LAJMI I FUNDIT:

Ej, Toso, pse ike me kaq ngut?

Ej, Toso, pse ike me kaq ngut?
Rikard Ljarja

Nga: Rikard Ljarja

Ej, Toso, ç’pate që ike me kaq ngut?! Me kë u zemërove?

Ne të gjithë të deshëm, fort. Athua të mbaruan fjalët?!

Nuk e besoj! Ti kishe shumë për të thënë, me zërin tënd të butë si kadife, me mendjen tënde të qartë si kristal.

Pse ike kaq shpejt, o mik?

U takonim vite përpara, në vitet e vështira në “Bar West”. Aso kohe, ti i kishe flokët e gjatë pak si biond të lidhur nga mbrapa. Pinim kafe. Bënim ndonjë thashethem pa zarar. Aty ishin të gjithë: Lakoja që e pinte konjakun në banak, Shvarci që nervozohej kur lexonte gazetat me mungesën e drejtshkrimit, Panoja që rrinte në një tavolinë vetëm me një copë letër dhe një stilolaps dhe shkruante poezi me forma klasike me katër vargje dhe me rima të alternuara. Diku në ato poezi je edhe ti o Tos. Ishte edhe Sokoli, juristi, miku ynë; ishte Roku i kudogjendshëm; Mond Laçi, Tori, nganjëherë vinte edhe Edi.

Punuam te “Vizion Plus”. Rrinim pothuaj gjithë ditën bashkë. Një ditë kur po rrinim në kafe pa folur gjatë, ti, papritur, sikur u kujtove për diçka:

– Kam gjet një fotografi tendën në shtëpi.

– Çfarë? – Në dasmën e nënës sime.

U kujtova, isha shumë i ri kur një ditë Vehbi Çanga më tha se martonte motrën dhe…

Aso kohe, unë isha “ahengxhi”, mora fizarmonikën dhe shkova në dasmën e nënës së Tosit. Nuk ma merrte mendja se do të isha fiksuar në një fotografi.

Mbasi u mbyll “Bar West”-i, ndërruam vend. Shkuam te “Friend’s Bookhouse”, te Ladi.

Prapë mblidheshim: Plutoni, Gerta, Astriti i papërtueshëm, Eno, Dash Balla, Tan Huqi, Misha… aty prisnim edhe miq të rastit që ndalonin, pinin nga një gotë, ndërronim muhabet… Dash Shehi…

Të gjithëve na mblidhte Tosi. Po të mos ishte Tosi, asnjeri nuk do rrinte aty.

Jetonte në shtëpi me qira. Një ditë kishte blerë një kilogram oriz.

– Po bëke pilaf!

– Jo, e kam për pëllumbat.

– Pëllumbat?

– Kanë mbet pa zot, janë vrarë çunat që i mbanin.

Dhe kujdesej për pëllumbat e viktimave!

Seç kishte një trishtim që nuk iu nda asnjëherë.

Kujdesej edhe për të panjohurit. Më 1997, mbasi bandat vodhën e grabitën, i vunë edhe flaken “Bankës së Kursimeve” në Shkodër, flaka e 1997-ës dogji edhe shtëpinë që ishte sipër saj, kështu që qytetari mbet në mes të katër rrugëve dhe e pa të udhës të kërkonte ndihmë, duke bërë një thirrje në gazetë. Tosi shkroi një artikull. Dhe, qytetari iu përgjigj: Kush je ti o Fatos Baxhaku që më del zot pa më njohur?!

Më pyete se kush ishte ky njeri, më the emrin: Agostin Ashta. Me zor e gjeta se kush ishte, sepse ne të gjithë e thërrisnim: Gusti!

I urreje lavdërimet.

Kur promovoi një libër që bashkëpunoj me Klodi Kapon në sallën e Ministrisë së Kulturës, mbasi mbaroi promovimi ishte shumë nervoz. Iu afrova andej nga fundi, desha ta uroj.

Seç mërmëriti nëpër dhëmbë.

– Çfarë ke?

Prapë diçka mërmëriti.

E mora vesh.

I fola dy-tri fjalë, që ishte nderë që e lavdëronin, se e meritonte…

Nuk më la të mbaroj.

Prapë foli nëpër dhëmbë.

Nuk e ngacmova më.

Urimet për librin ishin unanime dhe të sinqerta.

Nuk i duronte. E quante se kishte bëre vetëm detyrën.

E donte vajzën, vajzat e tij. Kam qëlluar shpesh kur takoheshin.

Si përkujdesej, për gjithçka.

Edhe për… vazhdonte të ndihmonte

Ne të gjithë e donim fort.

E donin edhe të gjithë vajzat e tjera. Nuk e di pse. Ndoshta sepse ishe i ëmbël, i butë, fjalëpakë dhe që rrezatoje vetëm mirësi, fort.

Edhe ai i donte, i donte. Dhe i ndihmonte sa herë i jepej rasti. Vajzat.

Ej, Toso, ç’pate që ike me kaq ngut?

Na le një boshllëk të madh.

Ti nuk e paske ditur se kush je, se ndryshe do të rrije, do të rrije se na duheshe: Për mjeshtërinë e profesionit që e bëje pa hile dhe pa kërkuar asgjë. Do të rrije për të mbaruar ato që kishe planifikuar. Se i duheshin atdheut (thashë një fjalë të madhe që ai nuk donte), po, po atdheut, e them me gojën plot. Se ti ishe ai që po na mungon çdo ditë: I ndershmi, i ndershmi me veten, me ne të gjithë, i dashuri, i buti, i trishtuari, hallemadhi, se edhe halle kishe me shumicë, po nuk u ankove kurrë.

U hap dera dhe vura re se i ngjite ato dy shkallë me zor. “Pse qenka kaq i lodhur”, thashë me vete. Pastaj filloi një ceremoni e vogël për promovimin e një libri timin (se mbasi mbarova me kinemanë, kam filluar të shkruaj meqë s’bëj dot film më).

Pas pak po e kërkoja me sy se ku ishte futur, po nuk e pashë.

Ishte hera e fundit që e shikoja.

Më vonë mora vesh se ishte sëmurë dhe erdhi.

Kaq sëmurë ishte sa nuk arriti të qëndrojë deri në fund, e megjithatë erdhi.

Erdhi.

Po iku.

Ej, Toso, pse ike me kaq ngut?

Ne të gjithë të deshëm.

Fort.

Pushofsh në paqe, miku i im!