LAJMI I FUNDIT:

Ekipi i dialogut të martën përsëri në Bruksel, takohen me Mogherinin

Ekipi i dialogut të martën përsëri në Bruksel, takohen me Mogherinin

Ekipi negociator i Kosovës, pritet që ditën e martë të qëndrojnë në Bruksel, për t’u takuar me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinin.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë një konferencë për media.


Hoxhaj ka thënë se në muajt e ardhshëm priten takime më intensive për vazhdimin e dialogut, raporton Telegrafi.

Këto komente Hoxhaj i bëri pasi një takimi me homologun e tij nga Maqedonia, Bujar Osmani.

“Biseduam për disa çështje kryesore e informova për dinamikën e dialogut Kosovë-Serbi ku në shkurt, mars, prill presim agjendë intensive të takimeve në Bruksel ndoshta javën e ardhshme do ta kemi një takim, se çfarë ndodh me raportet bilaterale Kosovë-Serbi ka të bëj me këto dy vende por edhe rajonin”, ka thënë Hoxhaj.

Për vizitën në Bruksel kishte folur dje edhe bashkë-kryesuesi i dialogut, Shpend Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu ka paralajmëruar se shumë shpejt ekipi negociator do ta dërgojë në Kuvend, platformën e bisedimeve me Serbinë.

Ai është shprehur i bindur se platforma do të jetë e gatshme para 30 janarit, kur pritet të fillojë sesioni pranveror në Kuvend.

“Besoj që para 30 janarit do të jemi në gjendje ta dorëzojmë platformën e dialogut. Ajo platformë është e bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Ky dialog e ka një qëllim, që ta përmbyllë procesin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ka njohje, atëherë, për neve ky dialog as që ka kuptim, dhe as që meriton të humbim kohë sepse është e qartë se Kosova është përfshirë në disa valë të kompromiseve”, ka thënë Ahmeti, raporton Telegrafi.

Ahmeti gjithashtu ka treguar se ekipi i dialogut ka krijuar gjashtë komisione në kuadër të mandatit të tij, që e ka marrë nga Kuvendi.

Ai ka bërë të ditur se komisionet e krijuara janë: për të zhdukurit, për pronat, trashëgiminë kultutore, për të drejtat e minoriteteve, komisioni për krimet e luftës dhe ai për ekonomi.

Gjithsesi, ai është shprehur skeptik për arritjen e një marrëveshje përfundimtare. /Telegrafi/