LAJMI I FUNDIT:

Prishtina digjitalizon aplikimin për kushte dhe leje ndërtimore

Prishtina digjitalizon aplikimin për kushte dhe leje ndërtimore

e-Leja digjitalizon aplikimin për kushte dhe leje ndërtimore.

Pako e shërbimeve në ueb, “e-Leja, e-Nënshkrimi, e-Përcjellja”, e vënë plotësisht në funksion dhe e hapur për përdorim të përgjithshëm nga 1 janari i këtij viti, e kthen në proces krejtësisht digjital të gjithë fazën e aplikimit për kushte dhe lejë ndërtimore në Komunën e Prishtinës.


Përmes këtyre shërbimeve arrihet që, nga fillmi dhe deri në fund, i tërë zinxhiri i aplikimit, vlerësimit dhe marrjes së kushteve dhe lejeve ndërtimore të realizohet me lehtësi dhe garanci maksimale, si në rrafshin kohor, në atë profesional dhe, duke qenë plotësisht transparent, rrit besueshmërinë në vërtetësinë e rezultateve që dalin në fund.

Platfroma funksionon në atë mënyrë që softuerët komunikojnë me njëri-tjetrin, në tërësinë e fazave të procesit. “e-Leja” mundëson aplikimin për kushte dhe leje ndërtimore. Mirëpo, për t’u kompletuar si i tillë, duhet që të vendoset apo krijohet nënshkrimi digjital, përmes softuerit “e-Nënshkrimi”. Dhe për ta përcjellë çdo fazë, përparimin dhe vlerësimin, “e-Përcjellja” mbledh dhe ofron të gjitha informacionet e nevojshme.

Brenda një viti në Prishtinë, për kushte dhe leje ndërtimore ka pasur rreth 400 aplikime. Miliona metra katrorë. Dhe vetëm shtatë zyrtarë për t’i kontrolluar.

Problematika e shkaktuar ka qenë e rëndë, për komunarët dhe për arkitektët.

“Një problematikë që, mua personalisht, më ka shkaktuar shumë probleme, ka qenë ajo e planeve ekzistuese të cilat, ne si drejtori i implementojmë, dhe në bazë tyre jepet leje ndërtimore”, thotë Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizmit, i cili shton që një pjesë jo e vogël prej tyre “kanë qenë pa ndërlidhshmëri mes vete, nuk ka ekzistuar mundësia që t’i shohësh dhe t’i kesh gjërat, si të thuash, më të qarta dhe më nën kontroll”.

Këtë e ka bërë më të rëndë, sqaron ai, fakti që numri i punëtorëve ka qenë jashtëzakonisht i vogël, për të mos thënë papërfillshëm, karshi dinamikës shumë të madhe të ndërtimit.

Që mënyra e vjetër kishte probleme të mëdha, qoftë për shkak të radhëve të gjata që krijoheshin në sportelet e komunës, numrit të madh të dokumentave që kërkoheshin si kopje të forta dhe në formatin digjital, dhe që nuk kuptohej pse kur e për çfarë duheshin në njërin dhe kujt i duheshin në tjetrin, e thonë edhe arkitektët Arbër Shala e Alban Krasniqi.

“I kam numëruar dhe kanë qenë 25 libra minimumi, deri në 28 libra, që i kemi dorëzuar në Urbanizëm. Po ju them sinqerisht, nëse e vizualizoj pak, unë them nje karrocë me letra, një gjysmë kerri dhe madje më shumë”, thotë arkitekti Shala, teksa mundohet ta sqarojë burokracinë me të cilën janë përballur.

Të tillë e kishte gjetur gjendjen kur qe betuar si kryetar, Përparim Rama. I rritur profesionalisht në vende që, kohë më parë, i kanë lënë prapa dëngjet me letra, ai do ta kthente në një prej qëllimeve që do t’ia udhëheqnin punën, shndërrimin e këtij procesi në digjital.

