LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e Kinës do të rritet 6.5%

Ekonomia e Kinës do të rritet 6.5%

Kina do t’i arrijë objektivin për rritjen ekonomike prej rreth 6.5% këtë vit, madje edhe mund ta kalojë, deklaron kreu i Byrosë së Statistikave, duke konfirmuar pritshmëritë e tregjeve financiarë.

Hapat e ndërmarra nga qeveria për të frenuar rritjen e shpejtë të çmimeve në tregun e pronave ka qenë efektive, sipas zyrtarëve në vend. Analistët e prisnin gjerësisht që rritja për vitin e plotë të kalonte objektivin e qeverisë, ndërkohë që ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 6.9% në gjysmën e parë të vitit, nxitur nga shpenzimet e forta në infrastrukturë nga Qeveria.

Nëse rritja ekonomike kalon normën prej 6.7% që kishte vitin e kaluar dhe njëkohësisht normën më të ulët në 26 vite, do të shënohej hera e parë e përshpejtimit të ekonomisë në 7 vite.

Ndërsa rreziqet për një recesion janë larguar, politikëbërësit janë bërë më të gatshëm për të trajtuar nivelin gjigant të borxhit dhe të zbatojnë reformat e vështira strukturore. Ndërsa ekonomia mund të humbasë pak vrull në muajt e ardhshëm për shkak të rritjes së kostos së huamarrjes dhe ngadalësimit të aktivitetit në pasuritë e paluajtshme, analistët thonë se do të jetë e përkohshme.

Banka Botërore rriti javën e kaluar projeksionet për ekonominë kineze në 6.7% për këtë vit dhe 6.4% në 2018-ën. Disa kritikë, përshirë FMN, kanë argumentuar se Kina duhet të braktisë caktimin e objektivave për rritjen, duke lejuar një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më pak të varur nga stimujt qeveritarë.

Kina zakonisht e cakton objektivin për Produktin e Brendshëm Bruto gjatë takimit të qeverisë në fund të vitit dhe e lajmëron në takimin vjetor të parlamentit në fillim të vitit që vjen.

Zyra e Statistikave raportoi gjithashtu se norma e papunësisë në qytetet kryesorë rezultoi në 4.83% gjatë Shtatorit, normë që shumë analistë thonë se është një tregues i pabesueshëm i kushteve kombëtare të punësimit. /Telegrafi/