LAJMI I FUNDIT:

Ekskluzive, Weidinger: Austria është mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe mbështet liberalizimin e vizave

Ekskluzive, Weidinger: Austria është mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe mbështet liberalizimin e vizave

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ka folur për aktualitetin politik në Kosovë si dhe për rolin e ndihmën e shtetit të tij në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Diplomati austriak Weidinger në këtë intervistë ka thënë se marrëdhëniet mes Austrisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme në shumë fusha të rëndësishme.


Ai ka theksuar se Austria është mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe mbështet liberalizimin e vizave.

Gjithashtu Weidinger në këtë intervistë për Telegrafin ka shtuar se Austria është investitori i katërt më i madh në Kosovë, ndërsa nga kompani austriake janë krijuar rreth 2500 vende pune.

Ai ka deklaruar se pa Kosovën, pa shtetet e tjera të rajonin, projekti paqësor i integrimeve evropiane nuk është i plotë.

Lexo intervistën e plotë:

Telegrafi: Austria është ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Kosovës- cilat janë marrëdhëniet sot mes këtyre dy vendeve?

Christoph Weidinger: Jam shumë i lumtur të them se marrëdhëniet bilaterale mes Austrisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme. Lidhjet mes dy vendeve tona janë shumë të ngushta në shumë nivele: në ato politike, historike, ekonomike, kulturore por sigurisht edhe lidhjet njerëzore. Austria është mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe mbështet liberalizimin e vizave, siç është parashtruar edhe në programin e qeverisë austriake.

Përmes projekteve të Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA, Austria është donatori më i rëndësishëm për Kosovën, në veçanti në fushën e arsimit të lartë dhe në programin e UNICEF-it për rininë, në Kosovë. Austria kryen gjithashtu projekte për fuqizimin e grave, zhvillimin rural dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Për më tepër, marrëdhëniet në biznes janë zhvilluar shumë mirë. Austria është investitori i katërt më i madh në Kosovë, ndërsa nga kompani austriake janë krijuar rreth 2500 vende pune.

Më lejoni të përmend gjithashtu rolin kyç të Austrisë si koordinatore për të siguruar dërgesën e 95,000 dozave të vaksinës Pfizer COVID-19 në Kosovë, nga mekanizmi i ndarjes së vaksinave të BE-së, në pranverë dhe verë të vitit 2021.

Si një kontribut për stabilitetin e rajonit, Austria kontribuon në KFOR me kontingjentin më të madh nga një vend jo anëtarë i NATO-s.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph WEIDINGER Foto: Ambasada e Austrisë

Telegrafi: Së fundi në Kosovë ka qenë kancelari i Austrisë Karl Nehammer, i cili ka thënë se do ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj integruese- si mund ta ndihmoj Austria Kosovën në këtë?

Christoph Weidinger: Si një nga vizitat e tij të para jashtë vendit që nga marrja e detyrës, vizita e kancelarit federal Karl Nehammer thekson vërtet fuqishëm përkushtimin e Austrisë ndaj rajonit.

Austria e mbështet plotësisht rrugën evropiane të Kosovës, siç thuhet qartë edhe në programin e qeverisë federale austriake. Prandaj, Austria bashkëpunon ngushtë me partnerët e tjerë evropianë në mënyrë që të dëgjohen aspiratat evropiane të Kosovës. Ne bëjmë çdo përpjekje për të siguruar që çështja e zgjerimit të BE-së të ketë një prioritet të lartë në agjendën e BE-së.

Natyrisht, Austria është gjithashtu e gatshme t’u japë ndihmë praktike autoriteteve të Kosovës në zbatimin e politikave reformuese përmes programeve të binjakëzimit (Twinning) apo TAIEX dhe ne në fakt do të mirëprisnim pranimin e më shumë propozimeve nga Kosova për projekte të tilla. Për më tepër, Austria ishte në mesin e vendeve të BE-së që argumentoi me sukses në të mirë të përfshirjes së Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit në punimet gjatë Konferencës për Ardhmërinë e Evropës, sepse për ne Kosova është pjesë përbërëse e së ardhmes së BE-së. Pa Kosovën, pa shtetet e tjera të rajonin, projekti paqësor i integrimeve evropiane nuk është i plotë.

