Influencerja Emilie Kiser ka folur hapur pesë muaj pas vdekjes tragjike të djalit të saj trevjeçar, Trigg.

Në rrjetet sociale, ajo ka ndarë me ndjekësit se si duket ky proces i vazhdueshëm i pikëllimit dhe mënyrën se si ajo po përpiqet të përballet me të.


Ajo ka treguar se ka mësuar teknika meditimi, ka fituar përvoja të reja nga seancat e këshillimit dhe ka kuptuar më thellë pesë fazat e zisë.

Foto: Instagram

“Gjatë meditimit mora një udhëzim që të përballem ballë për ballë me trishtimin tim. Pasi hyra në gjendje meditative, më udhëzuan të shkoj në një vend të lumtur, ku e imagjinova veten me Triggun. Duhej ta identifikoja trishtimin tim. Vendosa ta quaj: ‘I rëndë’. Nëpërmjet këtij përjetimi, kuptova se as trishtimi nuk dëshiron të jetë aty", ka thënë Kiser.

Më tej thekson se duhet të mësojë të bashkëjetojë me trishtimin, sepse, siç thotë vetë, ai do të jetë gjithmonë pjesë e jetës së saj.

“Ndihem sikur arrita të kuptoj që trishtimi nuk është armik, ndoshta është shoqërues. Ai është një kujtesë për njeriun tënd të dashur çdo ditë. Gjatë këshillimit mësova se është e zakonshme që prindërit që humbin një fëmijë të ndiejnë faj për shumë emocione që përjetojnë gjatë procesit të zisë", ka rrëfyer ajo.

Kiser ka sqaruar se psikologu i saj i ka thënë se ajo do të përballet gjithmonë me pesë fazat e zisë – mohim, zemërim, negocim, depresion dhe pranim.

Në një video, ka theksuar se ekzistojnë shumë keqkuptime dhe paragjykime lidhur me mënyrën se si ajo po e përjeton zinë.

Kiser u rikthye në rrjetet sociale më 28 gusht, me deklaratën e saj të parë pas tragjedisë, ku u tregoi ndjekësve se kishte kaluar ditë, javë dhe muaj duke u përpjekur të gjente fjalët e duhura, si dhe kishte marrë kohën e nevojshme për t’u përballur me humbjen e fëmijës së saj. /Telegrafi/