Ekstradohet i kërkuari me urdhëarrest ndërkombëtar nga Gjermania në Kosovë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ILECU, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës, me datën 10.12.2025 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Gjermania për në Kosovë.
Sipas një njoftimi thuhet se i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vuajtjen e dënimit prej një viti burgim dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.
"Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të R. së Kosovës dhe atyre gjermane", thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim i dyshuari pas ekstradimit, i është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Pejës për vazhdim me procedurat tjera ligjore.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen/arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/


















































