LAJMI I FUNDIT:

E vërteta e Himarës…(Video)

E vërteta e Himarës…(Video)

Himara u bë për muaj të tërë qendra e retorikës së fortë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Projekti urbanistik për rregullimin e qytetit të vogël bregdetar u cilësua nga Greqia si një shkelje e të drejtës pronësore. Miratimi i projektit pengohej me forcë në Këshillin Bashkiak të Himarës dhe në të njëjtën mënyrë u miratua nga shumica e këshilltarëve që u mblodhën në fshatin Kuç.


Plani urbanistik u miratua edhe nga Këshilli kombëtar i territorit. Ky ishte momenti kur tensioni u rrit por, negociatat jashtë vëmendjes së mediave vijonin për një zgjidhje të plotë të problemeve mes Shqipërisë e Greqisë.

Reagimi i Athinës, pothuajse pro Tiranës, ditën kur buldozerët nisën shkatërrimin e disa ndërtesave në Himarë, tregoi se negociatat kishin ecur mirë.

Me ndihmën e dhjetëra forcave të ndërhyrjes së shpejtë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit hodhi në tokë disa ndërtesa.

Fadromat nuk u ndalen nga protestat e banorëve dhe thirrjet e përfaqësuesve politikë të PBDNJ, por nga një vendim gjykate.

Himarjotët protestuan me flamuj grek, në qytetin e tyre, por edhe në Athinë, tashmë pa mbështetjen e Athinës.

“Ato që u prishën nuk zotëronin tituj pronësie. Pra janë ndërtesë pa pronarë të ligjshëm ose pronarët nuk kishin aplikuar për to”, tha ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Opozita greke e çoi shqetësimin e saj për Himarën në Bruksel, ndërsa opozita shqiptare çoi deputetin Flamur Noka në përkrahje të protestave dhe të nesërmen Himara u bë bashkë me hashashin, tema kryesore e replikave në Kuvend.

Larg tollovisë politike në Athinë e Tiranë, banorët e Himarës janë ende të shqetësuar për çka po ndodh me ta. Me të pakënaqur janë banorët e zonës së njohur me emrin Spile.

Gjykata e Vlorës pezulloi punën e IKMT-së për shkatërrimin e ndërtimeve, por mjetet e rënda janë ende atje në pritje të një tjetër vendimi.

Në plan janë 23 objekte që do të shemben për t’i hapur rrugë projektit, ndërsa deri tani janë prishur vetëm 8 të tilla, kryesisht mure rrethuese dhe biznese.

Por, pavarësisht kohës që ju dha Gjykata e Vlorës, shumë banorë nuk disponojnë dokumentet për pronat e tyre.

Thomai është 93 vjeç dhe jeton bashkë me të shoqen në një nga këto ndërtesa buze bregut, për të cilin pritet vetëm vendimi i gjykatës dhe mund të shembet nga dita në ditë. Ai pranon që është i pajisur pjesërisht me dokumente dhe nuk ka legalizim të ndërtimit.

“Dokumente kam pjesërisht, shtëpia është imja, s’kam bërë dokumente të tjera. Nëse prishet, ku do të shkoni ju të dy? Nuk e di në det. Mund të bësh diçka me lekët që do të marrësh nga shpronësimet? Të marr leka, nuk i marre le t’i mbajnë ata, ç’i dua unë . Po këtu dua të rri unë, nuk dua shpronësime”, shprehet Thoma Neranxi, Banor Himare.
Gjenovefa, me ironi na tregon se sa të lehtë e ka ajo që pas ndërhyrjes së IKMT-së të futet në shtëpi.

