LAJMI I FUNDIT:

Ekspozitë e piktorëve shqiptarë të formuar në Itali

Ekspozitë e piktorëve shqiptarë të formuar në Itali

Veprat e artistëve shqiptarë të formuar në Itali u ekspozuan pranë Rezidencës së Ambasadorit të Italisë në Tiranë. E titulluar “Vizion kufijsh”, kjo ekspozitë vjen si urë komunikimi mes dy vendeve të cilat lidhen ngushtë me njëri-tjetrin përmes kulturës.

“Konceptimi i kësaj ekspozite vjen si lidhje mes dy fjalëve arti dhe gjuha. Kjo rezidencë do të shërbejë si muze për publikun shqiptar, ku do të shohë artin shqiptar me artistë të formuar në Itali dhe do gjejë copa arti që bashkojnë dy vendet”, tha ambasadori Italian, Alberto Cutillo.

Ndërkaq, kuratori i ekspozitës, Artan Shabani, u shpreh se janë 42 vepra nga artistë që kanë studiuar në shkollat italiane, në Romë, Firence, Milano.

“Artistët janë të shumtë, si Vangjush Tushi, Ibrahim Kodra, Foto Stamo dhe shumë të tjerë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në këto vepra që po prezantohen sot në këtë muzeum klasik dhe mjaft elegant siç është kjo rezidencë”, tha ai. ”Shumë vepra vijnë për herë të parë të pasqyruara për publikun dhe kjo shërben si kartëvizitë për imazhin e Shqipërisë, pasi kjo rezidencë mirëpret shumë dhe vizitorë të huaj. Piktura shqiptare nuk fillon as me vitet ’90 dhe as me realizmin socialist, po i ka fillesat më herët”. /ata/