LAJMI I FUNDIT:

Elvana Shala – Ambasadorja humane që ngrit zërin e Kosovës kudo në botë!

Elvana Shala – Ambasadorja humane që ngrit zërin e Kosovës kudo në botë!

Nuk ka dilemë se Misioni i Ambasadores së Vullnetit të Mirë, po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës demokratike. Misionet e tilla çmohen e respektohen si diçka shumë njerëzore ku kontributi ka të bëjë kryesisht me çështje humanitare. Njëra nga ato, madje për herë të dytë është edhe Elvana Shala.

Kjo entuziaste dhe pasiononte e botës së barabartë dhe pa shkelje flagrante ka disa vite që i është bashkëngjitur zërit të arsyes krahas emrave me renome botërore.


Po çka do të thotë të jesh ambasadore e misionit që ka gjetur hapësirë në mbarë rruzullin tokësor, për këtë rrëfehet personazhi i kësaj interviste.

Znj. Shala, ju për herë të dytë jeni emëruar Ambasadore e Vullnetit të Mirë. Kjo dëshmon se keni qenë në krye të detyrës dhe vullneti juaj është çmuar madje, tashmë është edhe verifikuar. A mund të na shpjegoni, cili është kontributi juaj në këtë mision ndërkombëtar humanitar?

Elvana Shala: Po është e vërtetë, pas një pune intensive në mandatin e parë që nga viti 2014-2018, në janar të këtij viti jam ri-emëruar edhe për një mandat të dytë në mesin e pesë Ambasadoreve të vetme në botë që International Human Rights Commssion ka kaluar në mandatin e dytë, duke vlerësuar jashtëzakonisht shumë gjithë angazhimin tim në katër vitet e kaluara. Përgjatë mandatit të parë të këtij misioni, kam kontribuar shumë në përfaqësimin e Kosovës në konferenca dhe samite të ndryshme botërore që kryesisht kishin në fokus lidershipin rinor, diplomacinë publike, dhe humanitetin. Ndjehem e nderuar që nën këtë mision në bazë të kompetencave të dhëna, arrita të jem zëri i Kosovës në OKB në New York, Gjenevë, Dubai, Londër, Texas, Pragë, Turqi etj., dhe përveç kësaj, në Kosovë isha iniciatore e shumë aktiviteteve të ndryshme sociale dhe humanitare, për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë e sidomos në luftimin kundër diskriminimit të kategorive të margjinalizuara. Prandaj, jam shumë e lumtur që këtë rrugë do ta vazhdoj edhe katër vite të tjera në shërbim të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë saj.

Anëtarët e këtij misioni zgjidhen në një konkurrencë të fortë kur dihet se aty bëjnë pjesë figura të shquara me renome kombëtare e ndërkombëtare. Ju, sigurisht ndiheni e privilegjuar dhe krenare që mund të jepni kontributin tuaj për çështjet humanitare globale.

Elvana Shala: Po natyrisht, njerëzit e emëruar në këtë mision nga organizata të ndryshme që veprojnë nën ombrellën e OKB-së, janë emra të njohur botëror, të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në çështjet sociale dhe humanitare anë e mbanë rruzullit, dhe mbi këtë parim jam përzgjedhur edhe unë pas kontributit tim 12 vjeçar në këto fusha. Ndjehem shumë e privilegjuar për mundësinë që kontributin tim humanitar ta jap nën një mision kaq të rëndësishëm dhe fisnik, të respektuar në mbarë botën, aq më tepër duke qenë edhe Ambasadorja më e re në moshë që ushtron këtë mision.

Vokacioni juaj është kryesisht në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut. Dihet mirëfilli se edhe në Kosovë ka shkelje të të drejtave, sidomos të gjinisë femërore, kur bëhet fjalë për prezantimin e barabartë të tyre në punë dhe institucione. Sa dëgjohet fjala juaj dhe cili është ndikimi për përmirësimin e kësaj gjendje?

