LAJMI I FUNDIT:

E kam një ëndërr…

E kam një ëndërr…

Si sot 52 vjet më parë, një amerikan i madh, Martin Luther King, në mënyrë të pakuptimtë dhe tragjike humbi jetën duke shërbyer dhe udhëhequr Lëvizjen për të Drejtat Civile në Memfis. King u vra në 4 prill 1968, por lufta e tij paqësore për liri, drejtësi dhe të drejta të njeriut është po aq aktuale sot.

Rritja e Martin Luther Kingut si udhëheqës i të drejtave civile filloi në vitin 1955, kur ai drejtoi përpjekjet kundër segregacionit nëpër autobusë për disa vite me radhë.


Në gushtin e vitit 1963, përpjekjet e Martin Luther Kingut për të drejta të barabarta ishin shndërruar në një lëvizje kombëtare. Atë muaj, më tepër se 250 mijë njerëz morën pjesë në Marshimin e Uashingtonit. Marshimi i udhëhequr nga ai synonte të ushtronte presion ndaj ligjvënësve që të miratonin ligjin e të drejtave civile, që do t’i jepte fund diskriminimit.

“E kam një ëndërr, që një ditë, katërfëmijët e mi të vegjël nuk do të gjykohen më nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre”, tha Luter King ditën kur marshuesit u mblodhën para Memorialit të Abraham Lincolnit, në gusht 1963.

Ishin pikërisht këto protesta pa dhunë dhe fjalimet e tij që e çuan lëvizjen e të drejtave të njeriut përpara, si dhe e mbajtën vendin të fokusuar tek çështja e barazisë.

Martin Luther King mori Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1964.

Po atë vit, presidenti Lyndon Johnson nënshkroi Aktin e të Drejtave të Njeriut dhe një vit më pas Aktin e të Drejtës për të votuar. Këto masa nxorën jashtë ligjit segregacionin racor në vendet publike dhe praktikat diskriminuese që i ndalonin zezakët të votonin.

52 vjet më vonë, amerikanët kujtojnë jetën e Kingut, ndërsa shumë nga ëndrrat e tij janë realizuar, përfshirë zgjedhjen e Barak Obamës në postin e presidentit të parë afro-amerikan të Shteteve të Bashkuara. /ata/