LAJMI I FUNDIT:

Dyzet vjetët e këngës “Total Eclipse of the Heart”: Vepra më epike e incizuar ndonjëherë!

Dyzet vjetët e këngës “Total Eclipse of the Heart”: Vepra më epike e incizuar ndonjëherë!

Kur krijimi i Bonnie Tylerit dhe Jim Steinmanit po mbush 40 vjet, çfarë e bëri të përjetshme këngën e tyre melodramatike, shkruan Fraser Morris për BBC. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjellë më poshtë.

Një ditë vere të vitit 1982, këngëtari kanadez Rory Dodd u ftua në studion e incizimit Power Station në Nju-Jork, për vokalet shtesë në këngën e shkruar nga kolegu dhe miku i tij Jim Steinman – për këngëtaren uellsiane Bonnie Tyler. “Zot! Ku është lavamani i kuzhinës”? Dodd qau kur dëgjoi miksin përfundimtar dhe mahnitës të këngës.


Kënga ishte Total Eclipse of the Heart. E lansuar 40 vjet më parë, në shkurt të vitit 1983, kjo arie gotike u bë sukses i paprecedentë ndërkombëtar që i shtyu para kufijtë e melodramës të muzikës pop. Kryesoi në top-listat e Mbretërisë së Bashkuar, duke lënë pas këngën Billie Jean të Michael Jacksonit; ishte hit edhe më i madh në ShBA, ndërsa ishte në vendin e parë në disa shtete. Tyler kishte pak shanse për këtë nivel të dominimit në top-listë, meqë karriera e saj ishte në rënie që nga hiti i vitit 1977, It’s a Heartache. E impresionuar nga puna e tij si kompozitor dhe si krijues i opusit Meat Loaf Bat Out of Hell (1977), Tyler i kërkoi kompanisë CBS Records që Steinmani të bashkëpunojë me të për albumin e saj të ardhshëm. “Atë kohë, kompania diskografike mendonte se jam e çmendur”, tha ajo. “Kurrë, për një milion vjet, nuk menduan se kjo do të ndodhte”. Por, Steinman pranoi të punonte me Tylerin, pasi ka dëgjuar potencialin e pashfrytëzuar të zërit të saj, të cilin e krahasoi me fuqinë rrëqethëse të Janis Joplinit. Këngën Total Eclipse of the Heart ai e ka përshkruar si “këngë e etheve” për anën më të errët e më obsesive të dashurisë, dhe si një “ekzorcizëm me të cilin mund të kërcesh”.

Kënga konsiderohet si një nga baladat më ikonike në histori, duke u renditur shpeshherë në listat retrospektive bashkë me këngë e përjetshme si Alone nga grupi Heart, Faithfully nga Journey dhe I Want to Know What Is Love nga Foreigner. Dodd, i cili i thotë fjalët “turn around”, lidhjen e tenorit të tij vajtues me ulërimën e vrullshme të Tylerit e përshkruan si “E bukura dhe bisha”, por si e kundërta e kësaj. Nuk di çfarë të bëj / Dhe jam gjithmonë në errësirë / Jetojmë në një fuçi baruti dhe lëshojmë shkëndija, këndon Tyler për një pasion romantik. Pas pjesës së parë, një vorbull e daulleve dhe shpërthimeve e çon këngën në lartësitë apokaliptike. Së bashku mund ta çojmë deri në përfundim / Dashuria jote gjatë gjithë kohës rri si hije mbi mua, vazhdon Tyler. Në fjalën “hije” zëri i saj plasaritet si rrufe. Teksa gjërat qetësohen, Dodd e qetëson dëgjuesin me përsëritjet falseto të refrenit turn around bright eyes.

