LAJMI I FUNDIT:

Dy-tri fjalë për “fotografinë e fundit” të Bekim Fehmiut…

Dy-tri fjalë për “fotografinë e fundit” të Bekim Fehmiut…
Bekim Fehmiu (foto e vitit 2008, e bërë nga Fahredin Spahija)

Nëntëvjetori i vdekjes së Bekim Fehmiut, riktheu në kujtesë monografinë dedikuar jetës dhe veprës së tij.

Monografia “Bekim Fehmiu” e gazetarit Fahri Musliu, e botuar në vitin 2015, përmban edhe fotografinë e fundit të aktorit të famshëm, siç thuhet edhe në përshkrimin e vënë në legjendë.


Fjala është për fotografinë e Fahredin Spahisë, e cila është publikuar pa leje dhe madje pa vënë emrin e tij.

“Më erdhi mirë që një portret i Bekim Fehmiut, i realizuar nga unë, kishte zënë vend në një nga faqet e kësaj monografie të përgatitur mirë konceptualisht dhe teknikisht. Por, u preka që autori i monografisë nuk kishte marr mundin ta kuptojë se kush e kishte realizuar. Kur ‘huazohen’ fotografitë e huaja, të paktën duhet kërkuar leja nga autori (në rastin tim, nga unë) që ajo të publikohet, sepse në të kundërtën ai ‘huazim’ shndërrohet në vjedhje dhe vjedhja sanksionohet sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, mbi të drejtat autoriale”, ka thënë Spahija në reagimin e postuar në profilin e tij në Facebook, me titullin: “Dy-tri fjalë për ‘fotografinë e fundit’ të Bekim Fehmiut…”!

Në fakt, kjo monografi është përplot me fotografi të tilla të “huazuara” dhe në asnjërën prej tyre nuk ceket autorësia.

“Autorit të kësaj monografie do t’ia bëj vetëm një pyetje: ‘Si do të ndjeheshe nëse dikush, në një libër të tij, do të përdorte ndonjë shkrim tëndin pa e përmend burimin?’ Ndaj, lus të gjithë ata, që ‘huazojnë’ vepra autoriale të fotografëve nga Kosova, të tregohen më të ndërgjegjshëm karshi punës së tyre. Ta vlerësojnë e ta respektojnë kreativitetin dhe mundin e tyre, sepse kjo e pasuron e mbi të gjitha dokumenton historinë dhe trashëgiminë e Kosovës”, ka shtuar artisti i fotografisë, Fahredin Spahija. /Telegrafi/