Elvana Shala: Fatkeqësisht në Kosovë vazhdon të ketë shkelje të të drejtave të njeriut edhe të gjinisë femërore, por edhe të kategorive të caktuara pa dallim gjinie. Që kur kam filluar të merrem me çështjen e të drejtave të njeriut që nga mosha 12 vjeçare e tutje, gjithmonë kam luftuar kundër diskriminimit të vetës sime dhe të të gjithë njerëzve të tjerë që janë diskriminuar në forma të ndryshme. Përgjatë viteve kam arritur të thyej shumë tabu dhe paragjykime dhe të krijoj një hapësirë të barabartë për njerëzit në shoqërinë tonë. Tani si Ambasadore e Vullnetit të Mirë, ndikimi dhe ngritja e zërit është më e madhe dhe më e lehtë, por nuk mund të them që përmirësimi i gjendjes mund të ndodh vetëm nga një ose dy persona. Për t’u përmirësuar rrënjësisht, gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë, e tërë shoqëria jonë duhet të jetë e vetëdijshme për të drejtat e saj dhe të mos hezitoj t’i mbrojë ato në institucione dhe kudo tjetër.

Ju më tepër keni mision moral sesa ekzekutiv. Si u presin nëpër mjedise ku konsiderohet se ekzistojnë parregullsi dhe shkelje të natyrave të ndryshme. Cili është mekanizmi juaj që gjendja të ndryshoj për të mirë?

Elvana Shala: Misioni im është mision përfaqësues diplomatik jo-fitimprurës me mandat 4-vjeçar, një mision i cili të jep detyra të caktuara duke mos pranuar asnjë dobi financiare, që i bie se e tërë puna bëhet me një vullnet të jashtëzakonshëm njerëzor dhe moral. Kam vizituar vende të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, madje edhe vende të cilat ishin jo të përshtatshme për vizita, si dhe kam trajtuar tema aspak të lehta për mentalitetin e një pjese të caktuar të shoqërisë sidomos në Kosovë, por kam pasur fatin e mirë që çdo vizitë apo iniciativë e imja është pritur shumë mirë dhe ka pasur impakt pozitiv. Gjithmonë kur përballem me situata jo të kënaqshme, mekanizmi kryesor që përdor është puna dhe dialogu i sinqertë dhe shumë njerëzor bazuar në fakte se, secili kemi lindur të lirë dhe të barabartë. Në misione të tilla duhet të jesh shumë racional, dhe me një qasje pozitive për të arritur ndryshimin e dëshirueshëm.

A keni raste ku misioni juaj ka arritur suksese evidente dhe a prisni që puna juaj të avancojë e bashkë me të edhe të drejtat e njeriut të marrin statusin e meritor në një shoqëri demokratike?

Elvana Shala: Po, pavarësisht vështirësive të shumta që i kam pasur në fillimet e këtij misioni, duke qenë se ishte misioni i parë i llojit të tillë në Kosovë, ndërsa unë isha ende vetëm 23 vjeçe, jam e lumtur që kam arritur shumë suksese në fusha të ndryshme, duke i ndihmuar njerëzit në nevojë me iniciativa humanitare ose duke iu bashkangjitur në organizimet e të tjerëve, qoftë duke thyer shumë tabu dhe paragjykime të shoqërisë se një femër e re nuk mund të mbajë mbi supe një mision të tillë. Madje, përkundër gjykimeve se po bëja punë pa pagesë dhe se sipas shoqërisë sonë nuk ia vlente, kam thyer këto gjykime duke bërë tashmë të kuptohet që puna vullnetare është më e vlefshme se milionat. Natyrisht që kjo nuk më duket e mjaftueshme dhe kërkoj shumë nga vetja aq më tepër tani në fillimet e mandatit të dytë, besoj se do të kem mundësi të punoj edhe më shumë që të drejtat e njeriut në Kosovë të marrin statusin e merituar.

Sa është sfidues për juve ky mision, pasi që keni përgjegjësi të mëdha?

Elvana Shala: Është jashtëzakonisht sfidues dhe sinqerisht i vështirë, sepse përgjatë tij përballesh me situata të rënda të dhimbshme dhe nganjëherë nuk e ke mundësinë e duhur që të bësh ndryshimet e menjëhershme siç do. Pastaj të jesh në fokus të arenës ndërkombëtare është përgjegjësi e lartë, të cilën duhet të dish mirë ta menaxhosh, të kesh kujdes se çka flet për vendin tënd, si e paraqet atë jashtë, çfarë lloj projektesh dhe me cilën kategori të shoqërisë vendos të merresh, etj. Por, mjafton që të kemi vullnet për të vazhduar tutje, sepse kur nuk mungon vullneti, çdo sfidë tejkalohet më lehtë.