Por, a është Eclipse Total of the Heart “baladë e fuqisë” [power ballad]? Termi zakonisht përdoret për të përshkruar një stil të rokut dhe metalit të popullarizuar në vitet 1980 – këngë me ritëm të ngadaltë që ngjitet në lartësitë muzikore, me vokale dhe emocione të nxitura nga rifat e kitarës dhe nga daullet e zhurmshme. Megjithatë, termi vlen edhe për këngët që nuk i takojnë rokut: Lista e ditores The Telegraph me 21 baladat më të mira të fuqisë përfshin këngën Nothing Compares 2 U të Sinead O’Connorit; Lista e Smooth Radio përfshin I Have Nothing të Whitney Houstonit; dhe në një shkrim për BBC Culture, Nick Levine e përshkroi këngën e Houstonit, I Will Always Love You, si “baladën e fundit të fuqisë”. T’i quash baladave e fuqishme si “baladë e fuqisë” kjo shpeshherë ka shkaktuar irritim te ata që shkruajnë për muzikë dhe për kulturë. Eksperti David Metzer thotë se termi është përdorur që në vitet 1970 në Billboard Magazine – për të përshkruar muzikën e Tom Jonesit dhe Engelbert Humperdinckut – dhe se nuk është përdorur kurrë ekskluzivisht për muzikën rok.

“Balada e fuqisë” kuptohet më mirë si term për të përshkruar këngët që i përmbahen një formule të veçantë. Çelësi i kësaj formule është “përshkallëzimi i vazhdueshëm”, shkruan Metzer në revistën Popular Music, duke e identifikuar Barry Manilowin me këtë. Në fakt, këngët e Manilowit si Weekend in New England dhe Looks Like We Made It kanë hapje modeste që kalojnë në kreshendo orkestrale dhe ndryshime kulmore. Hitet tjera pop të viteve ’70, si All By Myself nga Eric Carmen dhe When I Need You nga Leo Sayer, gjithashtu i përdorin këto konventa. Në vitet 1980, kjo formulë u interpretua përmes prizmit të rokut (të butë) dhe glam-metalit.

Para publikimit të Total Eclipse of the Heart, këto balada ishin të pranishme, por jo dominuese në top-listat e Mbretërisë së Bashkuar. Vetëm disa hynë në dhjetëshe në fillim të viteve 1980, përfshirë Babe nga Styx (më 1980 arriti në numrin gjashtë), Keep On Loving You nga REO Speedwagon (më 1981 arriti në numrin shtatë), In the Air Tonight nga Phil Collins (më 1981 arriti në numrin dy), Hard to Say I’m Sorry nga Chicago (më 1982 arriti në numrin katër) dhe Africa nga Toto (më 1983 arriti në numrin tre).

Cilido qoftë kategorizimi, Total Eclipse of the Heart i ka rezistuar kohës. Në vitin 1995, këngëtarja britanike dhe konkurrentja e ardhshme e Eurovizionit, Nicki French, kishte sukses me versionin e saj të këngës. Kënga ka përjetuar shumë versione, përfshirë të fundit nga Chloe Kohanski që u interpretua në spektaklin The Voice (në ShBA) në vitin 2017, të cilën ajo e fitoi. Duke folur për BBC Culture, thotë se vargjet sepse ne kurrë nuk do të gabojmë, në mënyrë të duhur flet se çfarë do të thotë të duash dhe të kesh nevojë për dikën … Total Eclipse of the Heart është shfaqur edhe në programin televiziv Glee, në reklama, dhe një familje uellsiane u bë virale në vitin 2021 me rishkrimin e frymëzuar nga mbyllja e koronavirusit (si Totally Fixed Where We Are). “Është kaq e lezetshme saqë duket se nuk dëshiron të largohet. Njerëzit vazhdojnë ta përdorin atë!”, thotë basisti Steve Buslowe.

Megjithatë, është incizimi origjinal ai që mbetet i skalitur në ndërgjegjen e publikut dhe që vazhdon të magjepsë dëgjuesit. Total Eclipse of the Heart e tejkaloi kategorinë e baladës së fuqisë përpara se balada e fuqisë të jetë idiomë dominuese muzikore. “Nuk mund të mendoj për ndonjë këngë tjetër të asaj epoke më shumë sesa kjo”, thotë Dodd. “Ishte koncept krejtësisht ndryshe i një kënge. Është një histori, është teatër dhe funksionoi”! /Telegrafi/