LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e Kinës më e dobëta në 30 vite

Ekonomia e Kinës më e dobëta në 30 vite

Ekonomia e Kinës në tremujorin e tretë të 2019-së u rrit me 6 për qind ose në nivelin më të ulët të 27 viteve të fundit. Aktiviteti i dobët industrial, import-eksportet më të pakta dhe lufta e tarifave me Uashingtonin janë disa nga shkaqet e përkeqësimit ekonomik.

Betejat tregtare kanë ndikuar që rritja ekonomike e Kinës të arrijë pikën më të ulët që nga vitet ’90-ta, duke dhënë edhe sinjalet e recesionit botëror.

Byroja kineze e statistikave njoftoi të premten se sektorët e industrisë, ndërtimit dhe import-eksportet u ngadalësuan për të pestin muaj në tremujorin e tretë, përcjell Telegrafi.

“Të dhënat paraprake tregojnë se prodhimi i brendshëm bruto për tre tremujorët e këtij viti arriti në 9,8 trilionë dollarë. Sipas tremujorëve, rritja në të parin ishte 6.4 për qind, 6.2 për qind dhe në tretin 6 për qind”, njoftoi zëdhënësi i zyrës kineze të statistikave.

Pekini mbetet optimist se pulsi ekonomik do forcohet sërish në tremujorin e fundit të 2019-së, falë stimujve të rinj fiskalë, uljes së taksave dhe ndërhyrjeve bankare për manifakturat vendore.

Situatën mund ta ndihmojë edhe arritja e një marrëveshjeje tregtare me SHBA-në.

Negociatat raportohet se po avancojnë mirë, dhe nisur nga ky fakt, Uashingtoni vendosi këtë javë të pezullojë hyrjen në fuqi të rritjes tarifore për importet kineze me vlerë 250 miliardë dollarë.

Palët kanë rënë dakord për rritjen e shkëmbimeve tregtare në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërsa pritet të nisin diskutimet edhe për çështje si pronësia intelektuale, ndërveprimet financiare dhe teknologjia.

Të dhënat e ekonomisë kineze vijnë pasi FMN-ja informoi së fundmi për një ulje në 3 për qind të rritjes ekonomike botërore, ndërsa bursat e Shangait dhe Hong-Kongut raportuan deri 1.2 për qind zbritje. /Telegrafi/