Dihet mirëfilli se anëtarët e vullnetit të mirë, në nivel botëror janë yje të njohura botërore. Si ndiheni që në mesin e këtyre yjeve të gjendeni ju, madje në dy mandate?

Elvana Shala: Ambasador të Vullnetit të Mirë kudo në botë janë njerëz të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në çështje të ndryshme qoftë, kulturë, humanizëm apo çfarëdo natyre tjetër. Unë ndihem shumë e nderuar dhe e privilegjuar të jem në një rang të njëjtë, p.sh. me Angelina Jolie, Emma Whatson etj., me të cilat ndajmë të njëjtin mision dhe gjithçka që na dallon këtu janë organizatat që na kanë emëruar. Por, privilegjin më të madh e ndjej për faktin se jam qytetare e Republikës së Kosovës, një shtet që ende nuk është anëtarë i OKB-së dhe ende nuk njihet mirë ndërkombëtarisht. Këtu qëndron e tërë veçantia e kësaj, sepse kur je në vende që ende nuk të njohin, reagimet janë shumë pozitive se si Kosova një vend kaq i ri ka arritur të ketë Ambasadore të Vullnetit të Mirë të shpallur nga një mekanizëm ndërkombëtar.

Roli juaj parësor është përfaqësimi dinjitoz i Republikës së Kosovës në samite dhe konferenca të ndryshme në mbarë botën. Cilat janë disa nga format që i përdorni ju në mënyrë që Kosova të mos paraqitet me një realitet shpesh të shtrembëruar dhe cili është kontributi juaj që ky realitet të përmirësohet sa më shpejt?

Elvana Shala: Kudo ku udhëtoj dhe i çfarëdo lloji qoftë ai samit, konferencë apo ngjarje ndërkombëtare, mundohem që të paraqes një Kosovë reale, por duke anuar kah anët pozitive të saj. Forma që unë përdor është gjithmonë diplomatike dhe e matur, duke vënë në pah vështirësitë që kemi pasur si shtet i pavarur, i dalë nga një luftë mizore, përpjekjet tona ndër vite për t’u ndërtuar, sukseset e vajzave dhe djemve tonë në fusha të ndryshme, por edhe sfidat që kemi edhe atëherë kur gjërat nuk janë për t’u lavdëruar, sepse si shtet i pavarur jemi shumë i ri dhe kemi ende vend për avancim. Nuk parapëlqej që të paraqes një Kosovë krejtësisht me lule, kur dihet se çdo shtet ka edhe gurë që quhen vështirësi dhe të meta.

Sigurisht keni patur rastin të flisni edhe për golgotën që ka përjetuar Kosova gjatë luftës së fundit. Sa jeni mirëkuptuar nga të pranishmit dhe sa janë solidarizuar ata me ju?

Elvana Shala: Në vitin 2016 në Konferencën ndërkombëtare për Liderët e Rinj, në të cilën merrnin pjesë 50 liderë të ri nga vende të ndryshme të botës, e cila zhvilloi punimet në Dubai të Emirateve të Bashkuara, fjalimi im kishte fokusin në historinë e Kosovës që nga koha e luftës e deri sot. E mbaj mend që ka qenë një nga momentet më të veçanta në jetë, teksa shpalosja përpara botës dhimbjen që kishte kaluar Kosova, ndërkohë flamuri ynë valonte në një ekran të madh pas meje. Derisa po flisja për tmerrin që kishte përjetuar populli ynë në atë kohë, nuk mund të anashkaloja pa përmendur edhe fatkeqësinë e 20.000 grave të dhunuara gjatë luftës, duke i ciësuar ato si simbol të rezistencës së vendit tonë. Gjatë gjithë kohës sa po flisja, lotët e pjesëmarrësve nuk ndaleshin, ndërkohë që pas atij momenti, perceptimi për Kosovën ndryshoi tërësisht.

