LAJMI I FUNDIT:

Epidemia e Coronavirusit rrit vlerën e dollarit amerikan në nivele rekorde

Epidemia e Coronavirusit rrit vlerën e dollarit amerikan në nivele rekorde

Dollari amerikan është bërë një investim i sigurt falë ekonomisë së fortë të Shteteve të Bashkuara, por vlera e tij është rritur pas shpërthimit të Coronavirusit.

Aktualisht, pas një emergjence botërore të shëndetit ndërmarrësit po investojnë më shumë në asete të sigurta, si dollarin dhe bonot e Thesarit të SHBA-së.


Sipas ekspertëve, ekzistojnë një sërë faktorësh që mbështesin rritjen e dollarit amerikan për momentin. Ato përfshijnë ndjenjën pozitive ndaj tregut të aksioneve amerikane dhe pritshmëritë se ndikimi i virusit do të jetë relativisht më i vogël në Shtetet e Bashkuara. Tregu gjithashtu po vlerëson edhe një fitore të presidentit Donald Trump në muajin nëntor, në një kohë kur akoma nuk ka ulje të normës së interesit nga Rezerva Federale, qoftë edhe në afat të afërt, përcjell Telegrafi.

Rritja e monedhës së gjelbër ndihmohet edhe nga dobësia e euros, rivalit të saj kryesor, pasi monedhat tregtojnë në çift – kur njëra rritet, tjetra dobësohet. Aq më tepër krahasuar me ekonominë amerikane në rritje, kur ajo evropiane është dobësuar dhe nuk po shfaq ndonjë ecuri pozitive.

Por ka një disavantazh edhe tek dollari i fortë. Kompanitë shumëkombëshe amerikane mund të ndiejnë rënie pasi fitimet në valutë të huaj mund të tkurren duke pasur parasysh forcën e dollarit. Sezoni i ardhshëm i fitimeve mund të mos jetë i kënaqshëm për një pjesë të korporatave amerikane.

Një sektor veçanërisht i rrënuar nga kjo dinamikë është teknologjia, përfshirë aksionet e gjigantëve si Apple, i cili edhe vitin e kaluar fajësoi forcën e dollarit për rënien e fitimeve të saj. Në të kundërtën, kjo dinamikë është një arsye pse kompanitë që gjenerojnë pjesën më të madhe të fitimeve të tyre në Shtetet e Bashkuara, pra në dollarë amerikanen, priren të performojnë më mirë kur dollari është në rritje.

Indeksi ICE i dollarit amerikan – një gjurmues popullor i monedhës që mat vlerën e tij kundrejt gjashtë monedhave të tjera – këtë vit është rritur më shumë se 2.5 për qind, duke u ngritur në nivelin e tij më të lartë që nga muaji tetor. Kjo është një performancë super e shpejtë, duke pasur parasysh se indeksi u rrit vetëm 0.2 për qind gjatë gjithë 2019-së.

Në të vërtetë, raporti i fortë i vendeve të punës, publikuar gjatë javës së kaluar dhe rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt, madje në përputhje me pritjet, ndihmuan ekonominë amerikane të fillonte fuqishëm vitin 2020. Kështu edhe për momentin, forca e dollarit mbetet e padiskutuar, pasi efekti i shpërthimit të virusit në ekonominë kineze dhe botërore nuk po vlerësohet akoma.