“Kam menduar që është me rëndësi të madhe të digjitalizohet”, thotë ai, duke shtuar që nuk e kuptonte pse një punë që mund të kryhej dhe të zgjidhte shumë probleme, ishte kthyer vetë në një prej më të mëdhave telashe të adminstratës komunale.

“Është një gjë e nevojshme dhe e mundshme që, në të njëjtën kohë, heq shumë burokraci të panevojshme”, kujton ai, të ketë qenë një prej fjalive që e kishte përsëritur më shpesh, kur po bëheshin planet për të nisur puna në realizimin e projektit.

Tani, muaj pas, platforma është gati.

“Është një procedurë ku, çdo hap, përmes aplikimit digjital, lë shenjë, lë gjurmë, ka afate të caktuara dhe kur ato kalohen mbyllet mundësia e vazhdimisht të aplikimit. Nuk ka askush nevojë të endet nëpër korridore dhe të flasë me zyrtarë, shefa, drejtorë”. Kështu flet drejtori Sadiki, duke treguar lehtësirat që u krijohen të gjithë atyre që nga 1 janari i 2024-ës aplikojnë për kushte dhe leje ndërtimore.

Përveç aplikimit për leje, platforma do të jetë njëlloj portali, që u ofron mundësi ta kontrollojnë punën e Drejtorisë së Urbanizmit. “Portali për qytetarë është portal publik, i cili ua mundëson qytetarëve që t’i shohin gjitha vendimet, për lejet të cilat janë aprovuar apo çdo vendim tjetër që është nxjerrë”, shpjegon Edin Verbiqi, kryeprogramer i kompanisë që e ka ndërtuar platformën.

Madje edhe procesi i vlerësimit të aplikimeve për kushte dhe leje ndërtimore do të jetë shumë më transparent. Për këtë qëllim është krijuar ajo që kryetari Rama e quan “pool of professionals” dhe që është një tërësi profesionistësh të cilët do t’i vlerësojnë projektet, pa e ditur njëri për tjetrin. Një projekt në të shumtën e rasteve do të vlerësohet nga tre të tillë. “Nëse të tre i japin notë kaluese, projekti ecën përpara, siç ndodh edhe nëse nota kaluese janë dy. Por, nëse është e kundërta dhe ka vetëm një apo asnjë notë kaluese, atëherë projekti kthehet mbrapsht”, sqaron Rama.

Formën më korrekte të mundshme, e quan këtë arkitekti Krasniqi. Kolegu i tij Shala, ndërkaq, ka një epitet tjetër. Të mrekullueshëm e cilëson projektin i cili thotë se do t’ia mundësojë që të gjitha punët, për të cilat humbte dhjetëra ditë e qindra orë pune, të mund t’i kryejë nga zyra.

Kjo platformë është shumë e rëndësishme dhe ndonëse pjesë e madhe, mbetet njëra nga shumë të tilla që e kompletojnë infrastrukturën digjitale. Në nivelin lokal ky mbetet hapi i parë, që do të vazhdojë në kadastër, planifikim dhe drejtori tjera. “Do të ishte mirë të lidhet edhe me nivelin qendror”, nënvizon drejtori Sadiki.

Ëndrra e kryetarit Përparim Rama është akoma më e madhe. “Vizioni për qytetin është që ta kthejmë në ‘smart city’, pra në qytet të mençur”, thekson ai. Edhe kur mbaron mesazhet politike dhe ato që lidhen me punët që janë kryer, po kryhen apo do të kryhen, që synon kthimin e Prishtinës në qytet tërësisht digjital, e përsërit vazhdimisht.

Udha drejt Prishtinës digjitale është çelur e po ndërtohet. Dhe një nga stacionet e rëndësishme është “e-Leja”./ShAK/

Në trend Lajme

Më shumë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Theret me thikë një person te Liqeni i Batllavës në Orllan

Theret me thikë një person te Liqeni i Batllavës në Orllan

Kronika e Zezë
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori