Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, e ka kritikuar klubin për diskutimet e shumta në lidhje me tripletën këtë sezon, duke besuar se kjo kontribuoi në rënien e tyre.  

Gjatë drejtimit të Morattit, Interi arriti tripletën e jashtëzakonshme në sezonin 2009/10 nën manaxhimin e Jose Mourinhos, duke fituar Serien A , Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve. 


"Ditën e tripletës, isha shumë i emocionuar, por ndjesia ishte pak më ndryshe nga sa pritej. Arrin atë që dukej pothuajse e pamundur dhe menjëherë fillon të mendosh për gjënë tjetër. Kjo pothuajse më heq një pjesë të gëzimit", tregon Moratti për atë kohë. 

Këtë sezon, Interi shpresonte ta përsëriste këtë arritje nën drejtimin e Simone Inzaghit, por këto shpresa u shuan pas humbjes ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.  

Tani, klubi rrezikon ta përfundojë sezonin pa asnjë trofe, duke qenë tre pikë pas Napolit në Serie A, me një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës përpara. 

"Më duket shumë e çuditshme që flitej kaq shumë për tripletën. Në kohën tonë, nuk flisnim fare për të. E kuptuam që ishte tripletë vetëm pasi e fituam. Nuk ishte një obsesion siç duket të jetë tani", ka thënë Moratti. /Telegrafi/  

telegrafi sport app