Rruga drejt integrimit evropian, megjithatë, çon përmes proceseve të mirë definuara dhe reformave përkatëse. Pa dyshim që tashmë është shihet një përparim i madh. Megjithatë, është e rëndësishme të punohet më tej në zbatimin e reformave.

Telegrafi: Austria historikisht ka qenë e pranishme në Ballkan, si e shihni marrëveshjen finale Kosovë – Serbi dhe rolin e Austrisë në këtë?

Christoph Weidinger: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është vetëm çelësi i integrimit në BE për të dyja vendet, por siç ka deklaruar ministri i jashtëm austriak Alexander Schallenberg, ajo është edhe “gryka” përmes të cilës i gjithë rajoni duhet të kalojë në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Kjo tregon qartë se sa e rëndësishme është kjo temë për ne. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është mënyra e dakorduar për zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe në kuadër të kësaj, është e nevojshme që të dyja palët të zgjidhin bashkërisht dhe në mënyrë konstruktive çështjet ekzistuese në mënyrë që Kosova dhe Serbia të jenë në gjendje t’i bashkohen plotësisht familjes evropiane. Austria vazhdimisht u bën thirrje miqve tanë si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë që të tregojnë udhëheqje dhe largpamësi strategjike, si dhe të angazhohen sinqerisht në këtë proces për të tejkaluar trashëgiminë e hidhur të së kaluarës. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për të kontribuar për një përfundim të suksesshëm të dialogut, gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesin special të BE-së, z. Lajçak , i cili ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë.

Telegrafi: Çfarë mund bëjë shteti austriak që të ndihmojë për liberalizimin e vizave për kosovarët?

Christoph Weidinger: Mbështetja për liberalizimin e vizave për Kosovën është pjesë e programit të qeverisë federale të Austrisë. Vendimi për liberalizimin e vizave nuk merret nga shtetet individualisht, por nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së së bashku në Këshillin e BE-së. Ne jemi të vendosur të mbështesim çdo iniciativë që ndihmon që Këshilli më në fund të mund të marrë një vendim pozitiv për këtë çështje.

Telegrafi: Çfarë bashkëpunimi dhe në cilat fusha mund të jetë në të ardhmen mes këtyre dy shteteve?

Christoph Weidinger: Edhe pse, siç e theksova më lart, marrëdhëniet tona dypalëshe janë shumë të ngushta, ne përpiqemi t’i intensifikojmë ato edhe më tej. Në fushën e zhvillimit ekonomik, për shembull, më 21 dhe 22 prill, në Prishtinë do të mbahet Forumi i Biznesit Kosovë-Austri. Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për bizneset austriake dhe kosovare, që të shtjellojnë mundësitë e biznesit në dobi të të dyja palëve. Do të marrin pjesë investitorë potencial austriakë, të cilët janë aktiv në dhjetë sektorë të ndryshëm.

Gjithashtu, me padurim pres zbatimin e projekteve të ndryshme, të mbështetura nga ADA ose Ambasada Austriake, veçanërisht në fushat si fuqizimi i grave, arsimi, mbështetja e të rinjve në Kosovë, përfshirë ata nga komunitetet jo-shumicë, në rrugën e tyre drejt punësimit, etj. Ambasada Austriake gjithashtu mbështet projekte të ndryshme kulturore, si koncerte, pjesëmarrje të artistëve në festivale muzikore e filmike, por edhe projekte në fushën e letërsisë. Ne i kushtojmë vëmendje të madhe kontakteve mes njerëzve. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, pasi vizitorët austriakë shpesh ndërgjegjësohen për potencialin e madh, bukurinë dhe mikpritjen e Kosovës, vetëm pasi ta vizitojnë vendin personalisht. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori