Trajneri Hansi Flick është kundër rikthimit të mbrojtësit Joao Cancelo te Barcelona gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sipas “Marca”, trajneri i Barcelonës e ka bërë të qartë se nuk po insiston për rikthimin e përfaqësuesit portugez në “Camp Nou”. Vendimi i Flick përputhet me qëndrimin e përgjithshëm të klubit, i cili ka përcaktuar prioritetet për këtë afat kalimtar.


Drejtuesit e Barcelonës kanë vendosur që fokusi kryesor të jetë përforcimi i repartit defensiv, konkretisht afrimi i një qendërmbrojtësi, dhe jo shtimi i Joao Cancelos në skuadër. Kjo lidhet drejtpërdrejt me nevojën për të mbuluar mungesën e Andreas Christensen, i cili është jashtë fushave për shkak të lëndimit.

Një tjetër arsye pse transferimi i Cancelos shihet si shumë i vështirë ka të bëjë me politikën e klubit për merkato. Barcelona dëshiron të shmangë afrimet afatshkurtra dhe po synon lojtarë që përputhen qartë me projektin sportiv afatgjatë.

Edhe pse Cancelo vazhdon të vlerësohet brenda klubit për cilësitë e tij, paga prej rreth 15 milionë eurosh që ai përfiton aktualisht te Al Hilal konsiderohet e pamundur për t’u përballuar nga Barcelona, duke pasur parasysh strukturën aktuale të pagave. Madje, edhe në rast të një uljeje të ndjeshme të pagës, një marrëveshje shihet si shumë pak e realizueshme.

Për pasojë, rikthimi i Joao Cancelos në janar mbetet thuajse i përjashtuar, teksa Barcelona dhe Hansi Flick janë të përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete për repartin e mbrojtjes.

Kësisoj, gjasat janë të mëdha që Cancelo t’i bashkohet Interit, skuadër që dëshiron ta kompletojë një ofertë shkëmbimi me Al Hilalin./Telegrafi

telegrafi sport app