Në një intervistë ekskluzive një ditë para se të vizitojë Republikën e Kosovës, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka folur për qëllimin e kësaj vizite, marrëdhëniet Kosovë-Slloveni dhe qëndrimin e shtetit të tij për marrëveshjen finale ndërmjet dy shteteve Kosovës dhe Serbisë.

Në intervistën dhënë kryeredaktorit Muhamet Hajrullahu, presidenti slloven Pahor ka thënë se ai nuk qëndron prapa asnjë ‘non paper-i’ që kanë dalë këto ditë.

“Nuk e kam të njohur non-paper-in. Le ta përsëris atë që e kam thënë qartë shumë herë: idetë mbi ndryshimin e kufijve për mua janë plotësisht të papranueshme. Ta them qartë se nuk i mbështesë mendimet mbi ndryshimin e kufijve në rajon, pasi kjo gjë në këtë rajon askurrë nuk ka përfunduar në mënyrë paqësore”, ka thënë presidenti slloven për Telegrafin.

Ai gjithashtu ka thënë se Sllovenia është kundër korrigjimit të kufijve në Ballkan dhe shteti i tij mbështet marrëveshjen për të cilën pajtohen Kosova e Serbia.

Pahor: Koha e fundit që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE, në të kundërtën mund të fuqizohen nacionalizmat   Pahor: Koha e fundit që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE, në të kundërtën mund të fuqizohen nacionalizmat  

Gjithashtu presidenti slloven në këtë intervistë ka thënë se shteti i tij do të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj integruese.

Telegrafi: Z. President Pahor cili është qëllimi i vizitës tuaj në Kosovë?

Presidenti Pahor: Me presidenten e Kosovës dëshiroj të këshillohem para Samitit të udhëheqësve në Brdo – Brijuni Process, në Brdo, më 17. 5. 2021. Më gëzon fakti se kryetarja Osmani veç e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj. Ky do të jetë një takim i rëndësishëm, njëri nga më të rëndësishmit në historinë njëmbëdhjetëvjeçare të nismës Brdo – Brijuni.

Telegrafi: Z. Pahor si i shihni marrëdhëniet Slloveni- Kosovë dhe çka mund të mbështes Sllovenia Kosovën në rrugën e saj integruese në Bashkimin Evropian?

Presidenti Pahor: Ne e nxisim Kosovën që të përshpejtojë reformat e brendshme dhe e mbështesim dialogun Beograd – Prishtinë, që zhvillohet nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian. Qeveria jonë i ndihmon Kosovës edhe me transferimin e dijes dhe përvojave si dhe me projekte zhvillimore. Pjesëmarrja e Kosovës në procesin Brdo – Brijuni është aspekt i rëndësishëm i  mbështetjes sonë marrëdhënieve fqinjësore dhe i perspektivës evropiane të të gjitha shteteve.

Telegrafi: Z. Pahor, a qëndroni ju prapa ‘non paper’ që është publikuar në disa media në rajon dhe cili është qëndrimi juaj për këtë?

Presidenti Pahor: Nuk e kam të njohur non-paper-in. Le ta përsëris atë që e kam thënë qartë shumë herë: idetë mbi ndryshimin e kufijve për mua janë plotësisht të papranueshme. Ta them qartë se nuk i mbështesë mendimet mbi ndryshimin e kufijve në rajon, pasi kjo gjë në këtë rajon askurrë nuk ka përfunduar në mënyrë paqësore.

Telegrafi: Z.Pahor se e shihni marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës e Serbisë në dialog?

Presidenti Pahor: Para së gjithash është me rëndësi që dialogu të vazhdojë dhe të intensifikohet në frymën konstruktive. Duhet respektuar ato që janë marrë vesh. Dialogu zhvillohet nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian. Me kujdes e përcjellin edhe të tjerët, p.sh. SHBA. Të gjitha këto janë të rëndësishme, pasi duket, se të dy palët kanë mbështetje ndërkombëtare për të. Ne në Slloveni do të respektojmë atë që do të merreni vesh me Beogradin.

Telegrafi: Çka pritni nga samiti i lartë që do të zhvillohet këtë muaj në “Brdo Brijuni Process”?

Presidenti Pahor: Synimi i samitit është ta shënojmë dhjetëvjetorin e nismës Brdo – Brijuni Process, gjë që, për shkak të epidemisë nuk arritëm ta bënim vitin e kaluar. Para së gjithash dëshiroj të bisedojmë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Duket se besimi në procesin e zgjerimin ka rënë në të dy anët – shumë sish në BE flasin për lodhjen nga zgjerimi, ndërsa në shtetet që dëshirojnë në BE, ky qëllim po shtyhet aq, sa po bëhet gjithnjë e më pak atraktiv. Kjo është e rrezikshme, pasi me këtë fuqizohen nacionalizmat dhe kërkohen alternativa. Bashkimi Evropian është projekt i paqes dhe pajtimit dhe është koha e fundit që të zgjerohet në tërë hapësirën e Ballkanit Perëndimor, që momentalisht paraqet një njollë ngjyrë hiri të rrethuar me shtetet anëtare të BE-së. Pra, pres një diskutim të hapur dhe konstruktiv lidhur me atë se çka mund të bëjmë gjithkush vetëm dhe në bashkëpunim të ndërsjellët për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe çka duhet të bëjë Bashkimi Evropian.

Ndryshe, në vendin tonë nesër do të qëndrojë presidenti Pahor, i cili do të jetë në Prishtinë pasdite dhe do të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe me zyrtarë të tjerë institucionalë e partiakë. /Telegrafi/