“Ja pra kjo është shtëpia, kjo është porta e avllisë që e rrëzuan, mirë e bën, me lehtësuan punë që të mos lodhem hap e mbyll. Do të thuash se si e bën? Ishte darkë pas orës 6-të, ishte errur dmth, kalonin gjasmë për të parkuar në mol, edhe thanë hajde të bëjmë edhe ndonjë punë këtu duke ecur. Kur erdha unë kishte mbaruar filmi, e kishin rrezuar dhe ishin duke ikur, sepse kishim dal njerëzit , kishin bërtitur, kishin ulëritur. Mua s’ më ka ardhur asnjëlloj njoftimi as me shkrim e as me gojë që do më prekin çfarëdoqoftë ajo që do më prekin. Mua më kishin thënë siç i kanë thënë edhe të tjerëve, që do vijnë do bëjnë matje dhe të më dëmshpërblejnë. Që të më shpronësojnë duhet të kem përpara dokumentin e pronësisë, logjika ata as dokument pronësie s’japin , as vlerësim objekti, trualli nuk bëjnë edhe vijnë e rrëzojnë siç u do qejfi atyre”, thotë Gjenovefa Neranxi Banore Himare.

Në zonën ku do të ndërtohet shëtitorja pavarësisht se këto janë ndërtesa të trashëguara brez pas brezi, nuk ka asnjë të mbrojtur, siç edhe pretendohet. Problemi i shumicës prej pronareve mungesa e dokumenteve për ato që i quajnë prona të tyre, duke u mjaftuar vetëm me ato që kanë pasur para viteve 90’. Ministri Gjiknuri ju premtoi se në Himarë do hapej një zyrë e veçante e Hipotekave.

“Jam 4 vjet në proces legalizimi, që procesi i legalizimit që kam bërë në Vlorë thotë se nuk ka të drejtë shteti të ndërhyj nga moment që është në proces legalizimi. Jam në tokën time, unë nuk jam këtu në tokën e tjetrit , jam regjistruar që në 52-shin ne kadastrën e Vlorës. Edhe takimi i fundit që do bëhet sot, unë mendoj se nuk ka rrugëzgjidhje. Nuk kam pse t’i zbraz se jam në shtëpinë time dhe nuk kanë sesi të më nxjerrin me dhunë. Shtëpia po e zëmë, në vijën e parë që jemi ne në Himarë, domethënë shkon tek 1000 euro metri katror, nëse do të biem dakord me bashkinë që të vazhdoj projekti i bashkisë, duhet të na vlerësojë edhe ne me çmimin e tregut jo me një vlerë qesharake. Për shembull, unë që do të më prishet objekti, ku do të shkoj unë, me 15 milionë të vjetra domethënë, ku do shkojë unë?”, thotë Elton Beizi, banor në Himarë.

Fondi për shpronësimet ku do të ndërtohet shëtitorja në Himarë është rreth 1 milionë euro.

“Një pjesë e objekteve kanë filluar që të marrin edhe shpërblimin monetare, një pjesë kanë hapur edhe gjyqe për të përfituar diçka më tepër, kurse një pjesë akoma nuk po vijnë për të bërë dokumentet në mënyrë që të vazhdojë procesi i shpronësimit”, thotë Jorgo Goro, kryetar i Bashkisësë Himarës.

Pikërisht për këta banorë, të cilët nuk kanë dokumente, me qëllim që të shmangen tensionet është ngritur edhe një grup pune nga përfaqësues të disa institucioneve, si Bashkia Himarë, Zyra vendore e regjistrimit te pasurive te paluajtshme Vlorë dhe Drejtoria e Shpronësimeve në Ministrinë e Infrastrukturës. Ky grup po punon për të ndihmuar banorët, të bëjnë sa më shpejt dokumentet që u mungojnë, që të gjithë ata që do preken nga plani urbanistik të kompesohen me para në dorë. E për këtë vihet re edhe radhë për të marrë informacion ose për t’u pajisur me dokumentet përkatëse para se t’u vijë radha shtëpive të tyre.

“Lajmërimet janë bërë, por pretendimet tona janë se në jemi në tokën tonë, toka e hipotekuar, unë për shembull, lokali është me leje nga KRT-ja këtu, të gjitha. Të gjithë të pahipotekuar i kemi s’është bërë legalizimi këtu. Ndërkohë, ju keni filluar ta boshatisni lokalin dhe shtëpinë tuaj këtu? Po , po edhe herën e parë para një viti e boshatisa, ndejti një vit kështu, tani prapë e boshatisa”, shprehet Andrea Zoto, banor i Himarës.

