LAJMI I FUNDIT:

E diela e kobshme e 25 korrikut në Kroaci

E diela e kobshme e 25 korrikut në Kroaci

Dëshira për t’i kaluar pushimet verore në Kosovë, i kushtoi me jetë, lëndime, trauma e gjithçka tjetër 67 bashkatdhetarëve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

E gjithë kjo ndodhi në Kroaci, pasi njërin nga dy shoferët që ngiste autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë – për një moment e kishte zënë gjumi mbi timon.

Sipas konfirmimit zyrtar, shoferi po lëvizte në korsinë jugore në drejtim të Lipovacit, në kilometrin e 211-të, kur humbi drejtimin dhe doli nga rruga, duke kaluar kështu në pjesën me bar dhe rrotulluar anash.

Si pasojë, 10 persona vdiqën, më shumë se 40 u plagosën, shumë prej tyre rëndë. Po ashtu brenda autobusit ndodheshin edhe 15 fëmijë.

Nga dhjetë te vdekurit, deri me tani janë identifikuar 7 persona, katër prej tyre janë nga Komuna e Gjakovës, dy nga Rahoveci dhe një nga Podujeva.

Gjendja shëndetësore e të mbijetuarve

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në spitalin e Slavonski Brod, Josip Samarxhiç, ka folur për gjendjen e të plagosurve.

Sipas tij 42 pasagjerë kishin kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa 15 prej tyre me lëndime të rënda.

Ai tregoi se dy persona janë vendosur në njësinë e kujdesit intensiv dhe po kryhen të gjitha procedurat e kujdesit intensiv, katër të tjerë tashmë janë operuar.

Humbin jetën nënë e bijë në aksidentin në Kroaci, shpëtojnë dy vajzat tjera

Në mesin e 10 viktimave nga aksidentit me autobus në Kroaci janë edhe një nënë e bijë nga fshati Devë i Gjakovës.

E.B, 19 vjeçare si dhe e ëma, V.B, 45 vjeçare.

“Vëllai në Gjermani na ka lajmëru sot në mëngjes se është rrotullu autobusi në Kroaci, edhe ai ka dyshu prej fillimit që gruja dhe çika e dytë janë të vdekura, sepse çika e madhe i ka tregu që e ka pa nënën dhe motrën e saj që kanë vdekur”, kanë thënë familjarët.

Ata më tutje njoftuan se dy vajzat e tjera janë duke u trajtuar në spitalin rajonal të Slavonski Brodit, dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Reagimi i autoriteteve kroate  

Pas aksidentit, kanë intervenuar policia kroate, zjarrfikësit, anëtarët e Shërbimit Emergjent dhe shërbimi tërheqës, të cilët bënë gjithçka për të ndihmuar sa më shumë të lënduarit.

Policia dhe prokurorët kroatë kanë hapur një hetim dhe rrethanat e aksidentit do të hetohen.

Zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal në Kroaci, Sllavko Pranjiq, ka thënë se është arrestuar shoferi i autobusit, që ka dalë nga rruga, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Sllavonski Brod.

“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë Pranjiq.

Kryeministri Albin Kurti viziton të lënduarit në Kroaci.

Kurti ka arritur të dielën në mbrëmje në qytetin Sllavonski Brod në Kroaci me helikopterin e ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it.

Ai është shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij qeveritar.

Kryeministri e ka quajtur shumë të rëndë ditën e diel, dhe ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa të plagosurve shërim të shpejtë.

Po ashtu ai ka falënderuar homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq për bashkëpunimin në këtë rast dhe ndihmën që u kanë ofruar autoritetet të plagosurve në këtë aksident.

Kurti ka thënë se ka vizituar të gjithë personat në spital, përfshirë dy persona që janë në kujdes intensiv.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, po ashtu u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të plagosurve, dhe ka thënë se autoritetet kroate po synojnë t’iu qëndrojnë afër të plagosurve.

Vëllai i shoferit që vdiq në Kroaci tregon bisedën e fundit me të

lir Sylmetaj, vëllai i vogël i shoferit që vdiq në aksidentin tragjik në Kroaci, thotë se rreth orës 8:30 janë njoftuar nga agjencioni ku ka punuar së vëllai i tij nuk i ka mbijetuar aksidentit.

“Sot në mëngjes para orës 6:00 kemi kontaktuar me vëllain dhe na ka njoftuar se  kanë arritur shëndoshë e mirë në Austri”, ka treguar për RTV Dukagjinin, Ilir Sylmetaj.

“Gjatë ditës kemi bërë apel te mediat që të mos japin informacione të pasakta në lidhje me këtë tragjedi. Vëllai ka vozitur maksimumi katër deri në gjashtë orë. Në momentin e aksidentit vëllai ka qenë në pushim [derisa autobusi është drejtuar nga shoferi tjetër]. Agjencioni na ka njoftuar se vëllai ka qenë në pushimore në momentin e aksidentit dhe për atë arsye ka mbetur i vdekur në vend”, ka deklaruar Ilir Sylmetaj.

Ai thotë se vëllai, Naser Sylmetaj, këtë punë e ka bërë prej një viti dhe se me këtë punë e ka mbajtur familjen.

“Të vetmen punë e ka pasur këtë. Më këtë punë e ka mbajtur familjen”, ka deklaruar vëllai i tashmë të ndjerit Naser Sylmetaj.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër.

E hëna ditë zie në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.

Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Në Prishtinë u nderuan viktimat e aksidentit në Kroaci, duke ndëzur qirinj

Dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin e sotëm u ndezën pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kryekuvendari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministrat Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Artane Rizvanolli, Faton Peci, deputetë, si dhe përfaqësues të institucioneve ndezën qirinjtë.

Qirinj ndezën edhe dhjetëra qytetarë të tjerë të cilët iu përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës për homazhe për bashkatdhetarët që humbën jetën mëngjesin e së dielës.

Eksperti kroat i komunikacionit flet pas aksidentit

Eksperti kroat i komunikacionit, Goran Husinec pas aksidentit tragjik të autobusit që ndodhi në autostradën e Slavonski Brodit, deklaroi se për një rrugë kaq të gjatë, dy shoferë janë pak.

“Secili shofer i autobusit mund të ngasë për 9 orë brenda 24 orëve, pas së cilës ka një pushim të detyrueshëm. Dhe kur bëhet fjalë për autobus, ai duhet të pushojë për 2 orë pas 21 orësh punë, por kjo nuk respektohet”, thotë Husinec, përcjell Telegrafi.

“Kjo rrugë zgjat rreth 25 orë, duke marrë parasysh qëndrimet në kufij. Dhe me turmat kur është sezoni, një udhëtim i tillë mund të zgjasë deri në 30 orë, kështu tani merreni me mend”, shton ai.

Ai tregon se si duhet të pushojnë shoferët gjatë këtyre rrugëve të gjata.

“Zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të sigurosh banesa, ku shoferët do të ndërroheshin dhe ata që vozisnin duhet të pushonin”, tregon ai.

Sa i përket aksidenteve në rrugë, Husinec thotë se problemi më i madh është se gjobat shkruhen por janë të vogla.

“Policia jep gjoba, por kur ishte hera e fundit që keni dëgjuar se dikush kishte paguar të njëjtën shumë”, pyet ai.

Ambasada e Amerikës, ajo e Italisë, si dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ngushëllojnë familjarët e viktimave për tragjedinë në Kroaci

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Twitter, ambasada amerikane u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve në këtë aksident.

Ngushëllime për familjet e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik këtë mëngjes në Kroaci. Ne i urojmë të lënduarve shërimin sa më të shpejtë të mundshëm”, thuhet në postimin e ambasadës.

Ambasada e Italisë 

“Ngushëllimet tona më të thella popullit të Kosovës për aksidentin tragjik të autobusit që ndodhi këtë mëngjes në Kroaci. Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë e viktimave, ndërsa u dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, thuhet në një postim në Facebook.

Ambasadori  Toma Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave nga aksidenti i sotëm në Kroaci, ku dhjetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar.

“Sot është një ditë tragjike për Kosovën pas aksidentit të autobusit në Kroaci. U uroj të lënduarve shërim të shpejtë dhe u shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjeve të viktimave”, ka shkruar Szunyog në Twitter. /Telegrafi.

Në trend Lajme

Më shumë
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

Lajme
Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Siguri
U raportuan tri gropa në

U raportuan tri gropa në "Ndreqe.com", Komuna e Prishtinës intervenon në rregullimin e tyre

Prishtina
Kalo në kategori