LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët ndërkombëtarë skeptik për marrëveshjen e Uashingtonit

Ekspertët ndërkombëtarë skeptik për marrëveshjen e Uashingtonit

Profesori nga Oxfordi, Richard Caplan, thekson se në politikë gjithçka është e mundur, por njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia do i kalonte pritjet. Ai e ka cilësuar si gabim vendimin e Kosovës dhe Serbisë, për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Në politikë pothuajse gjithçka është e mundur. Sidoqoftë, njohja serbe brenda një viti do të tejkalonte pritjet e mia. Vendimi i Kosovës (dhe Serbisë) për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit është i gabuar nga dy këndvështrime. Së pari, ai shkel ligjin ndërkombëtar për sa kohë që Jeruzalemi është territor i okupuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967, dhe është aneksuar në mënyrë të paligjshme. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar aneksimin e Jeruzalemit nga Izraeli dhe e ka shpallur atë si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Njohja e Jeruzalemit si kryeqyteti i Izraelit i jep legjitimitet këtij akti të paligjshëm. Së dyti, asnjë shtet anëtar i BE nuk e ka njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, gjë që i vë Kosovën dhe Serbinë në një pozitë të pafavorshme, e të cilat aspirojnë të bashkohen me Bashkimin Evropian”, shkruan Caplan, raporton RTV Dukagjini.


Rreth çështjes së Kosovës, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare nuk sheh koordinim të plotë mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell Telegrafi.

“SHBA dhe BE duket nuk po koordinojnë qëndrimet rreth çështjes së Kosovës, gjë që është për të ardhur keq. Nuk duket se ka ndryshime të mëdha në qëllimet strategjike të amerikanëve dhe evropianëve. Ajo që është interesante dhe e rëndësishme është se SHBA dhe BE i kanë dhënë një impuls të përtërirë përpjekjeve diplomatike për të përmirësuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës”.

Ndërsa eksperti amerikan, Daniel Serwer nuk e sheh te mundur që Presidenti serb, Aleksander Vuciq ta njoh pavarësinë e Kosovës në një të ardhme të afërt, përkundër që liderët institucional të Kosovës, e kanë paralajmëruar njohjen reciproke mes dyja vendeve.

“Kryeministri i Kosovës e di më mirë se unë se çfarë do të ndodhë, por shoh pak shenja që Presidenti Vuçiq po bëhet gati të njohë Kosovën. Një vit nga tani Vuçiç do të hyjë në një periudhë parazgjedhore, e cila do ta bëjë atë më të vështirë. Por, sigurisht që shpresoj se ato që thotë Kryeministri janë të vërteta”.

Serwer e ka cilësuar si veprim të gabuar zhvendosjen e ambasadës së Kosovës ne Jeruzalem, e sa i përket marrëveshjes për “normalizim ekonomik”, ai thotë se Adminstrata Amerikane, dëshiron ta shes si sukses këtë marrëveshje ne prag te zgjedhjeve.

“Unë mendoj se është një gabim të gjykosh paraprakisht rezultatin e negociatave të statusit përfundimtar midis Izraelit dhe Palestinës, edhe nëse jam i bindur edhe Jeruzalemi Perëndimor dhe pjesa më e madhe e Qytetit të Vjetër do të mbetet në Izrael si kryeqyteti i tij. Departamenti i Shtetit pretendon se ata po bashkëpunojnë mirë. Unë nuk jam duke parë atë. Po shoh një Administratë Amerikane që po bën gjithçka mundet për të ndihmuar Presidentin Trump të rizgjidhet, pavarësisht nga implikimet për Kosovën, Serbinë dhe Bashkimin Evropian. Marrëveshja e “normalizimit ekonomik” është larg normalizimit të marrëdhënieve ekonomike, e cila në çdo rast është një temë më e përshtatshme për Evropën sesa SH.B.A. Uashingtoni ka më shumë ndikim kur bëhet fjalë për çështje politike, siç sugjeron njohja e Kosovës nga Izraeli” shkruan Serwer.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit të 7 shtatorit tha se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe për njohje reciproke./RTV Dukagjini/Telegrafi/