Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve F.G. dhe N.G., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa ndaj N.G. edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, në bazë të nenit 172 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se “me datë 09.10.2025 në Prizren, gjatë një kontrolli të realizuar nga organet e rendit, në pronën e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar bimë të kanabisit, të cilat ishin kultivuar nga të pandehurit”.

Gjithashtu, Prokuroria bën të ditur se “sipas ekspertizës forenzike, këto bimë kanë rezultuar se përmbajnë substancën narkotike kanabis-marihuanë”.

Në kuadër të hetimeve, është sekuestruar edhe një shumë parash.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 19,900 euro, të cilat janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm i kultivimit të narkotikëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, ndaj të pandehurit N.G. rëndon edhe akuza për armëmbajtje pa leje. Sipas Prokurorisë, “gjatë kontrollit të veturës së të pandehurit N.G., janë gjetur dhe sekuestruar 65 fishekë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët”.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/