Drenica dje në “Bajram Aliu” mundi Prishtinën me rezultat 1-0, në kuadër të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll, madje golin e fitores për ekipin nga Skenderaj e shënoi pikërisht Elshani.

Ish futbollisti i Feronikelit, të dielën në një bisede për Kosovapress, ka thënë se është i kënaqur që skuadra e tij tashmë është rehabilituar pas startit të dobët në fillim të këtij kampionati. Ai thotë se Drenica është përmirësuar dukshëm në katër ndeshjet e fundit.


“Kemi punuar shumë gjatë ditëve të fundit. Tashmë gjerat po ecin shumë mirë në çdo aspekt, sepse dukshëm jemi përmirësuar. Shpresoj se do të vazhdojmë me formën e treguar në ndeshjet e fundit dhe ta mbajmë këtë kontinutitet në takimet vijuese”, ka thënë Elshani.

Ai thotë se është i kënaqur me formën e tij aktuale që po kalon tek kuqezinjtë e Skenderajt. Elshani pohon se do të mundohet të bëjë më të mirën për skuadrën e tij.

“Përveç rezultateve të mira të klubit jam i kënaqur edhe me rezultatet individuale. Shpresoj se do të vazhdojë më formë të mirë në mënyrë që të jap kontributin tim maksimal për klubin dhe tifozërinë që po më mbështetësin shumë. Shpresoj se do të shënojë edhe shumë gola për Drenicën”, tha ai.

Elshani ka lavdëruar edhe trajnerin e tij, Afrim Jasharin. Sipas tij, tekniku drenicas është një punëtor dhe një strateg i madh i lojës së futbollit.

“Trajneri Afrim Jashari është një punëtor i madh dhe një njohës i mirë i lojës së futbollit. Ai e njeh mjaft mirë mentalitetin dhe karakterin e cilido futbollist. Ai po bën punë të madh dhe po nxjerr maksimumin nga ne”, ka theksuar Elshani.

Ai ka shtuar se synimet e Drenicës në këtë sezon të garave janë stabilitetit në ligë. Elshani pohon se skuadra e tij do të mundohet që në çdo ndeshje të kënaq tifozët e tyre.

“Stabilitetit në kampionat është synimi ynë. Ne do të mundohemi që të jemi në pjesën e epërme të tabelës si dhe të kënaqim tifozët tonë me futboll të bukur”, ka pohuar Elshani.

Ai beson se Drenica edhe në ndeshjet e ardhshme do të vazhdoje me rezultatet pozitive. /Kosovapress/Telegrafi/ 

telegrafi sport app