Znj. Shala, në shumë tubime, sigurisht nuk e keni lënë pa përmendur edhe dhunimin e disa femrave të cilat janë quajtur heroina. Në botën demokratike ky akt cilësohet shumë i rëndë. A keni gjetur përkrahje dhe solidarizim për kategori të fyer dhe të thyer shpirtërisht.

Elvana Shala: Siç e thash më lartë, në Dubai kam folur për fatkeqësinë e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Ndërsa në nëntor të vitit 2017, unë lansova edhe fushatën kundër diskriminimit të këtyre grave me sloganin “Një Fije Dritë”, një fushatë e cila u mbështet fuqishëm nga misionet e huaja diplomatike në Kosovë. Nëse flasim për mbështetjen dhe solidarizimin e ndërkombëtarëve për këte kategori, ajo është e jashtëzakonshme dhe e padiskutueshme, ndërsa nëse flasim për mbështetje dhe solidarizim nga institucionet apo shoqëria kosovare, atëherë mendoj se mbështetja dhe solidarizimi që u bëhet atyre nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Kosova është një vend relativisht i ri me plot talentë të dëshmuar akëkënd botës. A jeni krenare që Kosovën ta pasqyroni nga ana e dy medaljeve: të luftoni kundër një gogoli të trilluar se në Kosovë shpresat janë mjaft të venitura, kurse në anën tjetër keni shumë dëshmi që të krenoheni me yjet tona kosovare në skenën ndërkombëtare.

Elvana Shala: Në arenën ndërkombëtare Kosovën e pasqyroj gjithmonë në dy anë te medaljes. E para si një Kosovë, e cila ka ende shumë vend për avancim dhe e dyta që pavarësisht vështirësive dhe sfidave botës, i ka dhënë yje të sferave të ndryshme, që sot, shkruajnë historinë e suksesit. Dhe, për këtë jam gjithmonë, shumë krenare.

A konsideroni se gjendja e të rinjve është brengosëse dhe sikur po ju humb shpresa për një jetë dinjitoze në vendin e vet kur dihet se shpesh njerëzit nuk vlerësohen çka kanë në mendje, por çka kanë në xhep?

Elvana Shala: Po, dhe ky fakt më brengos shumë. Fatkeqësisht në Kosovë është shfaqur së fundi një lloj mentaliteti që njerëzit të vlerësohen në bazë te dukjes së jashtme dhe jo në bazë të cilësive njerëzore dhe profesionale që kanë. Dhe kjo shpesh më ka afektuar mua si femër dhe që më ka bërë të ndihem tejet keq. Megjithatë për të gjithë ata që njerëzit i vlerësojnë në këtë mënyrë kam një porosi të shkurt: “Dukja e jashtme ndryshon me kohën, paratë shkojnë e vijnë, por cilësitë dhe vlerat mendore gjithmonë mbesin”!

A mendoni se vota, ndonëse është legjitime, shpesh nuk do të thotë se është vlerë e dijes, prandaj po ballafaqohemi me lloj-lloj avdallësh?

Elvana Shala: Ende nuk mendoj se në Kosovë kemi arritur të kemi vetëdijen e plotë për vlerën e votës, prandaj mendoj që ballafaqohemi dhe lejojmë te kemi lloj-lloj udhëheqësish politikë, disa prej të cilëve as që ia kanë idenë se për çfarë janë në politikë.

Ju keni kontakte të shpeshta me të rinjtë tanë. Cilat janë brengat e tyre kryesore dhe çka i bën ata pesimistë për të ardhmen e vet në këtë shtet?

Elvana Shala: Brenga kryesore e secilit të ri në vendin tonë sot është gjetja e një vendi të punës në bazë të kualifikimeve të tij. Jemi dëshmitarë të shumë padrejtësive që ndodhin në konkurset e punës, qoftë në sektorin privat apo publik. Dhe kur një i ri sot ballafaqohet me një problem të tillë që është e drejtë parësore për një të ardhme të tij të ndritur, pesimizmi nuk ka se si të mos mungojë.

Dihet se puna juaj vullnetare kërkon një durim dhe humanizëm të pashoq. Çka ju ka shtyrë t’i hyni këtij misioni kur dihet se në Kosovë ende nuk çmohen sa duhet njerëzit e iniciativave të tilla?

