LAJMI I FUNDIT:

Edhe viti 2019 jo i favorshëm për liberalizimin e vizave, flasin analistët

Edhe viti 2019 jo i favorshëm për liberalizimin e vizave, flasin analistët

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë e ka quajtur të arsyeshme nëse do të mbahej edhe një takim i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) në muajin shkurt dhe të merrej vendimi për liberalizimin e vizave, por njohës të çështjeve politike në vend megjithëse e vlerësojnë si kërkesë të drejtë, thonë se asgjë nuk ka të sigurt sa i përket vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën.

Në një prononcim për Telegrafin njohës të rrethanave politike theksuan se disa vende evropiane deri tash nuk kanë treguar gatishmëri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se politikat e brendshme të shteteve anëtare po shprehen në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian.


Analisti Ramush Tahiri në një prononcim për Telegrafin theksoi se kryeministri me të drejtë ka dhënë një deklaratë të tillë, por se a do të ketë sukses nuk dihet.

Tahiri ka thënë se vendet evropiane deri tash nuk kanë treguar gatishmëri për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Varet prej politikave evropiane, pasi deri tash nuk kanë treguar gatishmëri. Politikat e brendshme të shteteve po shprehen në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) sepse vendet nuk po munden t’i autorizojnë ministrat pro liberalizimit. Ramush Haradinaj me të drejtë e paraqet një kërkesë të tillë edhe zyrtarisht edhe publikisht por a do të ketë sukses nuk dihet”, ka thënë Tahiri.

I pyetur se a do ketë mundësi që vendimi për liberalizim të vizave të merret në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, ai tha: “Nuk besoj. Shansi i fundit është ashtu siç ka thënë Haradinaj në shkurt, nëse mbahet mbledhja, përndryshe nëse nuk mbahet nuk ka liberalizim të vizave”.

Haradinaj: Serbia një mini Rusi në Ballkan, nëse nuk na njeh taksa do të mbetet përgjithmonë

Ndryshe nga Tahiri, politologu Musa Preteni, vlerësoi se vendimi ka gjasa të mëdha të merret brenda gjashtë mujorit të parë që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm.

“Kosova ka përmbushur kushtet dhe kjo qasje e BE-së është jo transparente në raport me Kosovën. Mendoj që vendimi ka gjasa të mëdha të merret brenda gjashtë mujorit të parë dhe qytetarët e Kosovë të mund të lëvizin lirshëm”, potencoi politologu, Preteni.

Ai theksoi se takimi i radhës i Këshillit të Ministrave është në mars të këtij viti, por sipas tij sërish asgjë nuk ka të sigurt sa i përket vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën. Preteni tha se hezitimi i vendeve të fuqishme është shprehur hapur.

“Takimet e Këshillit të Ministrave përcaktohen shumë më herët nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe si të tilla janë të pandryshueshme përveç në rastet e zhvillimeve të jashtëzakonshme. Në këtë frymë edhe kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk mund të bëjë ndonjë ndryshim eventual në agjendën e përcaktuar për vitin 2019. Takimi i radhës është në mars të këtij viti, por sërish asgjë nuk ka të sigurt sa i përket vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën nisur nga fakti që hezitimi i vendeve të fuqishme është shprehur hapur”, vlerësoi ai.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj të hënën në një konferencë për media ka folur rreth një takimi të Këshillit të Ministrave që do të mbahet sipas Haradinajt në shkurt të këtij viti.

“Jemi në nevojë që BE të merr vendim për liberalizimin e vizave sa më shpejtë… Do të ishte e arsyeshme që të mbahet një takim i Këshillit të Ministrave në shkurt që t’na jepnin liberalizimin, do ta lehtësonte gjendjen në Kosovë”, kishte thënë, Haradinaj. /Telegrafi/