E ardhmja e Ibrahima Konate pritet të ndikojë drejtpërdrejt në lëvizjet e Liverpoolit gjatë afatit kalimtar të janarit, me klubin që po vlerëson opsionet për një qendërmbrojtës të ri.

Konate raportohet se ka refuzuar disa oferta rinovimi, megjithëse tërheqja e Real Madridit nga gara e ka rritur optimizmin e Liverpoolit për ta mbajtur francezin në “Anfield”.


Pavarësisht kësaj, drejtuesit e klubit mbeten të hapur për një largim të mundshëm nëse nuk arrihet marrëveshje për kontratën e re.

Në listën e objektivave mbetet Marc Guehi i Crystal Palace, por një marrëveshje në janar shihet si e vështirë për shkak të vlerësimit të lartë të londinezëve dhe faktit që Guehi pritet të bëhet lojtar i lirë këtë verë.

Mbrojtësi anglez thuhet se preferon të qëndrojë te Palace deri në fund të sezonit, për të ruajtur stabilitetin dhe për të përmirësuar shanset e tij për Botërorin, si dhe për të negociuar më pas një transferim të lirë.

Liverpooli mund të tentojë përsëri për një marrëveshje me çmim të reduktuar në janar, por nuk përjashtohet as mundësia që “The Reds” të presin deri në verë për ta marrë Guehin si lojtar të lirë. /Telegrafi/

telegrafi sport app