Eksportet detare të naftës ruse bien në nivelin më të ulët që nga viti 2022

Eksportet ruse të produkteve të naftës kanë rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, pasi mbylljet e rafinerive dhe sanksionet më të ashpra perëndimore kanë ndërprerë tregtinë energjetike të vendit.
Pavarësisht një rritjeje të lehtë në eksportet e naftës dizel, vëllimi total i furnizimeve ka rënë për shkak të flukseve më të dobëta të naftës së papërpunuar dhe vajgurit të rëndë, veçanërisht nga portet e Baltikut pas sulmeve ndaj qendrës së eksportit në Ust-Luga.
Kushtet e pafavorshme atmosferike në rajon ditët e fundit mund të kenë ndikuar gjithashtu në ndërprerjen e operacioneve portuale, raporton bloomberg.
Valët e fundit të sanksioneve që synojnë gjigantët e naftës Rosneft dhe Lukoil kanë shtuar pasigurinë, duke i detyruar tregtarët të manovrojnë me rrugët e pagesave dhe oraret e dërgesave përpara afatit të sanksioneve amerikane më 21 nëntor.
Në afat të shkurtër, eksportet e dizelit mbeten relativisht të qëndrueshme, pasi pjesa më e madhe e dërgesave shkojnë drejt tregjeve fqinje, si Turqia dhe Afrika.
Flukset e naftës së papërpunuar dhe vajgurit të rëndë janë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve, pasi udhëtimet më të gjata drejt Azisë i ekspozojnë disa ngarkesa të sanksionuara ndaj rrezikut të vonesave.
Meqenëse Rusia nuk publikon më të dhëna zyrtare për prodhimin e saj, tregtarët po monitorojnë dërgesat detare për të vlerësuar prodhimin e naftës së vendit.
Sipas të dhënave të ndjekura nga Bloomberg, dërgesat e naftës kanë rënë nga niveli më i lartë i regjistruar në pothuajse dy vjet e gjysmë. /Telegrafi/













































