LAJMI I FUNDIT:

Entela Kasi, fituese e “Penës së Flakës”

Entela Kasi, fituese e “Penës së Flakës”

Në hapësirat e Bibliotekës “Fan S. Noli”, ishin dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës”, si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.

Për dallim nga herët e tjera, vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2018, kësaj here ishte paraparë të jenë vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre do të përcaktonin poezinë fituese, por pas votimit doli që dy poete kishin numër të njëjtë votash (Entela Kasi dhe Rakela Yzeiri), andaj sërish është dashtë përcaktimi të bëhet nga juria e grupit punues (Xhevat Latifi, Fatushe Haliti dhe Sabit Rrustemi), që kishte bërë edhe përzgjedhjen e të gjitha poezive për t’u lexuar në këtë orë letrare. Vota e tyre përcaktoi fituesen Entela Kasi.


Kur jemi te rezultatet e konkursit anonim letrar, juria në përbërje të Ramadan Musliut, Donikë Dabishevci tdhe Bardh Frangut, dha këto vlerësime: Në poezi shpërblimi i parë i jepet poezisë “Në sheshin e Shkupit”, Shifra “Gracka”; shpërblimi i dytë poezisë, “Buka, toka, njeriu”, shifra “Hija e shtetit”; shpërblimi i tretë poezisë, “Shtëpia e puthjeve, shifra “20-9”. Në prozë shpërblimi i parë i jepet tregimit “Figura shtatëmbëdhjetë”, shifra “Shahu i përgjakur”, shpërblimi i dytë, “Natë lutjesh”, shifra “Najazum”; shpërblimi i tretë, “Mjaltë e hidhur”, shifra “Unë dhe vetvetja”. /Telegrafi/