LAJMI I FUNDIT:

Duda Balje: Me dënimin e Mlladiqit, edhe Serbia u dënua për gjenocid

Duda Balje: Me dënimin e Mlladiqit, edhe Serbia u dënua për gjenocid

Deputetja boshnjake e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka komentuar dënimin e Ratko Mlladiq. Ish-gjenerali i ushtrisë së Republika Srpskas, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullatës jo serbe në luftën e Bosnjës.

“Për neve ka qenë një lajm shumë i mirë. Është një drejtësi e vonuar por është mirë që Gjykata e Hagës është aktive dhe po punon edhe pas 27 vjetëve”, tha Balje në “Debat Plus”.


“Ngritja e Mlladiq nga një ushtarak karriere deri në gjeneral është mesazhi më i keq i nacionalizmit serb. Ai është bërë gjeneral pas krimeve që bëri në ish-Jugosllavi”, shtoi ajo.

“Momenti më i keq është sepse për Serbinë Ratko Mlladiq është një prej heronjve kombëtar dhe sa herë kemi thënë se ka bërë gjenocid në Srebrenicë ata e kanë refuzuar një gjë të tillë. Edhe në Kuvendin e Kosovës disa herë kemi tentuar të iniciojmë një rezolutë për Gjenocidin e Srebrenicës por nuk kemi pasur përkrahje”, tha Balje.

Balje thotë se me dënimin e Mlladiqit për gjenocid është dënuar edhe Serbia për gjenocid.

“Pavarësisht se Tribunali e ka definuar si dënim individual këtë të Mlladiqit, unë mendoj se edhe Serbia është dënuar për gjenocid”.

Balje thotë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe të mbledh të gjitha provat për gjenocidin në Kosovë pasi sipas saj nëse njëherë na refuzohet padia për gjenocid nuk do ta kemi një tjetër shancë. /Telegrafi/