Në rradhën e gjatë të pronareve, nuk mungojnë edhe ata që nxisin për protestë.

Po pavarësisht frikës së banorëve, nëse do arrijnë të pajisen me të gjitha dokumentet, apo nëse do përfitojnë kompensim të plotë sipas çmimit të tregut, situata është më e ç’tensionuar se në ditët e para kur specialistët e IKMT-së mësynë drejt Himarës, që t’i hapin rrugë projektit të tenderuar prej një viti, por që ka mbetur në pritje për shkak të pronarëve. Kryetari i Bashkisë Himare, thotë se megjithëse ky projekt është në interes të qytetareve, ka pasur një dorë politike kundra.

“Është një investim që i ka munguar Himarës, është një investim që e kthen qytetin e Himarës në qytet se deri tani s’ka qenë qytet dhe i jep prespektiva shumë të mëdha kësaj zone që ka etje për investime. Kanë marrë nga bashkia ç’do ndihmë të duhur ligjore, por edhe proceduriale në mënyrë që të regjistrojnë pronat e tyre, por kuptohet që nga mbrapa ka një dorë që nuk i ka lejuar këta qytetarë që të vazhdojnë procedurat siç i kishim nisur në fillim. Pra ka qenë e penguar nga një forcë politike me përfitime të vogla”, thotë Goro.

Ndërtimi i shëtitores, që kap vlerën e 3,5 milionë eurove, pritet të përfundojë në një afat prej 12 muajsh. Por, për kreun e shoqatës Omonia, Fredi Bejleri, pritshmëritë janë larg asaj që po ndodh, përfshirë këtu edhe komisionin e ngritur për përshpejtimin e legalizimeve.

“Kishim rënë dakord që të bëhet regjistrimi i pronave me inspektorë të posaçëm dhe në mënyrë të shpejtuar, kjo gjë nuk po ndodh. Ndjehemi të zhgënjyer sepse nxitimi i shtetit për të vepruar fsheh mendime të mbrapshta. Ne i stimulojmë që të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar. Ligji thotë se 2 muaj më përpara se të ndërhyj fadroma, duhet të jenë shpronësuar, kjo gjë nuk ka ndodhur. Nuk dua të besoj se fadromat nuk do t’i binden edhe vendimit të Gjykatës, presim vendimet e gjykatave dhe nëse ato nuk na japin të drejtë do t’i drejtohemi gjykatave ndërkombetare”, shprehet Fredi Bejleri, kreu i OMONIA-s.

Gjithsesi, tashmë si banorët ashtu edhe qeveria, sytë i kanë nga Gjykata e Apelit. Njëra palë shpreson që të pezullohen shembjet dhe t’u njihet e drejta e pronës, ndërsa tjetra të vijojë me planin urbanistik.

Mbi dyqind kilometra larg Tiranës, atje ku Himara preku foltoren e Kuvendit, në qytezën e bregut, situata është qetësuar, por problemi është larg mbylljes.

Retorika nacionaliste dhe akuzat me sfond etnik, i kanë lënë vendin shqetësimit real të banorëve: atë mbi pronat, mbi ligjin dhe mbi vlerat monetare. Që përbën dhe faturën financiare të një sherri, që nisi për rilindjen urbane dhe përfundoi sot në Bruksel.

Në trend Lajme

Më shumë
Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Drejtësi
Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Plagosen dy persona në Ferizaj

Plagosen dy persona në Ferizaj

Kronika e Zezë
Takimi i Kurtit me Baerbock, Ministria e Jashtme Gjermane: U diskutua se si t’i hapet rruga anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Takimi i Kurtit me Baerbock, Ministria e Jashtme Gjermane: U diskutua se si t’i hapet rruga anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Kalo në kategori