Elvana Shala: Unë jam rritur me sfida të ndryshme shëndetësore që do të thotë se fëmijëria ime nuk ka qenë aspak e lehtë si rezultat i një diagnostikimi të gabueshëm, i cili rezultoi me pasojën e pengesave në ecje që më përcollën gjatë gjithë jetës. Dhe duke parë se sa e rëndësishme është të kesh ndihmën e dikujt, vet jeta më shtyri që të filloja të merrem me aktivitete të ndryshme humanitare, të cilat dikur u bënë pasion i imi dhe më përmbushnin çdo ditë e më shumë. E di që kjo punë mbase në Kosovë nuk çmohet sa duhet, por kjo punë mua më sjellë lumturinë më të madhe që mund të ekzistojë, sepse bëhet me shpirt dhe jo me para.

Sa po arrini ta impononi dhe arsyetoni rëndësinë e këtij misioni në institucionet shtetërore, dhe a kanë kuptuar sa duhet rëndësinë e një angazhimi apo ende hasni pengesa deri në injorim?

Elvana Shala: Ende nuk mund të them që institucionet tona e kanë kuptuar tërësisht vlerën e këtij misioni, ose më mirë te them, janë individët e caktuar brenda institucioneve që thjeshtë, nuk duan ta kuptojnë rëndësinë e tij. Andaj, nuk mund të them që nuk has në pengesa, ndoshta deri në injorim total jo, por pengesat janë gjithmonë të pranishme varësisht nga individët me të cilët takohem. Por, përsëri jam e lumtur që dita ditës vetëdijesimi për rëndësinë e tij ka filluar të ngritët.

T’i kthehemi pak filleve të punës suaj. Si arritët të depërtonit në këtë mision dhe çka prisni të arrini në të ardhmen?

Elvana Shala: Unë kam filluar të punoj me organizata të ndryshme jo-qeveritare vendore dhe ndërkombëtare që nga viti 2002, kur isha 12 vjeç, për të dhënë kontributin tim në çështjet humanitare, të drejtave të njeriut, përmirësimit të marrëdhënieve midis etnive të ndryshme, mbrojtjes së kategorive të margjinalizuara etj., dhe që nga ajo kohë e tutje, u bëra pjesë e shumë projekteve të ndryshme të kësaj natyre. Në vitin 2014 u kontaktova direkt nga zyra e International Human Rights Commission, tash me seli në Londër, që të nominohesha për këtë mision, dhe pas 2 muajsh sa qëndrova e nominuar, më 21 shkurt 2014 në mjediset e OKB-së në New York u mor vendimi që të emërohesha në këtë mision në bazë të përvojës sime paraprake në këto fusha. Zyrtarisht misionin e pranova në pajtueshmëri të plotë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, në mars të vitit 2014 në një ceremoni solemne të organizuar me mbështetjen e plotë të MPJ-së, të mbajtur në Prishtinë.
Në të ardhmen do të vazhdoj të jem pjesë e fushës së diplomacisë, qoftë asaj publike qoftë asaj tradicionale, pasi edhe është një nga fushat e mija të studimit, për të vazhduar kontributin tim në të mirë të shtetit të Kosovës.

Qëllimi juaj është gjithmonë pozitiv dhe në njëfarë mënyre sikur apeloni që të mos mbeti zë disonant, por të bëheni lobues i e fuqishëm ku zëri juaj do të kumbojë larg e më larg.

Elvana Shala: Po gjithsesi! Dhe do të vazhdoj të jem zë i fuqishëm për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të vendit tim, e sidomos që emri Kosovë në arenën ndërkombëtare të ngritët lartë e më lartë.

Nëse do të kishit një porosi sublime, cila do të ishte ajo?

Elvana Shala: Këtë intervistë do ta mbyllja me moton time të projektit të parë të lansuar si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën: “E drejta jote nuk blihet, ajo lind me ty – mbroje atë!” /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Zelensky paralajmëron për një

Zelensky paralajmëron për një "Çernobil të dytë"

Evropa
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
“Do të luajë dhe do të shënojë kundër Real Madridit” – Tuchel tregon se ylli i Bayern Munich është kthyer nga dëmtimi

“Do të luajë dhe do të shënojë kundër Real Madridit” – Tuchel tregon se ylli i Bayern Munich është kthyer nga dëmtimi

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori