta antenatale dhe analiza më të detajuara për ta monitoruar nivelin e barnave. Në muajin e fundit të shtatzënisë do t’ju rekomandohet vitamina K për ta parandaluar gjakderdhjen pas lindjes.

Nëse keni sulme epileptike, patjetër duhet ta informoni mjekun. Varësisht nga gjendja, mjeku mund ta rekomandojë ndryshimin e dozës së barit ose mund t’ju rekomandojë që të përcillet gjendja në spital.

Sa i përket lindjes, shumica e grave me epilepsi do të kenë lindje pa probleme. Zakonisht, sulmet epileptike nuk ndodhin gjatë procesit të lindjes. Nëse ndodhë sulmi gjatë lindjes mjekimi bëhet me barna intravenoze, por nëse gjendja përkeqësohet lindja mund të kryhet me prerje cezariane.

Pas lindjes ju mund ta ushqeni beben me qumësht gjiri edhepse jeni duke marrë barna kundër epilepsisë. /Telegrafi/